U mbyt pasi shpëtoi motrën dhe të fejuarën, fjalët prekëse të familjarëve...

U mbyt pasi shpëtoi motrën dhe të fejuarën, fjalët prekëse të familjarëve të 29 vjeçarit

239
0
Shares

Ervid Palajt i është dhënë lamtumira e fundit nga familjarë, miq dhe të afërm.

Ai u përcoll dje si hero, pasi dha jetën tragjikisht teksa po përpiqej të shpëtonte motrën dhe të fejuarën, që po rrezikonin të mbyteshin nga deti i trazuar në plazhin e Velipojës.

Familja Palaj është prekur nga një dhimbje e madhe për humbjen e djalit të vetëm të tyre. I riu, me ndihmën edhe të disa pushuesve të tjerë, arriti që të shpëtonte nga mbytja të fejuarën e tij, Lori Bardeli, si dhe motrën, Ela Palaj.

Por, nga ana tjetër ai nuk arriti që të dilte vetë i gjallë në breg. Fatale duket se ka qenë ndërhyrja e pushuesve për t’u dhënë ndihmë vetëm dy vajzave, duke menduar se 29- vjeçari do të ishte në gjendje të përballonte vetë detin e trazuar.

Pavarësisht se pushuesit më pas kanë ndërhyrë kur kanë parë se i riu nuk po arrinte të notonte dhe përpjekjes së mjekëve në breg, gjithçka ka qenë e kotë. Të afërmit tregojnë se i riu kishte disa muaj që ishte fejuar dhe pas martesës së motrës, që ishte parashikuar të mbahej më 15 gusht, edhe ai do të kurorëzonte lidhjen me vajzën që donte.

Të prekur nga ndarja nga jeta në një moshë të re dhe rrethanat si ndodhi, të afërmit nuk gjejnë dot fjalët për të përshkruar këtë tragjedi që iu ndodhi.

“Ishte një djalë i mrekullueshëm. Ne ndjejmë një dhimbje të madhe për këtë ngjarje të rëndë që na ka ndodhur. Kohët e fundit kishte nisur të punonte në një prej bankave në Shkodër. Shumë djalë punëtor dhe një djalë i mrekullueshëm. Nuk e paskam ditur se ai paska pasur gjithë këtë rreth shoqëror që e donin dhe e respektonin”, shprehet daja i 29- vjeçarit, Ndue Pali.

Tri javë më pas, motra e tij kishte parashikuar ceremoninë e dasmës së saj. Ela Palaj më 15 gusht ka datën e celebrimit me të fejuarin e saj. Pas saj, Ervidi kishte menduar që edhe ai, pas pak kohësh, po ashtu të martohej me të fejuarën, Lori Bardeli. Tashmë i gjithë rrethi familjar dhe të afërmit janë në një dilemë të madhe nëse do të bëhet apo jo dasma e motrës së Ervidit, 29-vjeçarit i cili humbi jetën në plazhin e Velipojës.

Një prej të afërmve, Kolë Noshi, i cili e kishte nip Ervid Palajn, thotë se dasma, edhe nëse bëhet, do të jetë formale, ndërsa ende nuk është marrë një vendim i mirëfilltë pas kësaj fatkeqësie që ka ndodhur në familjen e tyre.

Ervid Palaj është viktima e dytë që humb jetën në plazhin e Velipojës, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë rrezikuar që të mbyten edhe si pasojë e mungesës së rojeve të sigurisë. Viktima kishte shkuar të kalonte disa orë në plazh me të motrën dhe të fejuarën, por papritmas moti është prishur dhe dy vajzat u rrezikuan nga dallgët. 29- vjeçari u fut t’i shpëtonte, por nuk doli dot vetë më në breg./panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY