AVNI NEZA/Rrëfim për një foto të Adem Jasharit dhe shqiptarët

AVNI NEZA/Rrëfim për një foto të Adem Jasharit dhe shqiptarët

807
0
Shares

Ka qenë diku vitit 1998 e unë si gazetar i medias se shkruar dhe asaj vizive lundroja ushtarakisht nga njëri cep i kufirit shqiptar-shqiptar me Kosovën në cepin tjetër duke kërkuar lajme, rrëfime e duke u mundur të shpjegonim shqiptarëve, por edhe botës se çfarë po ndodhte në konfliktin në Kosovë ku me mijëra shqiptarë ishin vrarë, masakruar, syrgjynosur, dhunuar, dëbuar.

Por ku me mijëra të tjerë ishin gati të sakrifikoheshin për tokën e truallin e tyre për lirinë e kombit të tyre. Gjthkah kishte lëvizje, njerëz e dhimbje. Gjithkah kishte tension. Në një ditë si këto në afërsi të Tropojës, takoj një mikun dhe kolegun tim dhe më thotë kam një foto për ty.

Ani ndasht i them, ma trego. Iknim e vinim shpejt edhe kohë nuk kishim gjërat shkonin me një shpejtësi rrufe, diku plaste konflikti, vinin të ikurit në kufi, vinin të huaj herë si gazetarë e herë si spiunë. Vinin nga Tiranë zyrtarë me çamçakëz në goje që të jepnin ndihma, e ktheheshin po me çamçakëz në gojë në Tiranë.

Unë gazetar isha, por një kolegu ime nga Peja Besnik Kada thoshte, se po na vjen aroma vaj pushke. Kishte nga ata që nuk dinin të përdorin armët dhe ne si të stërvitur në zbor mundoheshim të jepnim mendimin, i mësonim se si përdorej arma, si shkrepej e si mund të merrje në shenjë, ….mirë në shenjë. Ata që kanë jetuar atë kohë atje në zonat e kufirit nga Hasi në Tropojë e dinë shumë mirë këtë histori.

Kolegu im me tregoi foton një burrë me mjekër i armatosur. Është Adem Jashari në këtë foto më tha. Ai që u përball me serbët para pak kohësh e që u masakrua bashkë më familjen e tij në luftën për liri.

Ma jep i thashë. Rreth meje kishte shume të ikur nga Kosova të gjithë me shikonin mua kolegun dhe foton. Në sytë e tyre kishte dhimbje, kishte edhe shpresë, ajo nuk kishte vdekur akoma.

Ma dha foton, dhe e ruajta atë foto. E mora me vete pak ditë më vonë në Tiranë, dhe pas pak ditësh u botua në kopertinën e revistës ‘Koha’ në Tiranë nga Enver Bytyçi me te cilin bashkëpunoja. Ajo ishte fotoja e parë që shqiptarët patën rastin ta shikojnë të plotë për heroin legjendear Adem Jashari. Aty shqiptarët e panë për herë të parë këtë njeri që sakrifikoi gjithçka të tijen, që i kishte thënë zoti dhe dashuria njerëzore për shqiptarët dhe tokën arbënore.

E sot pas 20 vitesh shikoj rrëfime të dalldisura ish luftëtarësh që hanin suxhuk e pinin birra ndërkohë që Baca Adem ishte varrosur nën tokë më gjithë familjen tij. E sot shikoj gjeneralë të shpallur e të pashpallur që këndonin e kërcenin lokaleve duke shpresuar që vendi të çlirohej, ‘vetë’.

Do ishte mirë që në vend se të shprehin sirtarët për të nxjerrë fotot me Adem Heroin të gjenin pak kohë e të publikonin fotot e të gjithë familjes së tij të masakruar dhunshëm nga serbët dhe ushtria e tyre. Në vend që të nxirrnin fotot duke qeshur me Ademin, ti kërkoni falje atij se kanë 20 vjet që e kanë lënë Kosovën peng të inateve politike dhe të luftës së ashpër politike deri në vrasje, që po e izolon e jo po e integron vendin.

Në vend që të nxirrnin fotot e të lakmonin edhe përpunimin e tyre me teknologji të lartë të përkuleshin me entuziazmin e asaj kohe mbi varrin e tij dhe të familjareve të tij qe i dha një dimension të ri shqiptarisë dhe kombit shqiptar. Përpjekja e tij, lufta e tij dhe sakrifikimi i tij e ktheu Kombin shqiptar në vëmendjen e botës dhe u kuptua se jetojmë në Ballkan dhe përveç nënshtrimit kemi edhe njerëz që e duan lirinë e luftojnë për të, kemi edhe njerëz që luftojnë për lirinë dhe sakrifikohen për të e jo vetëm për lirinë individuale por për lirinë kombëtare, Adem Jashari e forcoi kombin dhe sot ka nga ata, e edhe këndej edhe andej kufirit qe mundohen ta mbajnë të ndarë e të shkëputur, shumë larg asaj ideje qe kishte në kokë dhe mendje Adem Heroi. Fotot kane shpërthyer në rrjete e të duket sikur të gjithë kanë qenë me të ditën që u vra, ditën që luftoi edhe për lirinë e tyre dhe te fëmijëve të Kosovës. Të kësaj Kosove që këta politikanë fotozhenikë e kanë lënë si një ishull të izoluar në mes të Ballkanit.

Adem Jashari, si Skënderbeu me shpatë, ishte pushka e parë e lirisë edhe për Prishtinën edhe për Tiranën dhe sakrifica e tij sublime tregoi se Shqiptarët ekzistojnë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY