Pensionet, sigurimi vullnetar dhe skema e re për rritjen e përfitimit

Pensionet, sigurimi vullnetar dhe skema e re për rritjen e përfitimit

176
0
Shares

Skema e re e sigurimeve shoqërore, pas reformimit, e ka të qartë filozofinë dhe formulën ku bazohet përfitimi. Sa më shumë para derdh me anë të kontributeve, aq më shumë pension merr kur mbush moshën. Problemi i skemës janë vitet e punës. Sa më pak vite punë të siguruara, aq më pak pension.
Në Shqipëri janë disa kategori të rëndësishme të popullsisë, si emigrantët, të punësuarit në sektorin privat, të cilët kanë ndërprerje të viteve apo muajve të punës, si dhe ata që për një arsye ose tjetër punojnë të pasiguruar.
Sipas statistikave, Shqipëria ka mbi 1.2 milionë emigrantë, ndërkohë që matjet e tjera tregojnë që ekonomia “gri” i kalon 40%. Këto tri kategori, që nuk i plotësojnë vitet e punës, dhe rrjedhimisht kur të dalin në pension marrin një përfitim më të vogël, kanë një mundësi në skemën e sigurimeve. Ky është pensioni vullnetar.
Pra, pagimi i viteve të shkuara, që rezulton si i papunë, ose pagimi i sigurimeve gjatë kohës që është në punë, por nuk paguan. Një mundësi tjetër është rritja e pensionit. Pra, pagimi i kontributeve shtesë për të marrë një përfitim më të madh. ISSH sqaron se me sigurim vullnetar mbulohen katër fusha të kësaj skeme: Sigurim vullnetar për vitin korent; sigurim vullnetar për periudha të kaluara; sigurim vullnetar për më shumë të ardhura, si dhe sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.

NDRYSHON PAGESA
Por çfarë ka ndryshuar në këtë skemë. Pas miratimit të pagës së re minimale, ka ndryshuar masa e parave që duhen paguar për të përfituar pensionin. ISSH sqaron se masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa.
Kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2017 është 5184 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 24.000 lekë x 21.6%. Paga minimale është miratuar në mes të këtij viti. Më parë ka qenë 22 mijë lekë. Kjo bën që pagesat për një muaj sigurime të rriten. ISSH ka aplikuar një skemë, për të nxitur sigurimin vullnetar. Për pagesat paradhënie aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa.

Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar); 3% mbi shumën për një pagesë 6- mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar); 1.5% mbi shumën për një pagesë 3- mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). Pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 5184 lekë, deri në kufi të pagës maksimale.

SI RRITET PENSIONI
Skema e sigurimit vullnetar shërben për të gjithë të punësuarit që duan një pension më të lartë. Për shembull, në rast se pagesa për pension bëhet nga punëdhënësi mbi një pagë 45 mijë lekë në muaj, çdo i punësuar mund të derdhë kontribute shtesë, pra për të marrë një pension më të madh, me një pagë tjetër më të lartë.
Sipas ISSH, të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent në kufijtë e pagave minimale dhe maksimale, 24.000 dhe 105.850 lekë (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri). ISSH sqaron edhe dy fashat që mund të derdhin para për më shumë pension.
Personat e vetëpunësuar – sigurohen me pagë minimale mujore 24.000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e pagës maksimale 105.850 lekë. Dhe punëmarrësit, që sigurohen në bazë të kontratës së nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin deri në nivelin e pagës maksimale 105.850 lekë.

BLERJA E VITEVE TË PUNËS
Problemi më i madh që kanë qytetarët është blerja e viteve të punës. Sipas statistikave të ISSH-së, rreth 39.8% e të siguruarve vullnetarisht janë për mbulim vullnetar të periudhave. Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara shërbejnë për vjetërsinë në punë, e cila influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension. Skema e pensioneve është e tillë që sa më shumë vite punë të kesh, aq më i lartë del pensioni. Kjo është arsyeja që një pjesë kaq të madhe të sigurimit vullnetar e zënë ata që kërkojnë të blejnë vite pune.

BIE NUMRI I TË SIGURUARVE
Sigurimi vullnetar është pjesë e skemës së pensioneve, si një ndihmë që u jepet qytetarëve në emigracion. Sa më shumë kohë kalon në emigracion një shqiptar, aq më pak i interesuar bëhet për sigurimin vullnetar. Kjo është arsyeja se vitet e fundit po vihet re një ulje e numrit të kontribuuesve.
Statistikat tregojnë një ulje të numrit të të siguruarve. Nga 8670 persona që derdhnin kontribute vullnetarisht në skemën shtetërore të sigurimeve në 2010-n, në vitin 2016 ishin vetëm 7323 kontribuues, ku shihet se 1357 persona kanë dalë nga skema me një rënie 16 për qind. Vetëm në 2016- n, më shumë se 300 persona dolën nga skema. Por sërish është pjesa shqiptare ajo që e bën këtë zë të sigurimeve shumë të vlefshme. Të dhënat e ISSH-së tregojnë se numri i kontribuuesve brenda vendit arrin në 61.8% të totalit, ndërsa kontribuues jashtë vendit janë vetëm 38.2 për qind.

Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që:
1. Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk u ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar;
2. Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm;
3. Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre;
4. Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunë- suarve në bujqësi;
5. Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.

Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar
• Pension i plotë i pleqërisë;
• Pension i pjesshëm i pleqërisë;
• Pension i reduktuar i pleqërisë;
• Pension invaliditeti;
• Pension i pjesshëm invaliditeti.

Çfarë mbulon skema e sigurimit vullnetar
• Sigurim vullnetar për vitin korent;
• Sigurim vullnetar për periudha të kaluara;
• Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura./panorama/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY