‘Majat e Ballkanit’, shtegu që bashkon tri vende përmes aventurës

‘Majat e Ballkanit’, shtegu që bashkon tri vende përmes aventurës

1393
0
Shares

“Ishte një një udhëtim vërtet i shkëlqyeshëm. Le ta përmbledhim: peisazhe plot thyerje, natyrën unike dhe të ruajtur, njerëz të ngrohtë dhe mikpritës, gastronomi të shijshme, rasti për të zbuluar një kulturë të ndryshme jo aq larg prej nesh… Të gjitha janë këtu në Majat e Ballkanit për t’u bërë një Shteg i Madh i Ecjes në Evropë! Ende ka disa gjëra për tu përmirësuar (sistemi i shënjimit, ndoshta?) cilat I mbajnë këtë Shteg të mos jetë i arritshëm për të gjithë. E cila ndoshta nuk është aq e keqe tani për tani…”.

Pjesa ku shtrihet shtegu në hartën e Ballkanit jugperëndimor

Harta e shtegut 'Majat e Ballkanit"

Harta e shtegut ‘Majat e Ballkanit”

Ky është përshkrimi që i bëhet një prej shtigjeve më të reja të turizmit malor në Evropë, ‘Majat e Ballkanit”, nga një faqe informimi për turizmin në Francë pasi 2 nga guidat e kësaj agjencie kryen udhëtimin e gjatë në 10 ditë dhe gjatësi 190 km, Një shteg që qarkon Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën në zonën e Alpeve ka zgjuar vëmëndjen dhe interesin e mijëra turistëve që preferojnë malet në të gjithë botën. ‘Pics of the Balkans’ sic njihet nga të huajt është një ndër destinacionet më të reja e ndërkohë edhe më tërheqëse në këtë zonë të Ballkanit Perëndimor.

Pamje nga droni te nje pjese te majave nga kalon shtegu “Majat e Ballkanit”

Pak nga banorët e të tri vendeve e njohin si të tillë ndërkohë që deri tani ka më shumë se një guidë të shkruar nga të huajt vetëm për këtë shteg. Nga të paktën 15 intervista që janë bërë me drejtues të pushtetit vendor në lidhje me turizmin malor në Shqipëri, Kosovë dhe malin e ZI, vetëm 2 prej tyre kanë përmendur këtë shteg si një pasuri turistike për zonën e tyre.

Shtegu ndër më të gjatit në rajon mund të ketë shumë pikënisje por ndoshta ndër më të preferuarat është ajo që nis nga Thethi në Shqipëri. Gjithë shtegu mund të përshkrohet në këmbë për rreth 1 javë deri në dhjetë ditë varësisht nga ecjet ndërkohë që e ndarë në ditë është si vijon:

Dita e parë: lëvizja nga Thethi në Valbonë, një shteg që të ngjit në maja mbi 2000 metra mbi nivelin e  detit dhe një pjesë e ecjes është në këto lartësi për të zbritur më pas në 1200-900 në Valbonë.

Grafikë e shtegut Theth-Valbonë (burimi:https://shoesyourpath.com/peaks-of-the-balkans)

Shtegu mund të përshkohet në rreth 7-9 orë dhe përgjatë rrugës nuk ka asnjë pikë ku mund të furnizohesh me ushqime ndërsa uji merret nga burimet përgjatë shtegut ose nga bora e shkrirë. Gjatësia e shtegut është 19.5 km por vështirësia është në ngjitjen dhe zbritjen e tij që është më shumë se 1000 metra lartësi nga vendi i nisjes.

Pamje nga Lugina e Valbonës

Ditën e dytë shtegu përshkohet në segmentin tjetër nga Valbona në Çerem. Shtegu është i gjatë 14 km dhe mund të përshkohet në 7-10 orë në varësi të shpejtësisë së ngjitjes. Në këtë shteg është edhe pika më e lartë e ecjes në “Majat e Ballkanit”, rreth 2100-2200 metra në afërsi të majës së Kollatës.

Grafikë e shtegut Valbonë-Cerem (burimi:https://shoesyourpath.com/peaks-of-the-balkans)

Përgjatë ecjes, varësisht nga stina apo muaji mund ta hasni në bimë endemike që rriten vetëm në këtë pjesë të Shqiëprisë sic është Lila shqiptare (lilum albanicum) një lule e verdhë që rritet në afërsi të larave të borës në muajt maj dhe qershor. Ka dy rrugë që mund të ndiqni drejt Çeremit. Për ata që nuk preferojnë shumë lartësitë e mëdha rruga merret nga Valbona në afërsi të Dragobisë dhe më pas ngjitet drejt Çeremit. Ndërkohë tjetra është më e vështirë, kalon në majën e Posllopit dhe hyn në territorin e Malit të Zi për të ecur pak kilometra në këtë pjesë dhe kthehet sërish në pjesën shqiptare të shtegut drejt Çeremit.

“Zbritja në Çerem është mjaft e vështirë. Është një rrugë formacionesh të mprehta karstike, shumë e pjerrët dhe e rrëshqitshme nëse është e lagur. Nuk është e lehtë të gjesh ekuilibrin e duhur nëse ke edhe një cantë të rëndë shpine.

Lugina e Valbonës, shtegu kalon përmes luginave që shpesh mbajnë borë edhe në verë

Lara bore mbulojnë pjesë të kësaj rruge të ashpër, duke e bërë atë edhe më të rrezikshme. Shtegu mund të kthehet edhe në vdekjeprurës në rast të një stuhie të papritur ose mjegulle të dendur”, përshkruan një nga guidat turistike të M. & Mme Shoes, kalimin e këtij shtegu.

Dita e tretë vijon me udhëtimin nga Çeremi në Dobërdol i cili është 15-16 km dhe kryhet për rreth 7 orë. Është ndër shtigjet më të lehta të “Majave të Ballkanit” pasi përshkon lëndina dhe lugina por me pamje të mrekullueshme.

Grafikë e shtegut Çerem-Dobërdol (burimi:https://shoesyourpath.com/peaks-of-the-balkans)

Po ashtu pushues verorë janë të vendosur në disa prej këtyre bjeshkëve që përshkon shtegu duke mos e ndjerë vetminë.

Stane ne Bjeshkët e Tropojës

Përmes rrugës përshkrohen ato që njihen si Bjeshkët e Krasniqes, një ndër pllajat më të bukura të Tropojës, si Balcina, Gjarpni, Mullareka, etj.

Pamje nga bjeshkët e Krasniqes

Dita e katërt vijon me udhëtimin nga Dobërdoli në Milishevc, një shteg që përshkon Shqipërinë, Malin e  Zi dhe Kosovën duke ndriçuar më shumë se kudo filozofinë e këtij shtegu, qarkullimin mes tri vendeve që ajnë më të izoluara se askund tjetër në këto male. Shtegu  është i gjatë 23 km dhe ngjitet në një prej majave më të larta të “Majave të Ballkanit”. Ai mund të përshkruhet për rreth 10 orë ndërkohë që gjithnjë je i shoqëruar me pamje të mrekullueshme lëndina, lugina, pyje dhe maja që të impresionojnë, nëse ke fat dhe koha është me diell.

Grafikë e shtegut Dobërdol- Milishevc (burimi:https://shoesyourpath.com/peaks-of-the-balkans)

Është e rëndësishme të shmangësh udhëtimin në mjegull pasi humbet shtigjet dhe je gjithnjë në rrezik.Një pjesë e mirë e udhëtimit kryhet në rreth 2000 metra lartësi, kështu që i ftohti është shoqërues i përhershëm. Pikërisht në këtë shteg, jo shumë larg nga Dobërdoli është Trikufiri, pika ku bashkohen kufinjtë e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës.

Piramida që ndan kufirin Shqipëri -Kosovë në Posllop

Rrugës has në bjeshkën e Rroshkodolit, ku për nga komoditeti i bujtinave dallimi është mjaft i madh me ato që ndodhen në zonën e Shqipërisë. Mustaf Mehmetaj, fermer, fermer nga Isniqi në bjeshkën e Rroshkodolit)

Pamja grafike e ngjitjeve dhe zbritjeve në segmentin Dobërdol-Milishevc (burimi:picsofthebalkans.com)

Në fund arrihet në Milishevc pasi kalon përmes një pylli të thiktë përgjatë një ecje gati dy orë.

Nëse llogarisni dy ditë në fazën tjetër të ecjes është ajo nga Milishevc në Reka e Allagës rreth 17 km që kalon përmes Rugovës. Pikërisht kjo pjesë siguron një pushim më të rehatshëm për shkak se mund të gjendet akomodim i një cilësie të lartë si dhe ushqim i disa kategorive përfshirë edhe atë tradicional.

Pamje nga Bjeshka e Dobroshit, pjesë e shtegut në Kosovë

shtigje

Nga Reka e Allagës deri në Kuqishtë është rreth 23 km, por një shteg i lehtë, një pjesë e të cilit mund të bëhet edhe më makinë nëse shihet e arsyeshme. Përgjatë shtegut në pjesën e Kosovës, bjeshkët që përfshihen në udhë janë më të urbanizuara, bujtinat më komode dhe lehtësitë më të mëdha në gjetjen e ujit, komunikimit etj. Guidat sugjerojnë që ky segment i shtegut të bëhet për dy ditë, çfarë do të siguronte pushim të nevojshëm për të marrë rrugën e kthimit por nëpër shtigje të reja drejt pikës së nisjes në Theth, kësa here përgjatë bjeshkëve dhe fshtarave në Malin e Zi.

Pamje me dron nga bjeshka e Dobroshit, Kosovë

Harta e rrugës Pejë-Plavë, rruga automobilistike i vjen rrotull bjeshkëve të të dy vendeve dhe rrethon segmentin e shtegut nga Kuqishta deri ne Plavë

Segmenti tjetër është nga Kuqishat në Babino Polje rreth 16 km me ngjitje në lartësi mbi 2000 metra dhe ndërkohë shoqërohet me pamje mahinitëse të luginave dhe liqeneve akullnajorë.

Pamja grafike e ngjitjeve dhe zbritjeve në segmentin Babino Polje-Plavë (burimi:picsofthebalkans.com)

Më pas shtegu vijon nga Babino Polje drejt Plavës me një gjatësi prej 20 km. Këtu duhet patur parasysh që në afërsi të Liqenit Hrid nuk lejohet kampingu dhe nuk mund të ngreni çadër duke u konsideruar si pjesa më e mbrojtur e asaj që quhet Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Malit të Zi, (Prokletije National Park).

Ne sfond, pjese nga parku kombetar i bjeshkeve ne Mal te Zi

Segmenti i parafundit i shtegut është ai nga Plava në Vuthaj rreth 27 km që përfshin edhe kalimin përmes majës më të lartë të shtegut, majës së Kollatës rreth 2500 metra (maja e Keqe). Gjithë ky shteg bëhet për rreth 11 orë. Në Malin e Zi shtigjet janë të shënuara me një rreth të kuq dhe hapësirë të bardhë brenda tij, ndryshe nga Kosova që janë dy viza të kuqe dhe në mes tyre një vizë e bardhë ndërsa Shqipëria që ka dy viza të bardha paralel dhe në mes një vizë e kuqe.

Pamja grafike e ngjitjeve dhe zbritjeve në segmentin Plavë -Vuthaj (burimi:picsofthebalkans.com)

Udhëtimi nga Vuthaj (https://facebook.com/Vuthajj/) në Theth është segmenti i fundit dhe një prej segmenteve më të gjata të “Majave të Ballkanit”, gati 21 km dhe përshkohet për të paktën 8 orë. Udhëtimi nis nga Mali i Zi dhe kalon në kufi në një lartësi afro 2000 metra ndërkohë që pamjet janë mahnitëse. Gjatë rrugës ka mundësi për të paktën dy pikëndalime ku mund të merrni ndonjë kafe prej banorëve verorë në stane. Njëri është sapo kalon në afërsi të Jezercës dhe tjetri afër Liqenit të Pejës, ofro 2 orë pa arritur në Theth.

Grafikë e shtegut Vuthaj-Thesh (burimi:https://shoesyourpath.com/peaks-of-the-balkans)

Sfidat e kalimit të kufirit

Turistët e huaj që udhëtojnë përgjatë shtegut “Majat e Ballkanit” u duhet të kalojnë të paktën tre herë kufijtë e tre vendeve, por në disa raste edhe më shpesh. Të gjitha pikat zyrtare kufitare ndodhen jashtë hartës së shtegut.

Për këtë arsye qeveritë e tre vendeve kanë krijuar lehtësi në procedurat e kalimit të kufiirit në zona ku nuk ka pikë kalimi apo pikë kontrolli zyrtare. Lehtësitë janë bërë që në fillimet lëvizjes në këtë korridor. Dhe ndoshta kjo është masa e vetme ndërqeveritare më e plotë dhe më e përgjegjeshme në lidhje me zhvillimin dhe rritjen e fluksit të turistëve që preferojnë këtë shteg të gjatë të ecjes. Është edhe momenti i parë kur në tre vendet është shfaqur njëfarë bashkëpunimi, kësja here në procedurë, por që lehtëson turistët dhe agjencitë turistike nga një barrë e madhe burokratike.

kosove kalimi i kufirit (Formulari që përdoret në Kosovë për kalimin e kufirit jozyrtar mes këtij vendi dhe Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë)

application_form montenegro (Formulari që përdoret në Mal tw Zi për kalimin e kufirit jozyrtar mes këtij vendi dhe Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës, Serbisë)

Turistët mund të kalojnë kufijtë në male në pikat e kalimit jozyrtar, por ata duhet të marrin lejen e veçantë paraprakisht nga Autoritetet Kufitare në vendet përkatëse (Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi). Ata duhet të aplikojnë në vendin nga po largohen. Një formular aplikimi mund të gjendet në internet dhe pas plotësimit i dërgohet Autoritetit të Kalimit Kufitar (Stacioni Policor) në zonën që dëshirojnë të vizitojnë. Aplikimi duhet të dërgohet të paktën 15 ditë para se të udhëtoni në zonë. Ndonjëherë mund të duhet më pak kohë.

Sugjerohet që grupet të kenë një guidë dhe formulari në këtë rast është thjesht një procedurë e thjeshtë për turistët. Të dhënat deklarohen nga guida ndërsa turistët japin vetëm emrin dhe numrin e pasaportës.

Formulari mund të gjendet në disa adresa veç asaj të policisë dhe pothuajse të gjitha agjencitë turistike e kanë formularin në faqet e veta.

Një ndër specialistët e turizmit në zyrën e informacionit në Plavë, Emir Feratovic e konfirmon procedurën. Ai thotë se turistët aplikojnë për leje kalimi që në fakt është thjesht një njoftim për autoritetet dhe kaq është e mjaftueshme.

Zyra për informim turistik në Plavë, në foto specialisti i zyrës, Emir Feratovic dhe grupi i gazetarëve të droni.al

Përgjatë viteve para së të shënohej ky shteg është shënuar një histori tragjike. Në vitin 2001, tre studentë çekë u zhdukën në Malësinë e Madhe një zonë në kufi me shtegun aktual dhe mëgjithë përpjekjet e policisë për vite me rradhë nuk është gjetur asnjë gjurmë prej tyre. Jan Pavelka, Mihal Pavelka dhe Lenka Tuçkova humbën kontaktet në 2001,dhe se sot e kësaj dite fati i tyre vijon të mbetet mister. Ambasada çeke në Tiranë vendosi pak vite më parë një shumë 50 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion, ndërkohë që shumë kontrolle policore janë kryer në zonën e Alpeve, por pa rezultat.

Në pikat kryesore të qëndrimit të turistëve si në Theth, Valbonë, Plavë, etj ka qendra shëndetësore për të ndihmuar turistët në rast nevoje. Një turist u rrëzua para pak muajsh në Valbonë dhe helikopteri e mori atë në vendin ku u rrëzua për një ndihmë më të specializuar në Tiranë.

Mund të gjesh mjaft informacion në internet tashmë në lidhje me “Majat e Ballkanit”. Agjenci të ndryshme turistike në shumë vende të Evropës përfshirë edhe ato më të mëdha si Lonelyplanet kanë përshkrim me të dhëna të bollshme në lidhje me “Majat e Ballkanit”. Ndërsa informacioni bazë mund të merret në adresën peaksofthebalkans.com , e cila menaxhohet nga themeluesit e shtegut që janë Agjencia Gjermane për Zhvillim dhe Koperim, GIZ dhe parnerët e saj lokalë dhe qeveritarë në Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi.

“Në këtë mal takova 2 ndër njerëzit më të mrekullueshëm…”

 “E gjejmë strehimin në Bujtinën e Kujtimit, ku jemi mirëpritur shumë mirë nga Laura dhe burri i saj. Ata me të vërtetë janë një çift i adhurueshëm. Laura është gjithashtu një kuzhiniere e mahnitshme! Është shumë bukur të shijosh një vakt të përzemërt përpara panoramës së bukur të majave të Ballkanit”, thotë një nga guidat turistike të M. & Mme Shoes, Deborah.

“Sa bukur të pish një filxhan çaj të ngrohtë pranë oxhakut! Dhe për të marrë një dush të nxehtë! Atmosfera është vërtet relaksuese, e ndriçuar butësisht nga drita e kandilit. Ne e ndajmë vendin me John dhe Alyson. Mikpritësi ynë, një zonjë bukuroshe dhe një kuzhinier i mahnitshëm, ka përgatitur një darkë malore të përzemërt”, shkruan M. & Mme Shoes per qëndrimin një natë në Rroshkodol.

Një cift turistësh të rinj nga Austria po kalojnë një nga pjesët më të rrezikshme të shtegut Majat e Ballkanit, pjesën nga Valbona për në Çerem, shtegu verior i kësja rruge. Tek Rrgalla e Dozhlanit kanë qëndruar një copë herë me Rrushen dhe Selimin, të vetmit banorë të stanishtës.

Dy të rinjtë nga Austria po bisedojnë me gazetarin Bucpapaj në Rrgallën e Dozhlanit

“Në këtë mal takova 2 ndër njerëzit më të mrekullueshëm që kam takuar ndonjëherë , Selimin dhe RRushen”, thotë njëri nga të rinjtë.

Ndërsa një turist nga Luksemburgu, Eric  ka zgjedhur të pushojë një ditë në Theth. Ai është i shoqëruar nga 14 kolegë të tij dhe duket se po ia kalojnë shumë mirë. Janë shtruar tek një nga bujtinat e Thethit dhe i zoti i shtëpisë i qeras me raki dhe ndërkohë i mbyt me histori turistësh.

“Është shumë e lehtë të udhëtosh në këtë vend. Në vendet perëndimore ne dëgjojmë se Shqipëria është vend i mbyllur. Jam i impresionuar nga mikpritja. Unë e pëlqej ushqimin, është i bërë në mënyrë të thjeshtë, ka shumë zarzavate , mish dhe peshk. Është perfekt. Unë do ta rekomandoj vizitën në Shqipëri…. Duhet të mirëmbani dhe përmirësoni infrastrukturën, të mblidhni plehrat dhe të mbani pastër vendin tuaj”, thotë Eric.

Tim Neville, një gazetar free lance që shkruan në mënyrë frekuente tek  The New York Times thotë se nuk do të harrojë kurrë mbresat që i ka lënë udhëtimi në “Majat e Ballkanit”.

“Unë me të vërtetë nuk e dija se çfarë do të gjeja përgjatë udhëtimit nëpër Mal të Zi, Shqipëri. Do të na duhej pak më gjatë nga sa kishim planifikuar të kalonim malet, por ia vlente edhe përpjekja. Kisha ndjenjën se Thethi ishte një nga ato komunitete malore të dënuara të vdisnin. Por pashë të gjitha bujtinat që zhvillonin tashmë një ekonomi të re, me besim, në një mjedis kaq të mrekullueshëm.

Kaluam natën në një bujtinë dhe shpejt u gjetëm rreth një tryeze të rëndë druri, duke ngrënë djathë malor, duke pi raki shtëpie dhe biseduar me pronarin që fliste një anglishte të mirë. Ai na tregoi sesi kishte vendosur të kthehej nga puna në Itali në shtëpinë e tij të fëmijërisë në Theth, ku do ta shndërronte ndërtesën e gurtë në këtë bujtinë të mrekullueshme. Ishte një përvojë kaq e këndshme dhe vendosa të kthehem në rajon sërish në dimër, vetëm për të parë zonën e mbuluar në dëborë dhe për ta eksploruar në ski. E mrekullueshme”, thotë Neville.

Tom Buncle , drejtori i Menaxhimit në Yelloë Railroad Ltd, një angjenci këshilluese për udhëtimet,  (yellowrailroad.com) thotë se shtegu është i mrekullueshëm, shënuar mirë ndërsa përgjatë tij ka plot vende pushimi ose shtëpiza ku mund të pini dicka nga banorët.

Tom Buncle

” Qëndrimet nëpër shtëpiza ishin të rehatshme, ushqimi i freskët, gatim shtëpie dhe i bollshëm, siç ishte edhe rakia … një dicka mëse e nevojshme në fund të ditës për një një trup të lodhur dhe një shpirt të uritur për një shoqëri të madhe. Edhe pse ne nuk mund të flisnim gjuhën, mikrpitësit na bënë të ndiheshim sikur të ishim pjesë e familjes. Pikat kryesore për mua ishin: ushqimi i gatuar në shtëpi; shtëpitë karakteristike; mikpritja nga banorët lokalë; peizazh mahnitës dhe i egër; dhe shoqëria e çmendur në fund të çdo dite – një shije e vërtetë dhe një pamje e vecantë për Shqipërinë rurale … Ishte gjithçka “lokale”, natyrore, “e vendit” , në atë mënyurë e cila po zhduket shpejt në të gjithë Evropën sot. Zonat e largëta rurale shpesh e kanë të vështirë të mbeten gjallë. Turizmi, jo fabrikat, është shpesh përgjigjja. Duket sikur ky shteg ishte një rrugë shpëtimi për këto komunitete ”, përshkruan Buncle.

Stephanie Jörg, një drejtuese e një kompanie udhëtimesh në Gjermani thotë se ecja në shtigje nga Mali i Zi për në Shqipëri u prit shumë mirë në vitin e parë. “Reagimet nga klientët ishin jashtëzakonisht pozitive dhe të ftuarit tanë u mahnitën veçanërisht nga rruga e jashtëzakonshme, transnacionale, peizazhi origjinal, i izoluar në malet e Shqipërisë së Veriut, mikpritjen në bujtina dhe ushqimi i shijshëm në restorantet”, thotë Jorg.

Shtegu ka përshkrime të rralla nga udhëtarë të ndryshëm duke përmbushur cdo arsye për të qenë në një destinacionet e tyre sërish në të ardhmen

“Një nga zonat e pakta të egra të Evropës, ku njeriu takon ujkun, ku agimi i pacenuar ju befason sipër mjegullës, ndërsa po admironi majat e mrekullueshme që dalin nga një det resh. Këto janë vetëm përshtypjet e para që më vijnë në mendje kur mendoj për malet dhe luginat midis Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë”. Kështu e përshkruan shtegun,Luca Lietti, e shoqatës Trentino me Ballkanin. (Association Trentino with the Balkans)

Ndërsa një koleg i saj shton se edhe njerëzit nuk janë më pak befasues në mikpritjen e tyre se sa malet ku ata jetojnë.

“Ishte një befasi e vërtetë të zbulosh vende të tilla mahnitëse, lugina me një bukuri të jashtëzakonshme dhe një peizazh të madh natyror, dhe ndërkohë të takosh njerëz të cilët ende jetojnë në një mënyrë autentike në një harmoni të përsosur me malin; gjë që e ka bërë të papritur këtë përvojë dhe ka ngjallur interes të madh, e sigurisht edhe të këshillueshme për ekskursionistët me kërkesë të lartë ”, shkruan Tarcisio Deflorian e Klubit Italian të Alpeve.

Çfarë fshihet përtej shtegut, është edhe më e hijshme

Por a është shtegu “Majat e Ballkanit” ai që ka përfshirë të gjitha bukuritë  që ofrojnë të tre vendet në pjesën e Alpeve. Shumë prej këtyre bukurive qëndrojnë në anë të shtegut, përtej tij dhe nuk janë të përfshirë në udhën që ndjek. Ky anashkalim ka bërë që turistët veçmas ata të huaj të rrezikojnë duke lëvizur në zona ku shtigjet nuk janë shënuar nëse kanë ndërmend të eksplorojnë përtej.

Në natyrën e udhëtarëve në male, shumica e tyre lëvizin të vetmuar ose në grupe prej 2-3 vetash çfarë e bën edhe më të vështirë udhëtimin larg prej shenjave të shtegu të njohur.

Jo më shumë se 30 minuta ecje në këmbë prej pikës së Trekufirit, pjesë e shtegut të “Majave të Ballkanit”, ndodhet mali i Shkelzenit, një ndër malet më të bukura, madhështore dhe shumë specifike për nga pamja.

Mali i Shkelzenit i pare nga Tropoja e Vjeter

Ecja kryhet në majat e bjeshkëve të Sylbicës dhe Pojanës në Tropojë në një lartësi rreth 1800 metra duke të ofruar një pamje përmbledhëse të luginave të lumenjve të Tropojës, e Lumës së Gashit ndërkohë që në krahë të shtegut shtrihen bjeshkët e Pojanës, Sylbicës, Rreshkëzes në jug dhe Dobërdolit e Herushtës në veri.

Fotogaleri, bjeshka e Sylbicës, Tropojë

Në të dy bjeshkët ka banorë përgjatë muajve të verës dhe bujtinat e para me gur kanë nisur të ndërtohen perveç staneve që përdoreshin dukur nga barinjtë.

Fotogaleri, bjeshka e Pojanës, Tropojë

Nëse udhëtari dëshiron të ndryshojë drejtim nga Shtegu mund të zbresë poshtë në Luginën e Tropojës në drejtim të Tropojës së vjetër, një ndër luginat më sekrete, pothuajse e paprekur nga turistët por befasuese, shpeshherë e ngushtë vetëm disa metra mes Malit të Shkelzenit që bie thike mbi lumë dhe thepave gri të Ujezës, gati 2000 metra mbi kokë.

Pamje nga Padeshi, majat dhe lugina e Lumit te Tropojes

Ka ende per te eskploruar #turizmimalor #picsofbalkan #vendimdemaj

Publiée par DRONI.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve sur Lundi 4 novembre 2019

Në krahun perëndimor mund të marrësh luginën e lumit të Gashit, pasuri e UNESCO, e pafutur në hartat turistike dhe një ndër vendet më të mbrojtuar nga dëmi i kalimtarëve në Shqipëri. Qindra specia të rralla bimësh por edhe kafshësh i gjen në këtë luginë e cila mund të përshkorohet vetëm më këmbë dhe në disa shtigje është mjaft vështirë të kalohet.

Në anën juglindore të Trekufirit janë bjeshkët e Ujezës, një pllaje tjetër e banuar gjatë verës me mbi 100 stane ku mund të gjesh edhe një klub dhe një restorant veror me gatime të çastit apo familjare.

Më në jug është Mali i Rebes dhe më pas Padeshi në një lartësi 1100 metra. Padeshi është një pllaje e rrethuar me pyll dhe në veri Mali i Rebes, ngjitur më të është Dushmani një zbritje thikë për më shumë se 1500 metra, përballë malit të Shkelzenit. Përveç banorëve vendas nuk besohet se këtë pamje kaq të rrallë ta ketë shijuar ndokush tjetër.

Ndërkaq në Luginën e Valbonës po zë fill një tjetër shteg, ai i luginës së Motinës i cili shumë shpejt mund të konsiderohet si një prej destinacioneve magjepsës. Lugina degëzohet me Luginën e Valbonës dhe vazhdon për rreth 7 km në drejtim të majës së Hekurave dhe Jezercës. Është pothuajse e pashkelur, e pamenaxhuar nga agjencitë turistike, por me një pasuri të rrallë të florës. Udhëtimi vijon kryesisht në pyje me ah dhe pishë ndërsa më pas terreni bëhet shkembor, kryqëzuar me pllaja dhe lëndina plot gjelbërim.

Pamje me dron, Lugina e Motinës

Artikulli është përgaditur nga stafi i Droni.al. Teksti, fotot, videot janë përgaditur nga gazetarët: Ismail Bucpapaj, Shqipëri; Islam Haxhiu, Kosovë; redaktor: Sami Nezaj

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY