Londër, NCA: Kërcënimi nga Shqipëria është real – Trafikantët shqiptarë u lidhën...

Londër, NCA: Kërcënimi nga Shqipëria është real – Trafikantët shqiptarë u lidhën me kartelet kolumbiane

184
0
Shares
Foto Ilustruese

Klodian Çopja nuk është një emër i njohur për botën e krimit shqiptar, por në Angli e konsiderojnë një bos të vërtetë të trafikut të drogës. Evening Standard e prezanton Çopjan, si një nga furnizuesit më të fuqishëm të kokainës në Angli.
Gazetari Justin Davenport e krahason me Kajzer Sozen, personazhin e famshëm të filmit hollivudian “Të dyshuarit e zakonshëm”, për shkak të jetës anonime që bënte 30 vjeçari shqiptar në Britaninë e Madhe.
Britanikëve iu deshën 3 vjet hetime për ta arrestuar. Edhe ditën e ekstradimit, nuk ishin të sigurtë, nëse njeriu në pranga, ishte vërtet truri i bandës që arriti të fusë në Angli 800 kilogram kokainë, thotë hetuesi i çështjes Blackburn. Nuk kishte asnjë gjurmë të ekzistencës së këtij personi në Britaninë e Madhe, përveç disa shenjave të gishtave.
“Përdorte dokumente të falsifikuara, disa pasaporta me nënshtetësi të ndryshme dhe nuk ishte dënuar kurrë më parë. Ishte shumë e vështirë për ne ta identifikonim”, thotë Blackburn.
Arratia e Çopjas mori fund ditën kur u kap në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë, me një nga pasaportat e falsifikuara. Pas tre vjet përgjimesh, 30 vjeçari Çopja u dënua me 17 vjet burg në gusht të këtij viti.
“Në rastin Çopja, policia kapi 204 kilogram kokainë të pastër, por ai mendohet se ka trafikuar në Angli 800 kilogramë, e barazvlefshme me 150 milion paund”, shkruan The Evening Standard.
Zëvendësshefi i Grupit kundër Krimit të Organizuar në Policinë Metropolitane, Mik Gallager tha se bandat e krimit nga Ballkani morën jetë mes trazirave të luftës dhe konflikteve që përfshinë rajonin në të shkuarën. Ai tha se kërcënimi që vjen nga Shqipëria është real, pasi ka shumë grupe që kërkojnë ta kenë nën kontroll tregun e kokainës.
“Nga përvoja jonë ata janë shumë të organizuar dhe punojnë në hije, që të mos bien shumë në sy. Nuk ka shumë dhunë mes tyre, të paktën në dukje” thotë Gallager.
Hetuesi i çështjes së Klodian Çopjas, shpjegon se vetë truri i bandës mbante një profil të ulët në publik. “Vërtet kishte një apartament të shtrenjtë me qira, por qëndronte anonim. Asnjë nga anëtarët e tjerë të bandës nuk binte në sy, gjithnjë duke përdorur makina të thjeshta, të paregjistruara- ndërsa vetë Çopja nuk mbante makinë kurrë”.
Në Britaninë e Madhe, thotë Blackburn, kriminelët bëjnë një jetë të thjeshtë. Paratë çohen në Shqipëri, atje ku janë njerëz të pasur dhe me pozitë.
Steve Bennet, zyrtar i shërbimeve të inteligjencës të NCA-së, thotë se suksesi i trafikantëve shqiptarë është ngritur mbi një reputacion të krijuar si njerëz të besuar, jo aq të dhunshëm sa tregohet në filmat Taken, me Liam Neeson. Bennet thotë se, “Ata konsiderohen më shumë si partnerë të mirë në biznes, më shumë se sat të frikshëm në biznes”.
Ky reputacion i ka bërë bandat shqiptare të krijojnë aleanca të forta me disa segmente të krimit që nuk njihen shumë në Londër. Në muajt e fundit, detektivët kanë të dhëna se individë të krimit shqiptar kanë udhëtuar drejt Amerikës Latine për të lidhur marrëveshje direkte me kartelet. Kolumbianët janë më të gatshëm të punojnë në Europë dhe janë në kërkim të njerëzve për të kontaktuar, shkruan The Evening Standard.
Një kontakt nga Shqipëria ka thënë për gazetarin britanik se, “Krimi i organizuar shqiptar ka krijuar rrjete të mirëfillta në Europë, në veçanti në Spanjë, në Hollandë, Itali dhe Belgjikë. Ata panë një shans në Britaninë e Madhe dhe janë shtrirë edhe atje për shkak të tregut të madh të kokainës. Shumica e korrierëve të drogës janë emigrant ilegalë, që mbërritën në Britani për një jetë më të mirë dhe kanë paguar 12 mijë paund për t’u future në Britani. Ata janë në borxh me trafikantët, ndaj bëhen pjesë e rrjeteve të drogës”.
NCA, Agjencia Kombëtare e Krimeve ka dërguar në Shqipëri dy oficerë britanikë që mbledhin informacion për krimin e organizuar, por lidhjet e ngushta familjare e bëjnë të vështirë infiltrimin mes klaneve të drogës.
Policia londineze nuk arriti kurrë deri tek paratë e Klodian Çopjas, trafikanti i marrëveshjeve multi-milionëshe. Detektivët e dinë se paratë shkuan në Shqipëri, por atje gjurmët kanë humbur, shkruan gazetari Xhastin Davenport i Evening Standard.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY