SHKRESA E PLOTË/ Ja pse LSI kërkon verifikimin nëse Edi Rama ai...

SHKRESA E PLOTË/ Ja pse LSI kërkon verifikimin nëse Edi Rama ai është i aftë mendërisht

74
0
Shares

Lëvizja Socialiste për Integrim denoncon Kryeministrin Edi Rama në Prokurori. Nëpërmjet një shkrese drejtuar autoriteteve më të larta në vend dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, LSI ka përcjellë shqetësimet mbi veprimet antiligjore dhe thirrjet antikushtetuese të Kryeministrit të vendit gjatë mitingut elektoral ne Kuçovë, për pjesëmarrje dhe aktivizimin e punonjësve të policisë së shtetit në fushatë dhe aktivitet elektoral në mbështetje të Partisë Socialiste.
Më konkretisht shkresa i është drejtuar Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, Kreut të Misionit të OSBE/ODHIR për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, z. Peter Tejler, Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, z. Bernd Borchardt, Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, z. Donald Lu, Ambasadores së Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin, Zv.Kryeministres dhe drejtueses së Task-Forcës për Procesin Zgjedhor, znj. Ledina Mandia, Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Dritan Demiraj si edhe ambasadorëve të vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë.
Lëvizja Socialiste për Integrim bën me dije se Kryeministri Edi Rama shkeli ligjin kur ftoi policinë të marrë vota për Partinë Socialiste dhe se thirrjet e tij përbëjnë ngjarjen më të rëndë të thyerjes së ligjit. Gjithashtu, LSI thekson se kjo ngjarje dhe kjo veprimtari e Kryeministrit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithë ligjet dhe se këto thirrje tregojnë se ky shtetas ka konsumuar njëherazi elementë të veprave penale. LSI çmon se duhet nisur ndjekje penale dhe kryerja e hetimeve të paanshme në lidhje me këtë çështje nëpërmjet një shqyrtimit dhe hetimi objektiv.
Nisur nga deklarata e papërgjegjshme e Kryeministrit, LSI e vlerëson të nevojshme që Presidenti i Republikës të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar veprimtarinë antiligjore të Kryeministrit të vendit.

 

TEKSTI I PLOTË I SHKRESËS

I nderuar Z. President i Republikës,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasador,
I nderuar Prokuror i Përgjithshëm,
Të nderuar përfaqësues të lartë të institucioneve Kushtetuese të vendit,
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, duke besuar e mbrojtur fort parimin e shtetit të së drejtës, i cili duhet të funksionojë bazuar në ligje, ka ngritur një strukturë monitoruese dhe raportuese për të dokumentuar gjithë veprimtarinë e saj vëzhguese dhe politike gjatë procesit zgjedhor 2017, me qëllim për të denoncuar çdo rast të shkeljes së ligjit, apo çdo veprim i cili, synon destabilizimin e situatës në vend, cenon rëndë besimin e publikut tek institucionet e shtetit të së drejtës, dhe shkatërron standardet e zgjedhjeve në Shqipëri.
Ditën e premte, më datë 16. 06. 2017, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, dhe njëherazi edhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, me veprimet e tij nëpërmjet thirrjes publike ka krijuar një situatë të rëndë, ngjarje kjo e cila nuk krahasohet me asnjë vepër tjetër penale që parashikon Kodi Penal në procesin zgjedhor dhe që kërkon një trajtim të hollësishëm jo vetëm politik, monitorues e diplomatik të saj, por para së gjithash një trajtim objektiv ligjor prej organeve ligjzbatuese në rrugë institucionale nga Prokuroria e Përgjithshme.
Për këtë parashtrojmë rrethanat e faktit si më poshtë vijon:
Konkretisht, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë shtetasi Edi Kristaq Rama, i datëlindjes 04.07.1964, lindur e banues në Tiranë ka marrë pjesë më datë 16 qershor 2017, në një miting elektoral në qarkun e Beratit, Kuçovë, nën siglën dhe simbolet e Partisë Socialiste, si subjekt zgjedhor që kandidon në zgjedhjet e përgjithshme 2017 dhe ku ai është dhe Kryetar i saj. Në këtë aktivitet politik të Partisë Socialiste në Kuçovë nga podiumi folës dhe publikisht ai i ka bërë thirrje që punonjësit e Policisë së Shtetit, pas shërbimit të aktivizohen në fushatë zgjedhore për të marrë vota për Partinë Socialiste.
Kjo deklaratë e kryeministrit është transmetuar drejtpërdrejtë nga shumë media audiovizive dhe tashmë është bërë pjesë e portaleve dhe web-siteve të ndryshëm, ku po përmendim rrjetin e njohur youtube.com, në të cilën gjendet e publikuar deklarata antiligjore e Kryeministrit Rama.
(https://www.youtube.com/ëatch?v=aYYn_LeMmbE&feature=youtu.be)
Konkretisht ai ka bërë thirrje publike me këtë përmbajtje:
“I bëj thirrje gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, në momentin që lënë uniformën, pas punës, të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për Partinë Socialiste të Shqipërisë, në mënyrë që të mos lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu, që ne e kemi lartësuar dhe pastruar më shumë se asnjëherë më parë dhe së bashku në 4 vitet e ardhshme, ta bëjmë Policinë e Shtetit Shqiptar në mesataret e Policive të Bashkimit Europian”……
Në vlerat e moralit dhe në zbatim të ligjit në Republikën e Shqipërisë, Lëvizja Socialiste për Integrim, vlerëson se kjo deklaratë dhe këto thirrje të Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, përbëjnë ngjarjen më të rëndë të thyerjes së ligjit dhe moralit te detyrës së një Kryeministri gjatë një fushatë elektorale në këto 25 vjet.
Kjo ngjarje dhe kjo veprimtari e Kryeministrit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithë ligjet dhe rregullat e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Kryeministri i vendit me këtë thirrje ka shkelur të gjithë hierarkinë shtetërore të akteve ligjore që nga Kushtetuta e vendit dhe deri tek VKM-ja më e fundit që ka miratuar qeveria e tij, si pjellë e marrëveshjes politike të datës 17-18 Maj 2017.
Nëpërmjet këtij akti Kryeministri dhe njëherazi Kryetari Partisë Socialiste Edi Rama, ka shkelur një sërë ligjesh që e ndalojnë Policinë e Shtetit të marrë pjesë në fushatën zgjedhore apo të mbështesë subjekte politike në zgjedhje.
Konkretisht në ligjin nr. 108/2014 “Për policinë e Shtetit”, i ndryshuar, përcktohen qartë parimet dhe detyrimet e Policisë së Shtetit, e cila për mision kryesor të saj ka ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.
Kryeministri i vendit, dhe shtetasi Edi Rama me veprimet e tij të cilat tashmë nuk i bën më fshehtas, por hapur dhe publikisht, ka kryer shkelje të rënda ligjore të cilat nuk janë më thyerja të sjelljes dhe rregullave në një proces zgjedhor dhe elektoral, por qartësisht tregojnë se ky shtetas ka konsumuar njëherazi elementë të veprave penale, për të cilat nevojitet shqyrtim dhe hetim objektiv i tyre.
Për të evidentuar se ku Kryeministri ka shkelur ligjin po përmendim disa detyrime ligjore që citohen në dispozita të veçanta ligjore në fuqi.
Konkretisht në nenet 2, 4, 5, 90 të ligjit nr. 108/2014 “Për policinë e Shtetit”, i ndryshuar, parashikohen, misioni, statusi, parimet, të drejtat, detyrimet e kufizimet e punonjësve dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilat për qartësi po i citojmë si më poshtë :

Neni 2
Misioni i Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

Neni 4
Statusi i Policisë së Shtetit
1. Policia e Shtetit është institucion i administratës shtetërore, person juridik në varësi administrative të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike.
2. Policia e Shtetit është e depolitizuar.
3. Statusi i Policisë së Shtetit nuk ndryshon edhe në gjendje lufte, gjendje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësisë natyrore.

Neni 5
Parimet e veprimtarisë
Parimet bazë, në bazë të të cilave udhëhiqet Policia e Shtetit në veprimtarinë e saj, janë:
a) ligjshmëria;
b) mosdiskriminimi;
c) respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;
ç)  proporcionaliteti;
d) pavarësia operacionale;
dh)  paanshmëria politike;
e) integriteti, merita dhe profesionalizmi;
ë)  transparenca;
f) ruajtja e informacionit të klasifikuar;
g) kontrolli dhe llogaridhënia.

Neni 90
Kufizimet në jetën politike të punonjësit të policisë
Punonjësit të policisë i ndalohet:
a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike;
b) të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.

Referuar ligjit të Policisë së Shtetit, funksionet policore dhe detyrave të tjera të ngjashme me to, janë jashtë veprimtarive politike dhe duhet të qëndrojnë sa më larg tyre, në çdo kohë edhe pse personat janë brenda apo jashtë orarit zyrtar të punës. Ky nuk është një detyrim moral, por një detyrim ligjor që e dikton Kushtetuta dhe ligjet e vendit dhe çdo thirrje e tillë është shkelje e ligjit dhe e Kushtetutës.
Në rast se diçka e tillë do të ndodhte, atëherë çdo punonjës i Policisë së Shtetit që do t’i përgjigjej pozitivisht thirrjes së Kryeministrit, do të ndëshkohej nën një procedim disiplinor, do të konsiderohej si një shkelje e rëndë dhe jo vetëm do të përjashtohej nga radhët e Policisë së Shtetit, por do të ndiqej edhe penalisht.
Këtë gjë e përcakton edhe Vendimi nr. 473/2017 që “Qeveria e Besimit” që ndërtoi Kryeministri, ka marrë, akt ky në të cilën përcaktohet se :
Punonjësit të Policisë së Shtetit i ndalohet:
– të jetë anëtar i një partie ose organizate politike;
– të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
Këtë detyrim për punonjësin e Policisë së Shtetit, e diktojnë edhe parashikimet e ndryshimeve më të fundit në Kodin Penal, ku në nenin 322/ a, parashikohet shprehimisht se:

Neni 332/a
Shpërdorimi i autoritetit policor
(Shtuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22. 05. 2017)
Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mos ushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet

Por mesa duket të gjithë këto ligje e rregulla që institucionet e shtetit kanë miratuar, nuk vlejnë aspak për Kryeministrin, pasi i vetmi rregull për të, është anarshia shtetërore.
Nuk mund të aludojmë se në çfarë gjendje psikoemocionale Kryeministri e ka bërë një deklaratë të tillë, por ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është fakti që Kryeministri I vendit, dhe Kryetari Partisë Socialiste shtetasi Edi Kristaq Rama, me veprimet e tij aktive dhe publike, ka shkelur rëndë ligjin, duke cenuar rëndë marrëdhëniet juridiko shoqërore të mbrojtura nga legjislacioni penal.
Ai përveç shkeljeve të kodeve dhe sjelljes në fushatë zgjedhore, ka konsumuar njëherazi disa vepra penale për të cilat ai duhet të hetohet deri në fund dhe pa asnjë ngurrim nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilës i bëjmë thirrje të mos vonojë në këtë situatë por të nisë hetimet mbi këtë ngjarje.
Konkretisht Kryeministri Edi Rama, si kreu i Administratës Shtetërore dhe që prezumohet që duhet të jetë shembulli dhe profili publik më i pastër i saj, me ftesën publike drejtuar punonjësve të Policisë së Shtetit, për të shkelur ligjin dhe për të kryer vepra penale, ka konsumuar elementë të veprës penale parashikuar nga neni 328/a të Kodit Penal, ku citohet se:

Neni 328/a
Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore
(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 01. 03. 2012;
ndryshuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22. 05. 2017)
Pjesëmarrja e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore në shërbimin civil ose në një funksion jo-politik në administratën shtetërore, në kundërshtim me ligjin, në aktivitetet ose fushatën zgjedhore, të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Detyrimi ose kërkesa drejtuar shtetasve, nga një punonjës që kryen një detyrë shtetërore, që kundër vullnetit të tyre ose nën kërcënimin e përdorimit të masave administrative ose disiplinore, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor, për të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, për të mbështetur ose jo një parti politike ose një kandidat në zgjedhje, ose për të votuar në një mënyrë caktuar, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.
Përdorimi nga një punonjës që kryen një detyrë shtetërore, i të mirave publike, funksionit ose veprimtarisë shtetërore, ose i burimeve financiare ose njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, në kundërshtim me ligjin dhe qëllimin e detyrës, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.
Për të bërë një vlerësim të qartë të rolit dhe veprimeve të Kryeministrit, na duhet të citojmë nenin 4 të ligjit nr. 90/2012 “Për administratën shtetërore”, në të cilin thuhet se:

Neni 4
Organet dhe institucionet e administratës shtetërore
1. Kryeministri dhe ministrat janë organet e larta të administratës shtetërore. Ata drejtojnë dhe mbikëqyrin administratën shtetërore brenda fushës përkatëse të veprimtarisë shtetërore.
2. Administrata shtetërore përbëhet nga këto institucione:
a) Kryeministria;
b) ministritë;
c) institucionet në varësi të Kryeministrit ose të ministrave;
ç)  njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve;
d) agjencitë autonome;
dh)  administrata e prefektit.
3. Ministritë dhe institucionet e varësisë mund të kenë degë territoriale në përputhje me këtë ligj.
4. Organizimi dhe funksionimi i Kryeministrisë rregullohen me ligj të veçantë.

Konkretisht Kryeministri si shtetas i cili kryen një funksion publik shtetëror, dhe konkretisht atë më të lartin sa i takon administratës shtetërore (referuar nenit ligjit Nr. 90/2012 Për Organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore” dhe ligjit nr. 9000, date 30. 01. 2003 “Për Organizimin Dhe Funksionimin e Këshillit te Ministrave”), nëpërmjet ftesës drejtuar çdo punonjësi policie për të marrë pjesë për të mbështetur Partinë Socialiste, ka shkelur ligjin rëndë, pasi punonjësit e Policisë së Shtetit, jo vetëm nuk kanë sesi të shprehin vullnet, por e kanë detyrë ligjore për shkak të funksionit të mos marrin pjesë në aktivitete apo mbështetje të fushatave zgjedhore të subjekteve politike.
Pra vetë punonjësi i Policisë së Shtetit, nëse do t’i përgjigjej pozitivisht ftesës publike të Kryeministrit, dhe do ta kryente një veprim të tillë, do të përgjigjej penalisht përpara ligjit, sipas paragrafit të parë të këtij neni dhe sipas nenit 332/a “Shpërdorimi i autoritetit policor”.
Kryeministri, i pari për nga hierarkia e administratës shtetërore, bën thirrje që të kryhen vepra penale nga vet punonjësi i Policisë, i cili për nga funksioni që kryen ka për detyrë parandalimin e kryerjes së veprave penale. Pra Kryeministri dhe Kryetari Partisë Socialiste Edi Rama, ka konsumuar kështu njëherazi vet disa elementë të veprave të ndryshme penale, dhe duke dalë kështu në rolin më të madh dhe më të ndëshkueshmin nga ligji, atë të organizatorit dhe frymëzuesit të shkeljes së ligjit penal.
Gjithashtu këto veprime dhe thirrje të shtetasit Edi Rama, qoftë nga cilësia e detyrës së Kryeministrit apo nga ajo e Kryetarit të një force politike pjesëmarrëse dhe konkurrente në zgjedhje siç është PS, përbëjnë edhe një tjetër vepër penale atë të parashikuar nga neni 245/1 të Kodit Penal, ku parashikohet se:

Neni 245/1
Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Pa dashur të bëjmë një vlerësim politik, po të shikohet me vëmendje pjesa e dytë e deklaratës se tij, ku ai shprehet se : “…….në mënyrë që të mos lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu, që ne e kemi lartësuar dhe pastruar më shumë se asnjëherë më parë dhe sëbashku në 4-vitet e ardhshme, ta bëjmë Policinë e Shtetit Shqiptar në mesataret e Policive të Bashkimit Europian”……, paçka si e tillë , kjo deklaratë premtimi e Kryeministrit për Policinë e Shtetit, është që ajo të shkeli ligjin dhe të merret me fushatë elektorale për PS, në mënyrë që 4- vitet e ardhshme në pushtet ai ta mbajë policinë e shtetit në gjendjen që ai e degradoi, duke e bërë pjesë dhe shumë pis në fushatën e kanabizimit të vendit.
Premtimi Kryeministrit është sa i fshehtë por dhe i dallueshëm, dhe duke ndikuar në mënyrë të paligjshme që punonjësit e policisë së shtetit të shkelin ligjin dhe detyrimet që ligji ja përcakton.
Por shtetasi Edi Rama, me deklaratën e tij, ka konsumuar edhe veprën penale të shpërdorimit të detyrës, atë të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku parashikohet se:

Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Kryeministri i vendit, si kreu i administratës shtetërore, ka për detyrë primare të tij, të orientojë gjithë strukturën shtetërore për të zbatuar ligjin dhe për të qëndruar korrekt me disponimet që ligji urdhëron dhe jo të autorizojë, mbështesë, apo nxisë shkeljen e ligjit prej saj, sidomos nga ajo pjesë e administratës shtetërore që e ka për detyrim ligjor të mos jetë aktive dhe pjesë e politikës, që është Policia e Shtetit.
Ky detyrim ligjor për çdokënd edhe për Kryeministrin vetë, forcohet edhe më shumë në situatën zgjedhore ku kryerja e thirrjeve të këtilla edhe pse në një miting elektoral, dikton sjelljen e administratës, ndikon tek ajo, dhe përfitimi dukshëm është i pritshëm për Kryeministrin – Kryetar Partie, maksimalizimi i votave të forcës politike që ai përfaqëson.
Ai ka realizuar një thirrje si nga cilësia e Kryeministrit por dhe si Kryetar Partie pasi vetë pranon që Policia është bërë në këtë gjendje sipas tij “të mirë”, falë dhe punës së tij por dhe anëtarëve të tjerë të forcës politikë që ai përfaqëson.
Në mos e ka konsumuar tërësisht, të paktën kjo vepër e kryer prej tij ka ngelur në tentativë.
Pra sa parashtruam më sipër, vërehet farë qartë se Kryeministri bën thirrje publike që komprometojnë dhe keqpërdorin autoritetin e Policisë së Shtetit, ta intimidojnë atë, dhe është një përpjekje për ta instrumentalizuar qartësisht me funksion politik. Imagjinoni për një moment, një punonjës policie pasi ka mbaruar punën i veshur civil pasdite apo gjatë natës bën fushatë për të marrë vota për Partinë e Kryeministrit, ndërsa paradite në zbatim të ligjit ndjek dhe ushtron autoritetin në veprime proceduriale penale. Ata mund të jenë votues, sipas bindjes së tyre të brendshme, por kurrsesi propagandues të bindjes apo mbështetës të një force politike. Kjo do të thyente besimin e qytetarit tek shteti, tek institucioni ku njerëzit shkojnë për tu ankuar. Afrimi i Policisë me forcat politike, krijon një situatë pasigurie, një situatë ku besimi kthehet tek mekanizmi vetgjyqësor, pra pasoja që krijon është dhe më e rëndë se sa ndikimi i rezultatit në zgjedhje.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar në vijimësi gjithashtu se elementë të caktuar funksionar të Policisë së Shtetit po keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore, dhe pas kësaj deklarate të Kryeministrit bëhet më se qartë se ku e kanë burimin dhe mbështetjen grupet kriminale.
Për sa më sipër, i kërkojmë edhe një herë Prokurorit të Përgjithshëm, që të vlerësojë ligjërisht dhe objektivisht këto fakte të bëra tashmë publike, duke çmuar objektivisht fillimin e ndjekjes penale, dhe kryerjen e hetimeve të paanshme në lidhje mbi këtë çështje.
Përtej vlerësimit ligjor të sjelljes së Kryeministrit, Lëvizja Socialiste për Integrim, çmon të domosdoshëm kontrollin mjekësor të Kryeministrit, për të verifikuar nëse ai është i aftë mendërisht ose jo, që të kryejë detyrën e Kryeministri pasi dukshëm me këto deklarata ai tregon qartë se nuk është në gjendje të qëndrueshme mendore.
Nëse një tronditje e tillë psikike, vjen si pasojë e panikut, prej fuqisë së rritjes së mbështetjes popullore për LSI, sërish nuk është aspak shkak për përjashtim nga përgjegjësia penale dhe politike.
LSI vijon dhe do të vijojë, të mbrojë fort, parimet e vendosura në Kushtetutën e vendit, në mënyrë që rendi kushtetues dhe parimet bazë të tij të respektohen e mbrohen, dhe institucioni kryesor në realizimin e kësaj çështje është Policia e Shtetit, e cila duhet të qëndrojë profesionale dhe sa më larg çështjeve politike dhe veprimeve mbështetëse ndaj forcave të ndryshme politike.
Ne besojmë fort se Policia e Shtetit në radhët e saj, ka individë me moral të fortë dhe të paanshëm, të cilat nuk preken dhe as ndikohen nga deklarata të tilla të papërgjegjshme të Kryeministrit të vendit.
Paanshmëria politike dhe distancimi nga çdo aktivitet politik, zbatimi i ligjit, mosdiskriminimi, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pavarësia, integriteti, profesionalizmi, merita, kontrolli dhe llogaridhënia, janë parimet bazë që do të duhet ta udhëheqin Policinë e Shtetit.
Lëvizja Socialiste për Integrim, u drejtohet përfaqësive kryesore diplomatike në vend që të ndërhyjnë menjëherë për të ushtruar të gjithë ndikimin e tyre që të mos lejohet përfshirja e Policisë së Shtetit, për të marrë vota për Partinë Socialiste, siç i urdhëroi Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste. Sepse, nëse ndodh që Policia e Shtetit do të përfshihet në fushatën zgjedhore për të marrë vota për Partinë Socialiste, jo vetëm do të krijohet një precedent i rrezikshëm, por mund të krijojë kushte për konflikte me pasoja të paparashikueshme, sepse qytetarët do të jenë të detyruar të mbrojnë votën e tyre nga marrja apo grabitja e punonjësve të Policisë së Shtetit sipas urdhrit të Kryeministrit.
Lëvizja Socialiste për Integrim, nisur nga deklarata e papërgjegjshme e Kryeministrit, e vlerëson mëse të nevojshme dhe aspak të tepërt që Presidenti i Republikës të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar veprimtarinë antiligjore të Kryeministrit të vendit, e cila në thelb përpiqet të keqpërdorë Policinë e Shtetit, dhe duke e kthyer atë në strukture të Partisë Socialiste.
Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh gatishmërinë dhe vendosmërinë e saj për zbatimin e ligjit dhe kërkon prej të gjithë ju distancim nga qëndrimi i papërgjegjshëm i Kryeministrit dhe vlerësimin e kësaj çështje me seriozitet dhe përgjegjshmëri.

Sinqerisht,
PETRIT VASILI
KRYETAR I LSI

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY