ARTAN FUGA/ Të vjedhësh për vetmbrojtje

ARTAN FUGA/ Të vjedhësh për vetmbrojtje

122
0
Shares

Pedagogët e të gjitha universiteteve publike janë pa rroga në mes të dimrit. Rroga e janarit ka marrë ditë vonese.

Nuk po qaj halle ekonomike. E para sepse kemi mbërrit në një pikë si komb kur halli njerit është gëzimi i të tjerëve. Duket sikur lehtësohesh nga hallet e tua. I papuni, sigurisht do të thotë : Shiheni edhe ju njëherë se çfarë do të thotë të mos kesh bukë t’u sjellësh fëmijëve në shtëpi. Madje jo vetëm i papuni, i pastrehi, lypësi, por edhe ndonjë pedagog apo pedagoge në ndonjë universitet privat thotë me vete: unë kam muaj që nuk marr rrogë, por se mos janë më mirë ata te publiku!

Nuk qaj halle ekonomike sepse sikurse e kam thënë Shqiptarët, ne pra, që me rënien e piramidës së Sudes, jemi në rënie ekonomike sikur lëshohen në slalom sportistët në lojërat olimpike dimërore në Korenë e Veriut, më falni, të Jugut!
Modeli ynë ekonomik është futur në darë: ose ekonomi e zezë dhe kriminale ose krizë ekonomike. Të dyja zi a më zi. Këta merren me platforma ideologjike jo liberalizimi, jo konservatorizmi, jo mazokizmi, jo kontekstualizmi, jo konspiracionizmi.

Dogma dhe dëngla.
Po kur nuk më vjen keq se kemi mbetur pa rroga e pa bukë, sepse si natyrë jam pak mazokist, atëhere përse shkruaj?
Dua t’a them menjëherë. Më intereson ana politike e çështjes. Sepse si ndodhi, kjo vonesa e pagave, është një nga ato fakte që themeluesi i sociologjisë, Emile Durkheim, i quante fakte totale. Dhe pastaj, pyetja e dytë, përse marr anën e keqardhjes për z. Edi Rama, kryeministër?
T’i marrim argumentet një e nga një.
Na thuhet se nga Ministria e arsimit, që mos qoftë, vjen lajmi se fajin e paska pasur një VKM, vendim i këshillit të ministrave, që ka mbetur pa u firmosur, dhe ky akt i pabërë, paska bllokur të shkretët vartësa në ministrinë e arsimit dhe financave për të alokuar fondet.

Nuk po ndalem te mënyra sesi komunikon me publikun ministria jonë e arsimit, që mos qoftë. Pret ndonjë zëdhënës të saj zyrtar të bëjë thjesht një komunikatë për mediat a ndonjë konferencë për shtyp, ke pritur kot! Pret se mos del vetë ministrja për të kërkuar ndjesë për vonesën, hiç, kot, as mos të shkojë ndërmend.
Atëhere pyet veten : Kur ky dikaster, që mos qoftë, komunikon në këtë mënyrë me pedagogët e të gjithë universiteteve në Shqipëri, çfarë pret për komunikimin publik që duhet të bëjnë bashkitë, zyrat e shërbimeve, me popullin, me të papunët, më të sëmurët, me pensionistët?
Shikoni sesi ju sabotojnë zoti kryeministër, dhe fajin e keni vetë. Mendonit se do të qeverisni duke komunikuar direkt me popullin, dhe ndërkaq, nëpunësit tuaj nëpër dikastere, si është rasti i ministrisë së arsimit, që mos qoftë, hakmerren ndaj jush dhe nuk ndihen, nuk bëjnë punët e tyre, në sektorin e tyre ka krizë besimi që ka shkuar te ndërprerja e bukës për intelektualët e vendit, kurse nëpunësit përgjegjës heshtin.
Ata as e kuptojnë se paga e dhënë në afatin e përcaktuar është serioziteti i shtetit, është imazhi i shtetit. është kontrata e mbajtur. Sepse në çastin kur shteti prish ose nuk respekton kontratën, atëhere edhe pala tjetër është e lirë të bëjë çfarë të dojë. Bie fjala poqese kapet ndonjë pedagog duke vjedhur në ndonjë supermarket ndonjë kavanoz me kastraveca, imagjinoj këtë dialog:
Pse e vodhe i pandehur?
Sepse nuk kam lekë për të ngrënë.
Po a e di që ka ligje shteti, nuk lejohet vjedhja.

Shteti më ka detyruar se ka prishur në menyre të njëanëshme kontratën me mua dhe më ka lënë pa bukë.
Po ti ke vjedhur more derdimen që i thua vetes pedagog!
Po zoti gjykatës, por kur ligja njeh vrasjen si legjitime për vetëmbrojtje, përse të mos justifikojë vjedhjen për vetëmbrojtje?
E kanë marrë rrogën nëpunësit e ministrisë së arsimit, që mos qoftë? E ka marrë ministrja, zëvendësministrat, këshilltarët, drejtorët, shoferat, pastrueset?
Por deri këtu, ende jemi në kufijt e qesharakes dhe ende nuk kemi ardhur te çështjet serioze.
Mua më djeg diçka, pra si është e mundur të thuhet nga burime të ministrisë së arsimit, që mos qoftë, që fajin e paska një VKM e pafirmosur!!!
Këtu tani ka vend për analizë. Sikurse thoshte një i çartur dikur për analiza, le të shkojmë atje ku na çon analiza!!!
Siç është e mundur që vartësja, ministria e arsimit, që mos qoftë, ja hedh fajin eprorit, këshillit të ministrave? Pra vartësja ja hedh fajin publikisht kryeministrit, në rrjetet tona të e-maileve është deklaruar hapur, se fajin e ka një VKM e pafirmosur. Troç, fajin e ka kapiteni, e ka kryetari i këshillit të ministrave, pra e ka z. Edi Rama! Të vinte kjo nga ndonjë opozitar, do të thoshta se është e kuptueshme. Por, kur vjen nga vetë ministria e arsimit, që mos qoftë, duke implikuar vetë zotin Edi Rama, atëhere këtu i them vetes : Ndal!
Nuk është punë rrogash kjo jo!
Sepse në këtë rast ose dikasteri ka ngritur krye, që mos qoftë, ose dikush ka shkalluar nga fiqiri fare, ose ne pedagogëve na marrin si budallenj, dhe deridiku nuk e kanë edhe aq keq, sepse ca budallalliqe kemi bërë dhe bëjmë edhe ne. Nuk jemi qelibar jo!
Po dale, dale, unë kritik me metodat e qeverisjes kam qenë dhe jam, por që fshehurazi, në e-maile, t’i hidhet guri z. Edi Rama, nga vartësit e tij, këtë nuk ma pranon etika dhe formimi im.
Sepse do të thosha: “Mirë moj ministri, që mos qoftë, VKM është e pafirmosur, por a mund të thuash çfarë ndodhi? E harruan në ndonjë sirtar? Nuk do z. Edi Rama ta firmosi? Ka vështirësira financiare shteti? Amani mo na thoni! Se poqese shteti dhe vatani janë në fund të parave, dhe arkat janë bërë dangull, sikurse thoshte gjyshja ime, në dialektin beratas, atëhere ne jo vetëm rroga nuk kërkojmë, por unë të paktën jam gati të shes me shtëpi e katandi për t’i ardhur në ndihmë ministrisë së financave a ministrisë të arsimit, që mos qoftë, për ta mbushur sadopak buxhetin me paratë që do të na japi!
Po kjo ministria e arsimit, që mos qoftë, nuk e ka për detyrë që t’i dali përpara punës dhe të japi alarmin për atë VKM duke theksuar se poqese nuk firmoset do të mbesin pedagogët pa rroga?
Prandaj, unë mbetem me bindjen se z. kryeministër po e sabotojnë nga brenda, prandaj metoda e tij për të centralizuar të gjitha detyrat në duart e tij, ka si pasojë që askush nga administrata nuk punon, të gjithë presin prej tij.
Nëpunësit po e sabotojnë.
Kjo, sepse firmosja e një VKM nuk është një akt që ze më shumë se tre sekonda. Vështirësitë janë gjetiu. Aq kam shkuar larg në teorinë konspiracioniste sa më kujtohet që në fund të viteve ’80 u pritej rroga puntorëve që të dilnin në luftën për liri e demokraci, pra në shesh. Si duket dikush e di që vetëm kur u pret bukën shqiptarët protestojnë. Sikurse thoshte një nxënës i Monteskjesë, ka kombe që luftojnë për liri, por ka edhe kombe që luftojnë për ushqimin dhe këtë e paraqesin si luftë për liri. Ka pak kombe në botë – shkruante ai – që vërtet duan liri e janë gati të luftojnë për të.

Kush po e saboton z. Edi Rama kështu?
Shefi i qendrës shëndetësore të Domgjonit nuk paguan faturën e elektrikut, doktoreshkat i lënë pacientet pa trajtimin e duhur mjekësor, nëpunësit e rretheve lënë fushat të mbillen me kanabis, ministritë lënë punonjësit pa paguar… Mos është çthurrur përfundimisht filli? Mos po e sabotojnë kryeministrin nëpunësit e tij?
Apo e kanë zënë rob, sepse duke qenë elektorati i tij, i bëjnë presion tani me votën që i kanë dhënë!!!
A ta dhamë votën që deshe ? Dashke edhe të punojmë tani !!!
Nje gjë politike ka këtu.

Puna është se as menaxherët që ligji i arsi it i ka bërë të pavarur nga rektorët, administratorët, nuk ndihen. Dhe kur pedagogët reagojnë se nuk kanë rroga, menaxherët justifikohen duke thënë :” E ka fajin ajo VKM, kështu na tha Ministria e arsimit”, që mos qoftë!
E gjitha hierarkia e administratorëve që ligji për arsimin e lartë ka imponuar në universitetet publike është e dështuar. Sigurisht sa për fajin e vetë administratorëve, aq më shumë për shkak se modeli menaxherial i arsimit të lartë publik, është i dështuar, është bërë për të sabotuar arsimin e lartë.
Mirë o zonja dhe zotërinj menaxherë, por ju nuk jeni aty për të firmosur borderotë! Kur ka një anomali në financa, që në sekondën e parë do të duhej të jepnit alarmin. Të bashkëpunonit me trupat akademike dhe drejtuesit e tyre për të bërë presion të zgjidhej problemi. Mirë këtë nuk e bëni, sepse nuk keni pikën e iniciativës që duhet të ketë një menaxher i vërtetë, po një informacion brenda korporatës nuk qarkullonit dot, duke dhënë shpjegime profesionale dhe jo të linit në errësirë personelin?
A di njeri nga menaxherët se çfarë është komunikoni brenda korporatave?
Mirëpo këta menaxherë janë nën komandën e bordeve të administrimit. Këto borde asnjëherë nuk e ngrenë zërin ndaj ministrisë, që mos qoftë, sepse aty ata që drejtojnë vërtetë janë të deleguarit e ministrisë, si dikur komisarët në naftë që zbulonin sabotimin e puseve. I gjithë sistemi nuk reagon sepse e ka mpirë vertikaliteti.

Nen maskën e menaxherëve, fshihet militanti politik. Menaxhimi universitar është krejt i politizuar.
Ky sistemi vertikal nëpunësish që pjesërisht është i dembelosur, merr shpërblime krejt të pamerituara etikisht, i politizuar deri në palcë, inkompetent, i përkëdhelur, arrogant, nuk mund të bëjë që modeli menaxhues të funksionojë. Dhe kur plasin skandalet e mëdha, kur prodhohen krizat e mëdha, si kjo e pagave të vonuara dhe të premtuara për një datë pa afat, kjo armatë ja hedh fajin kreut, z. Edi Rama, duke qarkulluar informacionin në formën : “Nuk është faji ynë, por i VKM së pafirmosur.”
Pra, faji është i z. Edi Rama që nuk firmos shkresat që ka në tavolinë!!!
Unë kritik jam, edhe mazokist pak sikurse e pranova qysh në fillim të shkrimit, por këtë pabesi nuk e gëlltis dot. Po, kryeministri sabotohet nga të tijët. Këtu më çon analiza e këtij rasti, do të thoshte i i çarturi për analiza.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY