“Pasurimi i historisë siç nuk e keni parë”, Bido jep lajmin e...

“Pasurimi i historisë siç nuk e keni parë”, Bido jep lajmin e madh: Arkivit të shtetit i shtohen dokumenta unikë

123
0
Shares

Drejori i Arkivit Qendror të Shtetit  ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për publikun shqiptar, duke treguar se pas 3 viteve perpjekesh, ky institucion do të pasurojë historinë.

Ardit Bido tregoi para mediave se më shumë se 350 mijë fletë dokumente që datojnë nga shekulli i 15 deri në çerekun e parë të shekullit të XX mbi Shqipërinë dhe shqiptarët janë marrë nga Arkivi Qendror i Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll në formë dixhitale, kjo falë marrëveshjes së bashkëpunimit që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka me Arkivin Qendror të Stambollit për shkëmbimin e dokumenteve arkivore nga të dyja palët.

Duke listuar përmbajtjen unike të disa prej dokumentave historikë, Bido thotë pjesa tjetër e materialeve të tjera po ashtu janë shkresa, urdhëresa dhe fermane që japin një pasqyrë për zhvillimet politike dhe shoqërore të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane, ndërsa ka edhe të dhëna biografike të Ismail Qemalit si nëpunës i administratës osmane.

POSTIMI I PLOTE

Pasurimi i historisë siç nuk e keni parë😅

Tre vjet përpjekje, por ia dolëm. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka kënaqësinë të njoftojë të gjithë shqiptarët mbi pasurimin më të madh të Arkivit Qendror Shtetëror me dokumente mbi historinë tonë kolektive kombëtare, të ndodhur në një dhurim të vetëm.

Më shumë se 350 mijë fletë dokumente që datojnë nga shekulli i 15 deri në çerekun e parë të shekullit të XX mbi Shqipërinë dhe shqiptarët janë marrë nga Arkivi Qendror i Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll në formë dixhitale, kjo falë marrëveshjes së bashkëpunimit që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka me Arkivin Qendror të Stambollit për shkëmbimin e dokumenteve arkivore nga të dyja palët.

Kjo shumë përbën përafërsisht gjysmën e të gjithë dokumenteve që Arkivi I Stambollit ka mbi Shqipërinë dhe shqiptarët dhe që pjesa tjetër pritet të merret shumë shpejtë.

Pjesa më e madhe e tyre i përkasin shekullit 19 dhe 20, ku tregohet për zhvillimet për Shqipërinë e shqiptarët në Perandorinë Osmane, reformat, kryengritjet shqiptare dhe masat osmane për t’i shtypur ato, çështjet fetare, arsimore, ku madje trajtohet edhe çështja e shkrimit të gjuhës shqipe.

Dokumenti më i vjetër daton më 8 shkurt 1455 dhe është një regjistër që përfshin timare në Rumeli ku përfshihen dhe qytetet shqiptare si Prizreni, Janina dhe Elbasani.

Ndër materialet që arkivi ka marrë është edhe urdhëresa që u është dërguar mytasarifëve të Ohrit, Vlorës, Delvinës, valiut të Bosnjës dhe myteselimit të Podgoricës, për arrestimin e mutasarifit të Shkodrës Mahmut Pashës dhe vëllait të tij Ahmet Pashës, të Bushatllinjve, për shkak se kanë bashkëpunuar me kryengritësit shqiptarë dhe malazezë.

Në mesin e këtyre dokumneteve ndodhet edhe fermani me këshilla administrative që i është sjellë Ali Pashë Tepelenës për të siguar rregullin dhe qetësinë në kalanë e Pargës, Prevezës, Potrinit dhe Dubnicës, që u rimorën prej francezëve.

Po ashtu, një ndër dokumentet është edhe shkresa e përgjegjësit të Moresë, Ahmet Pashës, ku urdhërohet Kurt Pasha dhe pashallarët e tjerë për të mos lejuar kthimin e shqiptarëve të shpërngulur përsëri në More, pra arvanitasit.

Edhe pjesa tjetër e materialeve të tjera po ashtu janë shkresa, urdhëresa dhe fermane që japin një pasqyrë për zhvillimet politike dhe shoqërore të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane, ndërsa ka edhe të dhëna biografike të Ismail Qemalit si nëpunës i administratës osmane.

Ky pasurim përbën përpjekjen disavje]are të arkivit shqiptar. Më herët, gjatë vitit 2015 janë marrë përafërsisht 5 mijë fletë dokumente. Tashmë, janë marrë 350 mijë dokumente dhe po aq pritet të mbërrijnë Brenda këtij viti. Në këtë mënyrë, AQSH përmban sot jo vetëm tërësinë e historisë dokumentare të Shqipërisë dhe shqiptarëve pas pavarësisë, por edhe të periudhës osmane, me përjashtim të dokumenteve pronësore.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY