Drejtorja e SHÇBA: Deklaratat e oficerit Nuhu janë të pavërteta

Drejtorja e SHÇBA: Deklaratat e oficerit Nuhu janë të pavërteta

103
0
Shares

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në policinë e shtetit thotë se deklaratat e oficerit të policisë gjyqësore Emiliano Nuhu janë të pabaza.

Drejtoresha e SHÇBA-së, Anila Trimi, në një deklaratë për mediat tha se pas hetimeve dhe verifikimeve të kryera rezulton se oficeri e ka marrë këtë çështje në hetim në 27 korrik 2018 dhe jo në 21 korrik siç pretendon.

Deklarata e Trimit: 

Nga ky aktivitet, deri tani janë verifikuar disa rrethana dhe fakte:

1. Nga intervistat e drejtuesit dhe punonjësve të Policisë së Stacionit Fushë Krujë rezulton se më datë 21/07/2018, pra data e pretenduar, nga ish punonjesi Nuhu nuk ka qenë fare prezent në ambientet e Stacionit të Policisë Fushë Krujë.

2. Nga Urdhri i Brendshëm për planëzimin e shërbimit, rezulton se, më datë 21/07/2018, Emiljano Nuhu nuk ka qenë OPGJ i gatshëm, por një tjetër punonjës i Policisë së Shtetit.

3. Nga intervistat dhe dokumentet si dhe shqyrtimi i pamjeve filmike në dispozicion, nuk rezulton që personat e përmendur në intervistë, si kërcënues të tij, të kenë qenë prezent në ambientet e Stacionit të Policisë së Shtetit në fushe Krujë, as në këtë datë dhe as në ndonjë datë tjetër të mëvonshme.

4. Nga Urdhri i Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Krujë, rezulton se vetëm në datë 27/07/2018, Emiljano Nuhu është ngarkuar për hetimin e kësaj çështjeje.

5. Nga shqyrtimi i fashikullit të hetimit rezulton se nga 11 veprime hetimore të deleguara nga Prokurori i çështjes, Emiljano Nuhu ka kryer vetëm 4 prej tyre.

6. Nga ekzaminimi i pamjeve filmike dhe komunikimeve elektronike, rezulton se Emiljano Nuhu takohet, ndër të tjerë, me personin nën hetim, në ambientet e një lokali privat, në Tiranë më datë 30/07/2018. Nga pamjet dhe komunikimi elektronik krijohet bindja e një takimi mes personash të njohur, mgjate kjo eshte nje rrethane qe do te verifikohet nga organet qe udheheqin hetimin ne kete rast.

7. Nga dokumentet rezulton se Emiljano Nuhu nuk paraqitet në detyrë që nga data 14/09/2018.

8. Më datën 15/09/2018, Emiliano Nuhu, rezulton të ketë udhëtuar nga aeroporti i Prishtinës drejt një vendi të Bashkimit Europian. Në sistemet e Republikës së Shqipërisë apo ato të Republikës së Kosovës, Emiliano Nuhu nuk rezulton i regjistruar në hyrje-dalje, në asnjërën nga Pikat e Kalimit Kufitar Shqiptare apo Kosovare.

9. Me datën 16.09.2018, Emiliano Nuhu, i ka telefonuar nga jashtë Shqipërisë, punonjës policie, të cilit i ka kërkuar të marrë armatimin personal, pistoletë, te cilen e kishte lene tek vjehrri i tij, për ta dorëzuar më pas.

U morën në pyetje më shumë se 20 policë në Krujë, Tiranë dhe Berat

Të gjitha këto të dhëna janë mbledhur nga grupi hetimor i posaçëm i krijuar menjëherë pas transmetimit në media të pretendimeve dhe deklaratave të ish-punonjësit Nuhu.

Grupi hetimor, tha Trimi, kryesohet prej saj si Drejtor i Përgjithshëm i SHÇBA-së, Altin Curri, shef i sektori ne Drejtorinë e Përgjithshme të SHÇBA, Arben Frasheri Drejtor i SHÇBA Tiranë, Fatos Balla, Shefi i Sektorit te Hetimit SHÇBA Tirane dhe Melsi Agolli Shefi i Sektorit SHÇBA Durrës.

Deri në këtë moment grupi i hetimit ka shqyrtuar një sërë dokumentesh që mund të kenë të dhëna për çështjet e pretenduar, përfshirë librin e shërbimit të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, Urdhrin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Krujë për kryerje veprimesh hetimore, urdhrin e brendshëm për planëzimin e shërbimit të këtij stacioni dhe librin e denoncimeve të qytetarëve.

-Ka marrë në intervistë më tepër se 20 punonjës policie, në Krujë, Tiranë dhe Berat përfshirë drejtuesit e këtyre strukturave, të cilët mund të kishin dijeni të ngjarjeve të ndodhura në datat dhe vendet e pretenduara nga Emiljano Nuhu.

-Ka marrë në shqyrtim pamje filmike të bizneseve private në Fushë Krujë dhe Tiranë me qëllim verifikimin e pretendimeve të ish punonjesit Emiljano Nuhut.

-Ka administruar fashikuj hetimi, fashikuj procedimi dhe gjithë korrespondencën ndërmjet Komisariateve Krujë dhe Komisariatit 6 ne Tiranë dhe Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Krujë dhe Tiranë, për këtë çështje.

-Ka kryer kontrolle në sistemin TIMS dhe sistemet e tjera të Policisë së Shtetit.

Oficeri Nuhu nga akuzues në i akuzuar

Sipas drejtueses së SHÇBA-së, “nga shqyrtimi i rrethanave të deritanishme, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ish-punonjësi i Policisë Emiljano Nuhu, me veprime dhe mosveprime, ka kryer disa shkelje si”:

1. Shpërdorim detyre
2. Kalim i paligjshëm i kufirit
3. Nxjerrje e sekretit hetimore
4. Shkelja e procedurave të punës në hetimin e çështjeve
5. Shkelja e rregullave mbi armatimin personal të punonjësit të Policisë së Shtetit

Trimi tha se SHÇBA po shqyrton me imtësi të gjitha rrethanat e tjera, pretendimet si dhe ligjshmërinë e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të këtij ish-punonjësi policie, të personave të lidhur me të si dhe veprimet apo mosveprimet e eprorëve të tij.

Trimi: Në përfundim të hetimeve do t’ju bëhen me dije rezultatet, referimet dhe propozimet e masave përkatëse të punonjesve nese do te rezultojne me shkelje.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY