FITIM ZEKTHI/ Në PD duhet të ketë fraksione të vërteta ose luftë

FITIM ZEKTHI/ Në PD duhet të ketë fraksione të vërteta ose luftë

129
0
Shares

Ajo që ndodhi në mbledhjen e Kryesisë së PD-së me zhurmën dhe sulmet ndaj kryetarit Lulzim Basha, me përgjimet e shëmtuara që u bënë aty dhe u nxorën rrugëve, si edhe sulmet e pandalshme, që nuk njohin kufi, prej dy muajsh të disa ish-drejtuesve të lartë të kësaj partie tregon se sa apolitike është e gjithë lufta e kundërshtarëve të Bashës. Është e rëndë ta thuash dhe e dhimbshme ta pohosh se kjo është apolitike, por po të shohësh taktikën deri te përgjimet, fjalorin që nis me “i paaftë dhe i paturp” dhe shkon te “bolshevik,” akuzat që nisin me “shitje zgjedhjesh” dhe shkojnë te “marrje nën kontroll e partisë nga gruaja dhe kunati,” nga “shitje e vendit të kryetarit të Kuvendit tek akuza për familjen Isufi (e vjehrrit) si të majtë, që punon për shkatërrimin e qëllimtë të PD-së”, nuk mund të mendosh ndryshe për gjithë këtë zabullimë irracionale. Këtë zabullimë irracionale, krejtësisht apolitike, mediat e shfaqin si lajm të parë, si shqetësim madhor të vendit me nëntekstin se Partia Demokratike po shkatërrohet, se Basha po i vë zjarrin me sjelljen e tij prej “uzurpatori”, se tashmë ai nuk mund ta drejtojë më kurrë atë parti, se ai po u la, do të asgjësojë edhe atë që ka mbetur.

Zabullima irracionale apolitike e shfaqur në media si lajm i parë dhe si shqetësim për kombin dhe e interpretuar po në media si drama e madhe e vendit dhe PD-së, nuk mund të mos i bëjë njerëzit të besojnë se vërtet “Basha po e shkatërron PD-në, se ai dhe familja e tij kanë mision pikërisht këtë shkatërrim, se tashmë nuk mund të ndërtohet më një narrativë e re e së djathtës, se PS do të fitojë edhe shumë herë të tjera etj., etj. “E majta (jo thjesht PS-ja jonë, por e majta si ideologji dhe si kulturë pjesë e të cilës është edhe PS jonë) e mendon gjuhën si një konstruksion dhe jo si një mjet të përshkrimit të realitetit. Shumë teoricienë thonë se gjuha që shpreh “të vërtetën”, në fakt është pohim i pushtetit.

Dhe në fakt, pa dashje, gjithë kjo zabullimë irracionale apolitike është bërë një gjuhë gati e përditshme në përpjekje të shprehë “të vërtetën”. Në fakt, ajo thjesht pohon pushtetin, pohon Ramën dhe qeverisjen. Michel Foucault e quante gjuhën një mjet të pushtetit. Është pushteti që e ideon dhe sendërton gjuhën, në mënyrë që ajo të pohojë atë. Kjo nuk do të thotë se kritikët e Bashës apo autorët e zabullimës irracionale apolitike janë nën kontrollin e qeverisë, por që qeveria përpiqet që e gjithë kjo zabullimë (si gjuhë, si diskur) të pohojë pushtetin. George Orwell për të shënjuar pranimin e verbër të një ideje, përdor fjalën bellyfeel në librin e famshëm 1984, ku në një vend totalitar regjimi ka krijuar një gjuhë të re në shërbim të pushtetit të tij.

Kjo fjalë vjen nga ideja se çdo qytetar i mirë duhet të jetë i aftë të brendësojë doktrinën e partisë në atë masë, që ajo të bëhet një instinkt i brendshëm. Ky tipar i gjuhës është bërë aq i pranishëm në Shqipëri, sa askush nuk e kupton më se ajo është një mjet i pushtetit. Tërë mashtrimet e qeverisë për sukses apo ndërtim të shtetit bëhen përmes kësaj gjuhe dhe askush nuk e kupton. Përmes kësaj gjuhe pushteti përkufizon edhe opozitën, PDnë, Bashën dhe përsëri askush nuk e kupton as autorët e zabullimës irracionale apolitike. Kaq për vënien pa dashje në shërbim të pushtetit të zabullimës. Le të shohim pse është irracionale zabullima? Është irracionale sepse gjuha është e mbushur me inat dhe zemërim, deri në urrejtje.

Gjuha ku përmendet edhe gruaja e kryetarit dhe vëllai i gruas si njerëz që kanë shitur partinë është pa dyshim irracionale. Gjithë sjellja, gjithë reagimet, të cilat nisën që një ditë pas shpalljes së listës së kandidatëve tregojnë për inat. Këto janë emocione dhe ato janë irracionale. Ndërsa zabullima është apolitike, në kuptimin që ajo nuk ka fare kuptim politik. Ajo është pasojë jo e ndonjë bindjeje politike, nuk është bartëse e ndonjë ideje politike, të cilën kërkon ta çojë përpara. Aty shihen veprime njerëzish, të cilëve duket se u është shembur një botë e tërë. Liberalët, të majtët, komunistët, gjithkush që projekton një botë në të cilën ai ka një rol të rëndë- sishëm, gati misionar, thotë Fred Hutchinson (një filozof amerikan që i ka kushtuar jetën përkufizimit të të djathtës) bëhet i papërmbajtshëm prej zemërimit dhe inatit, kur kjo botë i duket se rrëzohet, pasi ai me të ka lidhur gjithçka.

Pa të ai do të reduktohej në një gjë që nuk do ta donte kurrë. Kjo botë për ta ka qenë idhulli, thotë Hutchinson, dhe ata që ia shembin ose ata që ai mendon se ia shembin janë armiqtë e tij përjetë. Prej të gjitha zemërimeve njerëzore, më i ashpri është ai që u drejtohet shembësve të idhullit, sepse ai konsiderohet si vrasësi i dashurisë së vërtetë. Në këtë sjellje nuk ka asgjë politike. Nga ana tjetër, grupi i kundërshtarëve ka kërkuar që në PD të legalizohen fraksionet. Pra ka kërkuar që disa njerëz të rëndë- sishëm nga ky grup të marrin poste drejtuese në Kryesi, në Këshill Kombëtar, të kenë nënkryetarë, sekretarë etj., në një përpjesëtim të caktuar.

Pra ata kërkojnë një marrëveshje, sipas së cilës ata do të kenë kuota përfaqësimi në çdo nivel drejtimi sot dhe në Grupin Parlamentar nesër. Një fraksion në politikë synon të çojë përpara ose të mbrojë interesat ideologjike të një grupi, të mbrojë apo shtyjë përpara një axhendë politikash të caktuara, të cilat vijnë si rezultat i mbështetjes në një ideologji. Në Partinë Republikane në SHBA, për shembull, gjenden si fraksione konservatorët socialë, libertarianët, neokonservatorët, të djathtët religjiozë etj., ndërsa në Partinë Demokrate gjenden si fraksione progresistët, liberalët, centristët, majtistët etj. Në SHBA, në asnjë parti fraksionet nuk përfaqësohen me kuota.

Ata janë aty dhe garojnë me njëri-tjetrin. Një herë fitojnë konservatorët socialë dhe një herë libertarianët, një herë e djathta religjioze dhe një herë neokonservatorët. Vetë e kuptojnë, në mënyrë të natyrshme, se në cilin rast njëra prej tyre ka përparësi. Kjo varion nga shteti në shtet. E njëjta gjë edhe me demokratët. Në Partinë Socialiste franceze gjenden si fraksione disa grupime, ai i Mitterand-it, i Cere-z-it, Mauroy-së, Rocard-it etj. Këto grupe përfaqësojnë ngjyresa ideologjike të ndryshme brenda së majtës. Ato nisin nga e majta që kërkon të zhbëjë gati tërë ekonominë e tregut deri tek socialliberalët e sotëm, që janë afër Macron-it. Edhe socialistët francezë nuk e kanë përfaqësimin me kuota të përcaktuara. Në kohë të ndryshme dhe në varësi të personalitetit që drejton fraksionin ose korrentin zgjidhet edhe drejtuesi apo drejtuesit e partisë.

E njëjta gjë edhe tek e djathta franceze, e cila grupon centristë, liberalë, libertarianë, golistë etj. Veç faktit që fraksionet janë krejtësisht çështje dallimesh ideologjike, fraksionet janë edhe çështje tradite. Në SHBA janë ato të përshkruara që në Letrat e Federalistit, ku Madison shprehet fraksioni është një grup qytetarësh, të cilët bashkohen nga një impuls apo pasion i përbashkët… Kjo traditë ka bërë që partitë atje të kenë fraksione gjithnjë, pasi njerëzit me anë të primaries zgjedhin kandidatët (nuk i cakton partia kandidatët).

Edhe Franca ka traditë të fraksioneve, që nga Konventa e revolucionit, ku u shfaqën zhirondiënt, montanjarët dhe jakobinët. Kështu, ajo që kërkojnë kundërshtarët e Bashës është thjesht pa kuptim politik, pra apolitike. N.q.s. ky grupim dëshiron me të vërtetë një fraksion në variantin amerikan apo francez (mund të marrë edhe variante të tjera si ai italian, anglez), ai duhet të artikulojë një qëndrim ideologjik të tijin brenda së djathtës, qëndrim që ata mendojnë se i përfaqë- son. Ky qëndrim duhet të jetë në segmentin që nis nga konservatorët socialë dhe shkon tek e djathta e qendrës liberale. Fraksioni do të jetë thjesht një korent mendimi si kudo. Çështja është se e djathta është një ide dhe një bindje, që dëshmohet me mënyrën se si njeriu jeton dhe se si sillet. Grupi i kundërshtarëve në PD nuk duket se ka ndonjë bindje apo ide të djathtë që udhëheq apo përkufizon mënyrën se si jetojnë dhe si veprojnë. Nga këtu nis e djathta. Ndryshe, le të vazhdojë lufta, por të ketë sinqeritet të pranohet se është vetëm çështje inatesh dhe interesi për pushtet personal. Sa për vendin, atij i kemi lënë luftën tonë për pushtet.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY