Ristani: Rama – Meta fshehën kërkesën e Belgjikës për Mark Frrokun, Prokuroria...

Ristani: Rama – Meta fshehën kërkesën e Belgjikës për Mark Frrokun, Prokuroria të hetojë

36
0
Shares

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka denoncuar sot, fshehjen e kërkesë së autoritete të drejtësisë së Belgjikës, tre muaj, për arrestimin e Mark Frrokut.
“Skandalet e këtij pushteti që punon me krimin dhe për krimin nuk kanë të sosur. Një fakt i tmerrshëm doli përsëri në dritë dje, që tregon se deri ku janë zhytur në skemën kriminale, Edi Rama dhe Ilir Meta, në lidhje me akuzat se kryetari i kuvendit ka porositur vrasjen e dy deputetëve. E kanë mbajtur  të kapur dëshmitarin kyç, Mark Frroku, i kanë dhënë imunitet e mbrojtje në kundërshtim me ligjin, derisa ai dha deponimin në favor të Ilir Metës. Më 8 janar të këtij viti, ka mbërritur në Tiranë, dokumenti i Interpol Belgjikës për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frrokut, për akuzat e drejtësisë belge për vrasje. Ky urdhër është mbajtur në sirtar nga zyrtarët e Edi Ramës. Më 23 janar, Interpol i Brukselit, ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e Mark Frrokut. Sërish, zyrtarët e Edi Ramës nuk kanë bërë asnjë veprim”, denoncoi Arben Ristani.
Për Sekretarin e Përgjithshëm demokrat, aktivizimi i strukturave të policisë, pas dëshmisë së Mark Frrokut në favor të Ilir metës, si edhe arrestimet e natës së kaluar të dy drejtuesve të Interpol Tirana, janë përpjekje e turpshme dhe e dëshpëruar, për të nxjerrë të larë, autorët e vërtetë të bllokimit të urdhrit të Interpol Brukseli.
“Vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës. Për të mbyllur këtë skandal të paimagjinueshëm, Drejtori i Policisë ka shkarkuar dhe ka ndaluar dje drejtorin e Interpol Tirana, Artan Bajraktari, dhe një specialiste në këtë drejtori, duke u përpjekur t’u lërë fajin atyre. Kjo është një përpjekje e turpshme dhe e dëshpëruar, për të nxjerrë të larë, autorët e vërtetë të bllokimit të urdhrit të Interpol Brukseli, që janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata penguan drejtësinë e një vendi themelues të Bashkimit Europian, vetëm për të deformuar hetimin ndaj kryetarit të parlamentit, duke kapur dëshmitarin kyç, dhe duke tentuar fshehjen e të vërtetës mbi akuzën më të rëndë të këtyre 25 viteve”, vijoi Ristani.
Duke e cilësuar këtë akt kriminal, Ristani kërkon që Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, të mbajnë përgjegjësi direkte, si dhe i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të nisë hetimet e shpejta e të thelluara.
“Ky është një akt kriminal, i padëgjuar më parë, për të cilin ka përgjegjësi dhe duhet të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm. Ne kërkojmë llogaridhënie të plotë për bllokimin e urdhrit të Interpol Brukselit. Ne i kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm të nisë një hetim të shpejtë e të thellë për të vënë urdhëruesit e fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit, para drejtësisë. Ne inkurajojmë partnerët tanë europianë, palën belge të nxisë transparencë dhe të kërkojë zbardhjen  e kësaj ngjarjeje kriminale. Me këtë akt, Edi Rama i ka futur duart thellë në procesin e hetimit të ortakut të tij Meta, dhe kësaj radhe nuk do t’ia hedhë.
Kjo është një sprovë për ligjin, për drejtësinë, për demokracinë për vendin tonë, që s’mund të mbahet peng i skemave kriminale të Edi Ramës dhe Ilir Metës”, përfundon deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.

 
 
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY