INSTAT zbulon sektorët më fitimprurës në ekonominë shqiptare

INSTAT zbulon sektorët më fitimprurës në ekonominë shqiptare

189
0
Shares

 Të dhënat e INSTAT zbulojnë sektorët që kanë norma më të larta fitimi në Shqipëri. Si ka ndryshuar përfitueshmëria dy vitet e fundit. Segmentet që kanë përjetuar rritje të marzheve të fitimit dhe ata që po përballen me rënie të tyre.  Të hapësh sot një biznes të ri, apo të mbash në këmbë një të “vjetër” po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Konkurrenca është shtuar, shumë tregje janë maturuar, ka pak apo aspak sektorë që janë ende të lirë, shërbimet janë sofistikuar, duke u lënë vend më të mirëve, të mëdhenjtë po rriten në “kurriz” të të vegjëlve, duke u bërë “gjëmën” këtyre të fundit. Të gjithë po nxitojnë të ndajnë një tortë, e cila jo vetëm që nuk është rritur vitet e fundit, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë si rrjedhojë e krizës, por madje në vlerë relative edhe është zvogëluar, pasi po ndahet në më shumë pjesë. Në kahun tjetër, Shqipëria mbetet prapa në teknologjitë e informacionit dhe novacionit, që janë dy elementet që po u japin shtysë bizneseve kudo në botë dhe po ndikojnë në rritjen e produktivitetit dhe përfitueshmërisë. Por, cilët janë sektorët në industri, shërbime e tregti, që po gjenerojnë norma fitimi më të larta? Sa fitimprurëse janë bizneset e vogla, në krahasim me ato të mëdhatë? Monitor ka përpunuar të dhënat e qarkullimit vjetor dhe fitimeve që raporton INSTAT në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve, për vitet 2014 dhe 2015 (viti 2015 është i fundit i disponueshëm). Nga shifrat e INSTAT rezulton se nga tetë sektorë kryesorë të ekonomisë, katër kanë shënuar rënie të normave të fitimit në 2015-n (Industria nxjerrëse; Akomodimi dhe shërbimi ushqimor; Transporti, informacioni dhe komunikacioni; Shërbimet) dhe në katër të tjerë ato janë rritur (Industria përpunuese, Energjia elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve, Ndërtimi, Tregtia). Në total, për të gjithë prodhuesit në ekonomi, norma e fitimit ishte 8.5% në 2015-n, nga 6% që kishte qenë vitin e mëparshëm, e ndikuar gjerësisht nga performanca e mirë e kompanive shtetërore të energjetikës. Sektori më fitimprurëse në ekonomi (duke përjashtuar kompanitë shtetërore në energji) mbetet ai i shërbimeve, që për 100 lekë të ardhura mori 14.2 lekë fitime në 2015-n, ndonëse me një rënie nga viti i mëparshëm. I dyti është akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me 10.8% marzh fitimi, ndonëse shtimi i konkurrencës në këtë biznes mjaft të përhapur, ka bërë që përfitueshmëria të vijë në rënie. Ndërtimi është një sektor që edhe pas shumë vitesh vijon të gjenerojë fitime, madje ai e ka rimarrë veten në 2015-n, teksa marzhi është rritur nga 9.7 në 10.1%. Tregtia, biznesi më i “lehtë” i shitblerjes, edhe ai me një konkurrencë të lartë, ka përmirësuar fitimet, teksa norma e kthimit është rritur nga 5.1% në 6.9%. Sektorët e industrisë shënojnë luhatje të mëdha nga një vit në tjetrin, në varësi të koniunkturës ndërkombëtare të çmimeve dhe kontratave të porosisë për eksport. Me një rënie të ndjeshme janë normat e fitimeve të industrisë së komunikacioneve, transportit dhe informacionit, nga 8.3% në 2014-n, në vetëm 1.9% në 2016-n. Këto janë të dhënat zyrtare të raportuara nga INSTAT, ndërsa fitimet reale mund të jenë edhe më të larta, për shkak të nivelit të lartë të informalitetit në vend, që zyrtarisht llogaritet në rreth 30%.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY