Rama në Turqi, koncesioni i Skavicës në lojë, Kryeministria mohon

Rama në Turqi, koncesioni i Skavicës në lojë, Kryeministria mohon

47
0
Shares

PD-ja ka denoncuar sot, negociatat sekrete të kryeministrit Edi Rama, për koncesionin e hidrocentralit të Skvicës.
“Sot Edi Rama në orët e para të mëngjesit ka udhëtuar drejt Turqisë. Në një ndër hotelet më luksoze të Stambollit ai sot nuk po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare por në një negociatë sekrete aspak transparente, private, me një konsorcium turk i interesuar për koncesionin e hidrocentralit të Skavicës, një ndër veprat më të rëndësishme energjetike në vend me një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike në fushën e energjisë e për pasojë dhe të sigurisë së vendit”, u shpreh nëpërmjet një deklarate Kreshnik Çollaku.
Duke e cilësuar të pazakontë këtë sjellje, Çollaku i ka shtruar disa pyetje kryeministrit, duke i kërkuar të sqarojë opinionin publik
“Duket e pazakontë kjo sjellje e kryeministrit.
Pse duhet kryeministri i vendit të realizojë fshehurazi një negociatë të tillë ?
A është vënë në dijeni dhe a është kërkuar opinioni i qeverisë turke lidhur me konsorciumin?
Pse ambasada e Republikës turke në Tiranë është njoftuar për udhëtimin e kryeministrit vetëm pasi ai ka mbërritur në Stamboll në një formë jashtë çdo protokolli e respekti diplomatik?
Cili është vlerësimi i qeverisë turke për konsorciumin në fjalë?
A është kërkuar opinioni e çfarë vlerësimi ka dhënë Banka Botërore lidhur me aftësitë e kapacitetit të konsorciumit turk?
Pse ka nevojë kryeministri të negociojë hoteleve kur ka zyrat e shtetit dhe një administratë të mirë-paguar që mund të zhvillojë detajet e negociimit?
Pse ka konflikt mes dy ministrave të qeverisë lidhur me negociimin e konsorciumit ?
Përse diplomatët tanë përdoren vetëm për të siguruar kalimet vip në aeroporte dhe nuk janë pjesë e këtyre negociatave?
Kush është sekseri i qeverisë, i negociatës sekrete disa mujore? Sa është përqindja e sekserit qeveritar?
Këto dhe të tjera pyetje janë sot para jush kryeministër. Ju ftojmë të sqaroni opinionin lidhur me to. Opozita ju fton në transparencë. Nëse zgjidhni të heshtni, ne do t’i bëjmë të qartë shqiptarëve çdo detaj të errët e korruptiv të këtij pazari kryeministror, në kurriz të interesave të publikut”, përfundon deklarata e PD-së.

Mohon Kryeministria
Pas kësaj deklarate ka reaguar zyrtarisht edhe Kryeministria. Sipas këtij njoftimi zyrtar, Edi Rama merr pjesë në forumin “Tryeza e Ideve”
“Takimi i sotëm është edicioni i pesëmbëdhjetë i këtij organizimi, ku më parë kanë marrë pjesë si të ftuar nderi autoritete të larta vendase e të huaja në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit. Tema e këtij takimi është ‘Perspektiva partneritetit strategjik Shqipëri Turqi në fushën e Tregtisë dhe Industrisë’. Në takimin e sotëm, ku i ftuari i nderit është Kryeministri shqiptar, do të marrin pjesë mbi pesëdhjetë industrialistë dhe investitorë të mëdhenj turq, në fushën e energjisë, turizmit, manifakturës, bujqësisë e shëndetësisë, si edhe rreth njëzetë përfaqësues të medias së shkruar dhe elektronike turke”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë.
Në përgjigje të akuzave të PD-së, Kryeministria sqaron se vizita është koordinuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Stamboll.
“Për të hequr çdo ‘merak’ të Partisë Demokratike vizita e sotme është koordinuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Stamboll dhe njësoj si në të gjitha rastet e mëparshme do t’i bëhet me dije edhe publikut shqiptar përmes kanaleve të informimit publik.
Me keqardhjen e zakonshme për fjalorin e ulët nga i cili Partia Demokratike nuk ndalet dot, është e udhës të rinënvizohet edhe sot se koha e sekserëve që negocionin në hotelet e botës pasuritë e popullit shqiptar për llogari të pushtetit familjar që shporri vota e popullit shqiptar, ka marrë fund bashkë me atë pushtet në 23 qershor 2013. Por fatkeqësisht ajo kohë është ende në mendjen e atyre që mbajnë peng sot e gjithë ditën opozitën e Shqipërisë, të cilëve u ka ngelur ora te zullumet e vjetra”, përfundon deklarata e Kryeministrisë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY