ANALIZA/Kriza financiare në Turqi, a preket dhe rrezikohet Shqipëria?

ANALIZA/Kriza financiare në Turqi, a preket dhe rrezikohet Shqipëria?

64
0
Shares

Rënia e ndjeshme e lirës dhe konflikti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur Turqinë në qendrën e vëmendjes të tregjeve globale financiare ditët e fundit.

Të hënën, lira turke ra më shumë se 11% kundrejt dollarit, duke arritur një nivel tjetër të ulët rekord. Lira ishte nënçmuar më shumëse 20% javën e kaluar, teksa u intensifikua përplasja politike me Shtetet e Bashkuara dhe investitorët u shqetësuan pasi qeveria turke nuk po ndërmerr veprime për të nxitur ekonominë problematike.

Rënia e lirës ka trazuar tregjet globale, me aksionet e bankave europiane që janë nën presion të veçantë për shkak të ekspozimit të huadhënësve ndaj Turqisë. Mbikëqyrësi kryesor financiar i eurozonës ka shprehur shqetësimin për ekspozimin e disa prej huadhënësve më të mëdhenj të Eurozonës ndaj Turqisë, kryesisht BBVA, UniCredit dhe BNP Paribas. Në përputhje me rënien e monedhës, Mekanizmi i Vetëm Mbikëqyrës, i ngritur për të monitoruar veprimtarinë e bankave më të mëdha të rajonit, ka filluar që të mbikëqyrë më me kujdes gjatë dy muajve të fundit, lidhjet e huadhënësve europianë me këtë shtet. Sipas tij situata nuk është ende kritike. Por sipas tij, BBVA e Spanjës, UniCredit e Italisë dhe BNP Paribas e Francës,të cilat kryejnë operacione të rëndësishme në Turqi janë veçanërisht të ekspozuara kundrejt kësaj çështjeje.

Po Shqipëria sa preket nga kriza turke? Monitor sjell një vlerësim të ndikimit të mundshëm në sistemin bankar, tregti dhe investime, ku rezulton se n përgjithësi ekspozimi është i ulët.

BSH: Bankat shqiptare nuk kanë ekspozim ndaj letrave me vlerë të Turqisë

Burime nga Banka e Shqipërisë pohuan për Monitor se sistemi bankar shqiptar nuk ka ndonjë ekspozim në letrat me vlerë të Turqisë.

Sistemi bankar shqiptar paraqitet i mirë diversifikuar sipas origjinës së kapitalit, për më tepër që bankat veprojnë si filiale më vete, bazuar në legjislacionin shqiptar.

Kapitali turk mbizotëron në sistemin bankar, teksa BKT ka gati 28% të totalit të aktiveve, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave që i përkasin fundit të 2017-s. Por, ekspozimi i BKT-së ndaj letrave me vlerë turke është shumë i ulët. Investimet në monedhën turke, sipas bilancit zyrtar të BKT-së për vitin 2017, përbënin vetëm 6.5% të totalit të investimeve të vlefshme për tregtim dhe shitje të bankës. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve të BKT-së janë në lekë(67.5%), dollarë (12%) dhe euro (13%). BKT ka pasur një aktivitet të qëndrueshëm në vite, me tregues të lartë të përfitueshmërisë dhe kthyeshmërisë nga aktivet dhe kapitali.

Në vend të dytë, sipas origjinës së kapitalit janë austriakët, me 17.1%, përmes Raiffeisen.

Në rritje ka ardhur pesha e bankave me kapital shqiptar, ku Credins (12.28%) dhe Union Bank (3.18%) kanë së bashku 15.46% të totalit, me zgjerim prej 0.9 pikë përqindje me bazë vjetore.

Pesha e bankave italiane mbetet pothuajse e pandryshuar në 12.8% dhe përthithja e Veneto nga Intesa nuk e ndryshon, për shkak se të dyja janë me kapital italian.

Në vitin 2008, bankat me kapital grek zinin 27.7% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, ku më e madhja ishte Tirana Bank (9.78%), e ndjekur nga Alpha Bank (8.14%), National Bank of Greece (6.67%) dhe Emporiki Bank (3.13%). Por, pas 2010-s filloi rënia e shpejtë e tyre, teksa, pas krizës së borxhit të Greqisë, bankat mëmë filluan tërheqjen graduale nga rajoni. Në vitin 2012, Emporiki u shit te francezët e Credit Agricolë dhe kjo e fundit, në maj 2015, u shit te Tranzit/NCH capital (ABI Bank). Në fillim të 2018-s u shit edhe NBG po te ABI Bank, ndërsa së fundmi Tirana Bank hyri në negociata shitjeje me grupin Balfin. Pas daljes së Tirana Bank, pesha e bankave greke është reduktuar në rreth 5%.

Partneri i tretë për importe, e papërfillshme për eksporte

Turiqia është partneri i tretë tregtar i Shqipërisë, për sa i përket importeve, me 8.1% të totalit për 6 mujorin e parë, pas Italisë (29%) dhe Greqisë (8.3%).

Sipas të dhënave nga INSTAT, produkti më i importuar janë tekstilet dhe këpucët me 31% të totalit, i ndjekur nga produkte kimike dhe plastike me 15% të totalit (shih grafikun). Zhvlerësimi i lirës turke i bën importet nga ky shtet më të lira, duke qenë në favor të importuesve shqiptarë, që më të njëjtën sasi eurosh apo dollarësh mund të blejnë më shumë lira.

Në kahun e eksporteve, pesha e Turqisë si partner tregtar është e papërfillshme, me vetëm 0.6% të totalit të eksporteve për 6 mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të INSTAT, duke qenë i 22-ti në listë. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shitjet e mallrave shqiptare drejt Turqisë kanë rënë me  12%.

Produkti më i eksportuar janë “Materiale ndërtimi dhe metale”, me 33% të totalit (shih grafikun). Një ngadalësim i ekonomisë turke, si rrjedhojë e krizës financiare do të ulte dhe kërkesën për produkte shqiptare, po sërish ndikimi do të jetë i ulët për shkak të peshës së papërfillshme.

Investimet

Stoku i investimeve turke në Shqipëri, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë në fund të tremujorit tëparë ishte 534 milionë euro, duke i renditur i gjashti pas Greqisë (1.3 mld euro), Zvicrës (1 mld euro), Hollandë (948 mln euro), Kanadasë (896 mln euro), Italisë(656 milionë euro). Investimet më të mëdha turke janë në sistemin bankar dhe telekomunikacione. Një krizë në Turqi, do të ndikonte në ngadalësimin e investimeve të huaja./Monitor.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY