PROFIL/Të gjesh punë duke bashkëpunuar me bletët, gratë e Gjinarit me markën...

PROFIL/Të gjesh punë duke bashkëpunuar me bletët, gratë e Gjinarit me markën e tyre

67
0
Shares

E mbrojtur në fytyrë dhe në trup nga një pelerinë e posaçme, Luljeta Mufali zhyt duart e saj të zhveshura në një koshere bletësh-gruaja nga Gjinari i Elbasanit është vetëm njëra prej rreth 30 bletërritëseve të zonës. Gjatë dy viteve të fundit, nëna e tre fëmijëve e ka shtuar numrin e koshereve të bletëve në njëzetepesë, ndërsa shpreson që përmes këtij aktiviteti të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për familjen dhe fëmijët e saj.

Gjinari, rreth 25 kilometra larg Elbasanit është shndërruar në një destinacion turistik tërheqës gjatë viteve të fundit, ku bashkë me bukuritë e natyrës u ofron turistëve edhe ushqimet karakteristike të zonës. Mjalti është njëri prej këtyre produkteve, që falë organizimit të grave bletarritëse në një shoqatë, ka tashmë edhe markën e vet.

Bletaria është një aktivitet tradicionalisht i njohur për Gjinarin, megjithëse para viteve ’90 shumë pak familje kishin koshere bletësh. Gjatë viteve të fundit, punën më të madhe për kujdesin ndaj bletëve e kanë marrë në dorë gratë, që falë edhe ndihmës së siguruar nga organizata UN Ëomen, kanë dhjetëfishuar kosheret dhe mjaltin e prodhuar në këtë zonë.

Rreth një vit më parë, Enti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave në Shqipëri (UN Ëomen) ka mbështetur ngritjen e një grupimi ekonomik me ofrimin e trajnimeve për bletërritjen dhe prodhimin e mjaltit, marketingun dhe menaxhimin e biznesit, duke i aftësuar gratë për të konkurruar në treg në zonën e Gjinarit dhe të Elbasanit.

Anëtaret e shoqatës janë pajisur me mjete të përpunimit të mjaltit. Një vit më pas, ato janë duke vjelur frytet e para të kësaj sipërmarrjeje. Si njëra prej tyre, Luljeta Mufali shpreson se shanset për sukses në këtë organizim të ri janë më të mëdha.

“Besoj se do të na ndihmojnë fakti që jemi organizuar në një shoqatë. Është vetëm fillimi dhe ajo çfarë shpresojmë, është të kemi një treg të sigurt, një pikë grumbullimi, pasi për ne e rëndësishme është ta shesim menjëherë mjaltin që prodhojmë,”-tha Mufali për BIRN.

Përgjatë një viti, gratë e Gjinarit janë trajnuar për të gjitha proceset e kujdesit për bletët si dhe janë mbështetur me pajisje dhe ndihma të tjera. Me nxitjen e organizatës, ato kanë rritur bashkëpunimin mes tyre dhe sfida e përbashkët është tanimë gjetja e një tregu të qëndrueshëm për mjaltin që prodhojnë.

Një varg me koshere bletësh në Gjinar të Elbasanit. Foto:Bardha Nergjoni

Njësoj si Luljeta, edhe Etleva Bërdufi e konsideron kujdesin për bletët si punën e saj të preferuar. Ajo thotë se bletaria nuk është një punë e mundimshme, ndërsa momenti i vjeljes së mjaltit është për të kënaqësia më e madhe.

“Jam shumë e kënaqur nga kosheret. Tashmë kam fituar eksperiencën dhe ia dal në të gjitha proceset. Kam dëshirë që t’i shtoj vit pas viti dhe objektivi im është të eci sa më shumë me bletët,” thotë Bërdufi.

Bletaria është konsideruar më së shumti një zanat i burrave në Shqipëri, por Mark Dedja, veteriner dhe specialist në rritjen e bletëve, e hedh poshtë këtë paragjykim. Mbarështimi i bletëve, sipas tij nuk kërkon shumë mund, por e ka të nevojshëm përkushtimin.

“Bleta ka nevojë edhe për burrat edhe për gratë. Është e gërshetuar puna tek bleta. Ju mendoni se e bëjnë burrat, por mund ta bëjë edhe një grua, pasi është një punë e lehtë. Ka shumë procese pune që nevojiten gratë si vjelja, sistemimi apo përpunimi i dyllit,”tha Dedja për BIRN.

Mark Dedja është njëri prej trajnuesve të grave të Gjinarit si dhe një mbështetës i suksesit të tyre. Ai mendon se organizimi në një shoqatë do t’i ndihmojë ato të gjejnë edhe një treg të qëndrueshëm, duke e rritur vit pas viti këtë sipërmarrje.

Vazot e mjaltit në pritje të klientëve në tregun e Gjinarit. Foto:B.Nergjoni

“Jemi shpresëplotë që bletërritëset e Gjinarit do të bëhen të njohura kudo për mjaltin që mbledhin dhe do të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për familjet e tyre falë bletës,” thotë ai.

Anëtaret e shoqatës së bletërritëseve vijnë nga të gjitha fshatrat rreth Gjinarit dhe mjalti i koshereve ka aroma e shije të ndryshme nga lulet me të cilat bletët ushqehen. Mjalti i kësaj zone është i veçantë, pasi ka shumë bimë medicinale përreth.

Violeta Ahmati është nga Pobrati, një fshat rreth 6 km larg Gjinarit. Ajo ka pasur edhe më parë bletë, por për to kujdesej bashkëshorti. Tashmë me bletët merret ajo dhe e ka marrë me shumë dëshirë t’i shtojë dhe të kujdeset për to.

“Kam pasur edhe më parë bletë, por nuk dija. Tani që jam trajnuar, kujdesem vetë dhe kam shumë dëshirë ti shtoj. E kisha të vështirë në fillim. Kisha pickime dhe ënjtje, por tani nuk e kam problem,” tha Ahmati për BIRN.

Të kënaqura me prodhimin, bletërritëset e Gjinarit i kanë hedhur tashmë sytë drejt gjetjes së një tregu të sigurtë. Deri tani, mjaltin e prodhuar ato e shesin në tregun e Gjinarit, ndërsa një pjesë e ndajnë mënjanë për të afërmit. Megjithatë kjo nuk mjafton.

“Tani që kemi shtuar prodhimin e mjaltit, kemi markën tonë dhe jemi organizuar në një shoqatë, presim më shumë. Duam të marrim frytet e kësaj pune. Shpresojmë. Sapo kemi filluar,” përfundon Violeta Ahmati.
Nga Bardha Nergjoni , BIRN, Gjinar dhe Elbasan

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY