TABELAT & SHIFRAT/ Rritet me 41% numri i vetëvrasjeve te të rinjtë...

TABELAT & SHIFRAT/ Rritet me 41% numri i vetëvrasjeve te të rinjtë – Ja qytetet shqiptare më të rrezikuara

75
0
Shares

Në vitin 2017, në Shqipëri, u kryen 199 vetëvrasje, sipas të dhënave që janë publikuar nga INSTAT, me një rënie prej 11.5% (26 persona më pak) në krahasim me vitin e mëparshëm. Ndonëse ky është niveli më i ulët që nga viti 2012, kur raportohen të dhënat, sërish vetëvrasjet mbeten mbi tre herë më të larta sesa vrasjet (që në vitin 2017 ishin 63).

Por cilat janë grupmoshat që i japin fund jetës dhe qytetet ku shënohet numri më i lartë i vetëvrasjeve në raport me popullsinë?

“Monitor” ka përpunuar të dhënat e INSTAT, nga të cilat rezulton se në vitin 2017 ka pasur rënie të vetëvrasjeve tek moshat e mitura (10-19 vjeç), por është shënuar një rritje e ndjeshme për të rinjtë e moshës 20-29 vjeç. Në këtë grupmoshë u kryen gjithsej 34 vetëvrasje, me një rritje prej 41% (ose 10 të rinj më shumë që kanë zgjedhur të ikin para kohe nga kjo botë) në krahasim me vitin e mëparshëm.

Psikologët pohojnë se studimet e fundit nxjerrin moshën 14-25 vjeç si më të prekur nga ky fenomen. Të tjera studime e kanë çuar deri në moshën 29-vjeçare. Është edhe mosha e rritur e vonë e prekur, por arsyet se pse e marrin këtë akt i diferencojnë.

“Adoleshentët, duke jetuar në periudhën e zhvillimit shpërthyes të individit dhe formimit të personalitetit, janë lehtësisht të ndikueshëm nga faktorët socio-ekonomikë. Konkretisht, edhe në Shqipëri, ideja e adoleshentëve për të konkurruar për status: veshje, teknologji, para, makina luksoze, udhëtime etj., i vë ata nën një trysni që shpesh i çon në vetëvrasje.

Edhe rrjetet sociale janë një faktor negativ në këtë mes, pasi u ofron mundësi ekspozimi të gjerë, nga ku një pjesë nuk mundet të arrijë të ketë të njëjtat. Ne si ekspertë e quajmë si dukuri “të pasurit të gjithçkaje”. Por jo të gjithë arrijnë t’i kenë dhe frustrohen. Presioni social shpesh bëhet i fortë dhe mund të ndikojë në marrjen e vendimit të vetëvrasjes”, ka pohuar më herët për “Monitor”, Prof. Asoc. Dr. Arjana Muçaj, anëtare e Këshillit të Psikologëve.

Në të kundërt, një tendencë dominuese në vitin 2017 ka qenë dëshira më e ulët për t’i dhënë fund jetës tek moshat pak më të pjekura, nga 30-44 vjeç, ku vetëvrasjet kanë rënë me 50% (28 më pak), duke ndikuar në uljen e tendencës së përgjithshme.

Një rritje e fortë e vetëvrasjeve, pothuajse dyfishim ka ndodhur te grupmosha 50-54 vjeç, në 31 raste, ku varfëria mbetet arsyeja kryesore e kësaj zgjedhjeje.

Në total, grupmosha 49-60 vjeç dominon, me 52% të totalit të vetëvrasjeve.

Meshkujt më të dobët, Lezha, qarku me më shumë vetëvrasje

Meshkujt janë ata që dorëzohen më shpejt përpara vështirësive të jetës, me 68% të vetëvrasjeve në total. Rekordi është në Elbasan ku 12 meshkuj vranë vetën në 2017-n dhe vetëm një femër.

Rrethi që ka më shumë vetëvrasje në vlerë absolute është Tirana, me 37 persona që e kanë ndërprerë jetën përpara kohe (65% ishin meshkuj). Por, nëse i llogarisim sipas numrit të banorëve, kryeqyteti shqiptar rezulton i fundit, me 4.3 vetëvrasje për 100 mijë banorë.

Qarku më problematik është Lezha, me 13.2 vetëvrasje për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Korça (11.2), Berati (9.9), Durrësi (9.1).

Qarku ku kryhen më pak vetëvrasje në fakt është ai më i varfëri, Kukësi, me 2.5 vetëvrasje për 100 mijë banorë.

Në total, në Shqipëri në vitin 2017 u regjistruan 6.2 vetëvrasje për 100 mijë banorë. Ky është një ndër nivelet më të ulëta në rajon, pas Greqisë me 5.4, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që i referohen vitit 2015. Në rajon kryeson Serbia me 19.5 vetëvrasje për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Mali i Zi (12.4), Maqedonia (9.9), Bosnja (7.1). Italia e ka këtë tregues 8.7, ndërsa mesatarja globale është 10.7. Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY