Fakulteti i Shkencave të Natyrës hedh poshtë argumentat e Bashkisë, ngrihen kambana...

Fakulteti i Shkencave të Natyrës hedh poshtë argumentat e Bashkisë, ngrihen kambana alarmi për Kopshtin Botanik

41
0
Shares

Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka hedhur poshtë argumentet e bashkisë së Tiranë për transferimin e pronësisë së Kopshtit Botanik, duke i cilësuar drejtuesit e pushtetit vendor si të paditur dhe duke i kërkuar që të ndalin fyerjet ndaj stafit akademik të Universitetit të Tiranës.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp të martën Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Këshilli Studentor i FSHN-së dhe Sindikata e Punonjësve të Universitetit të Tiranës pranë këtij fakulteti, kanë ngritur shqetësimin se drejtuesit e qeverisë dhe të bashkisë Tiranë – të cilët kanë orkestruar transferimin e pronësisë së Kopshtit Botanik nëpërmjet një vendimi të debatueshëm, kanë padije të theksuar mbi krijimin, bazën ligjore dhe funksionin e Kopshtit Botanik.

Deklarata e Fakultetit vjen pas debateve politike në media rreth një vendimi të Këshillit të Ministrave për t’i transferuar pronësinë e Kopshtit Botanik nga Universiteti i Tiranës në bashkinë e kryeqytetit. Ky vendim është kundërshtuar nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, i cili ka bërë dhe një padi në Gjykatën Administrative të Apelit kundër vendimin të Këshillit të Ministrave.

“Duke u distancuar nga politizimi që palët në pushtet dhe opozitë duan t’i bëjnë kësaj çështje… trupa akademike e FSHN-së kundërshton në tërësinë e saj VKM 590/2019, që i heq të drejtën e administrimit dhe pronësisë intelektuale Universitetit të Tiranës, FSHN-së  dhe Qendrës së Kërkimit të Florës dhe Faunës mbi Kopshtin Botanik,” deklaroi Fakulteti.

Sipas FSHN-së ky vendim i Këshillit të Ministrave nuk ka bazë ligjore, përkundrazi shkel ligjet dhe të drejtat që kuadri ligjor i garanton institucioneve të arsimit të lartë, pasi cënon në mënyrë të paprecedentë të drejtat e Autonomisë Universitare, grabit me forcën e pushtetit pasurinë intelektuale, si dhe minon Paktin për Universitetin.

FSHN gjithashtu se vendimmarrja e qeverisë që ka çuar në vendimin për transferimin e Kopshtit Botanik nuk është transparente dhe demokratike. Fakulteti akuzon Ministrinë e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë së ka dështuar të mbrojë interesat e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor.

“MASR ka kërkuar nxjerrjen e kësaj VKM-je pa u konsultuar me Universitetin e Tiranës, FSHN, QKFF dhe organet e zgjedhura kolegjiale si Senati Akademik dhe Bordi Administrimit,” shprehet FSHN.

Sipas Fakultetit MASR nuk ka bërë transparencë mbi argumentet mbi të cilat është mbështetur për t’i transferuar një institucion universitar pushtetit vendor.  FSHN ve në dukje që edhe ftesave për debate televizive Ministria e Arsimit i është përgjigjur në mënyrë negative duke argumentuar se nuk ka specialistë për këtë çështje.

Bazuar në këtë përgjigje të MASR, Fakulteti i Shkencave të Natyrës pyet: “Me çfarë specialistësh e morrët vendimin për të shndërruar një Bankë Kombëtare të Gjenofondit në një park urban?”

Sipas FSHN-së vendimi i qeverisë nuk ndihmon në përmirësimin e Kopshtit Botanik, përkundrazi tjetërson në themel funksionin e këtij institucioni kërkimor shkencor, mësimor dhe edukativ duke e kthyer në park rekreativ. FSHN nënvijëzon se bashkia e Tiranës nuk e ka “as mision, as funksion dhe as kapacitetet” që të administrojë një institucion të arsimit shkencor.

Në përfundim FSHN i kërkon kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku të tërheqin dhunën verbale mediatike dhe fjalorin poshtërues ndaj stafit të fakultetit.

“Kjo gjuhë nuk i shërben dialogut konstruktiv dhe frymës së bashkëpunimit midis institucioneve tona,” përfundoi FSHN.

Burimi: Reporter.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY