“Biznesi që pasuroi Ahmet Zogun…”

“Biznesi që pasuroi Ahmet Zogun…”

103
0
Shares

Erald Kapri/ (Pjesëz nga libri)

Në pasuritë personale, nuk ka dyshim që pylli i dhënë disa herë me qera ishte më i rëndësishmi, që e ktheu Zogun në një nga më të pasurit e vendit. Dhënia e këtij pylli disa herë në shfrytëzim u bë mesele, të cilën vetë Zogu kishte dëshirë ta tregonte. Pylli i trashëguar i familjes së tij iu dha dy herë italianëve, por kjo, jo për shkak të ndonjë shkathtësie të Zogut.
Më prill të 1919-ës, në Shqipëri mbërriti një sipërmarrës italian, Anxhelo Rixardi Tempini (Angelo Rizzardi Tempini), i cili fare mirë mund të konsiderohet një ndër investitorët e parë të huaj në vend. Tempini ishte i interesuar në biznesin e drurit e pyjeve dhe ia vuri syrin Veriut të vendit, e veçanërisht zonës së Pukës e Matit, të cilat zotëroheshin nga djaloshi Ahmet Zogu. Bashkë nënshkruan një kontratë për “shfrytëzim e prerjesh pyjesh dushku në krahinën e Matit në zonën Pukë- Burrel-Kulla-Pashë”. E hulumtuar e plotë prej historianit Tanush Frashëri në arkivat italiane, është zbuluar se Zogu mori në dorë 200 mijë lireta si dhe të ardhura të tjera.

Por, në vitin 1923, kjo marrëdhënie biznesi po lakmohej nga drejtuesit e Hekurudhës Shtetërore Italiane, të cilët ndërhynë deri te Musolini, i cili, me sa duket, ndikoi që sipërmarrësi italian ta linte në mes prerjen e pyllit të Zogut, për t’ia kaluar ndërmarrjes shtetërore të Hekurudhës. Në nëntor 1923, Zogu nënshkroi kontratën e shfrytëzimit të pyllit me ndërmarrjen italiane në shumën e 1.7 milionë liretave, nga të cilat mori parapagim 700 mijë lireta. Në prag të zgjedhjeve politike të fundit 1923, Zogu nuhati se çështja e pyllit mund të përdorej sërish, për të financuar fushatën politike dhe mijëra njerëzit e armatosur që e ndiqnin nga pas.

Përmes sipërmarrësit Xhuzepe Kleriçi (Guiseppe Clerici), Zogu kërkoi mbështetje me 2 milionë lireta, qoftë edhe si parapagim për pjesën tjetër pyjore që zotëronte ende. Italianët i dorëzuan 950 mijë lireta, e madje të kënaqur duke menduar se “Zogu do të paguajë vetë shpenzimet e fushatës së tij”. Një tjetër pagesë iu bë Zogut nga italianët në fillimin e vitit 1925, me ndërmjetësimin e Myfid Libohovës, por mbetet e paqartë nëse këto para ishin për Republikën që pritej të formohej apo kontribut për të parin e vendit. Këto shuma parash ishin marramendëse për kohën dhe ndikuan fort në rritjen politike të Zogut.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY