FMN, qeverisë: Largohu nga PPP-të! Rritja ekonomike më e ulët se parashikimi

Ndaje

Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë thotë se pritshmëritë për rritjen ekonomike të këtij viti do të rivlerësohen për shkak të të dhënave më të ulëta sesa parashikimet në gjysmën e parë të 2019. Jan Kees Martijn thotë se FMN-ja e ka këshilluar qeverinë për forcimin e kuadrit ligjor të PPP-ve për t’i dhënë ministrisë së Financave një rol qendror në monitorimin e projekteve.

Në intervistën me kolegen Rudina Dervishi, zoti Martijn flet edhe për rëndësinë e vazhdimit të reformave që do të çonin në forcimin e institucioneve dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Zëri i Amerikës: Në raportin tuaj të fundit rreth ecurisë ekonomike të Shqipërisë, ju parashikoni që rritja të ngadalësohet në vitin 2019 në 3.5. Në dy tremujorët e parë të këtij viti rritja ka qenë edhe më e ulët se kjo shifër. A do të rivlerësoni pritshmëritë për rritjen ekonomike në 2019-ën?

Jan Kees Martijn: Keni të drejtë. Në raportin tonë të fundit parashikuam një rritje ekonomike prej 3.5% për 2019-ën që është pak më ulët sesa rritja në 2018-ën që erdhi kryesisht për shkak të eksportit të energjisë elektrike. Kur i bëmë këto parashikime nuk kishim ende të dhënat për tremujorin e parë të 2019-ës.

Tani i kemi këto shifra dhe janë më të ulëta nga sa kishim parashikuar. Pas ndoshta një muaji, do të shikojmë përsëri parashikimet për 2019-ën në tërësi duke marrë parasysh të dhënat e reja dhe zhvillimet e fundit dhe do të japim një parashikim të ri. Por në aspektin afatgjatë, përtej 2019-ës, ne do të mbajmë parashikimin tonë se rritja ekonomike do të jetë rreth 4%.

Zëri i Amerikës: Pra rritja ekonomike në 2019-ën do të jetë më e ulët?

Jan Kees Martijn: Do ta bëjmë këtë vlerësim muajin e ardhshëm. Duke patur parasysh të dhënat e tremujorit të parë, mund të jetë më e ulët por nuk dua të them se cila do të jetë shifra pasi duhet t’i shohim të dhënat më me kujdes.
Zëri i Amerikës: Investimet kanë rënë dhe Shqipëria po kalon një krizë politike. A mendoni se këta elementë kanë patur ndikim në rritjen ekonomike?

Jan Kees Martijn: Në raportin tonë ne theksuam se Shqipëria po kalon një periudhë paqëndrueshmërie të lartë politike dhe jam i sigurtë që audienca juaj është në dijeni të ngjarjeve. Paqëndrueshmëria politike sjell ngadalësim të rritjes ekonomike. Familjet mund të shtyjnë shpenzimet e tyre pasi duan të kursejnë për një të ardhme të pasigurtë. Kompanitë mund të shtyjnë investimet e tyre derisa ta dinë çfarë do të ndodhë.

Këto sjellin ngadalësimin e ekonomisë. Në këtë pikë nuk shohim në të dhënat që kemi se kjo ka ndodhur por ka padyshim rrezik. Këshilla jonë për qeverinë është të vazhdojë reformat ekonomike, veçanërisht reformat për forcimin e institucioneve, forcimin zbatimit të ligjit, reforma në drejtësi, zbatimin e fuqishëm të masave kundër korrupsionit dhe të gjitha këto do të sjellin minimizimin e efekteve të kësaj paqëndrueshmërie politike.

Zëri i Amerikës: Disa e kanë lexuar raportin tuaj si shumë kritik ndaj PPP-ve. Ju gjithashtu keni shprehur shqetësime për krijimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve. Duke patur parasysh mungesën e institucioneve të fuqishme dhe mungesën e transparencës në të bërit biznes në Shqipëri, a mendoni se duhet të qëndrohet larg praktikave dhe projekteve të tilla?

Jan Kees Martijn: Është e rëndësishme të pranojmë se Shqipëria ka nevojë për infrastrukturë dhe qeveria ka të drejtë të kërkojë mënyra për të rritur shpenzimet për rrugë, porte dhe aeroporte. Është e arsyeshme ta realizojë këtë përmes PPP-ve. Ne kemi theksuar se PPP-të sjellin rreziqe për buxhetin. Pra është shumë e rëndësishme të sigurohemi që kur merren në shqyrtim këto projekte të ketë një analizë të kujdesshme, të vlerës së investimit, të rrezikut që po ndërmerr dhe e monitoron nga afër situatën nëse këto rreziqe materializohen. Kemi vënë re se këto masa nuk janë zbatuar gjithmonë.

Autoritetet po punojnë për ta përmirësuar këtë, për të ndryshuar kuadrin ligjor të PPP-ve për t’i dhënë ministrisë së Financave një rol qendror në monitorimin e projekteve, por edhe për të qenë e përfshirë në përgatitjen e projekteve para se ato të nënshkruhen. Me një rol më të madh të ministrisë së Financave, duhet të jetë e mundur që projektet të hartohen me kujdes dhe me më pak rrezik financiar.

Ne kemi theksuar gjithashtu nevojën për të qëndruar larg propozimeve të pakërkuara, pra PPP që nuk janë të propozuara nga vetë qeveria por kur propozimi vjen nga një investitor. Ne e kemi thënë se është shumë e rëndësishme që qeveria të fillojë duke planifikuar përparësitë në të gjithë sektorët. Qeveria të propozojë projektet dhe të gjitha të kalojnë në një proces tenderimi konkurrues. Projektet e pakërkuara nuk përmbushin këto kërkesa konkurrimi. Largimi nga këto praktika do të ishte hapi në drejtimin e duhur.

Zëri i Amerikës: Si mund të minimizohet korrupsioni në gjithë këtë proces me masat që janë tani në fuqi?
Jan Kees Martijn: Një kornizë e fuqishme ligjore, një proces i fuqishëm i përgatitjes së projekteve, monitorimi i projekteve, një proces kompetitiv tenderimi, kufizon hapësirën për korrupsion. Sa më i fuqishëm procesi, aq më shumë masa mbrojtëse për të siguruar që qytetarët do të marrin përfitime nga paratë që kontribuojnë përmes taksave.

Zëri i Amerikës: Është përsëri problemi i pagesave të prapambetura që qeveria u detyrohet bizneseve. Qeveria erdhi në mandatin e saj të parë tek ju dhe kërkoi ndihmë për të rregulluar në veçanti këtë problem. Pse e shohim këtë të ndodhë përsëri?
Jan Kees Martijn: Ka patur një problem më të madh me pagesat e prapambetura në të kaluarën. Tani flasim për një shumë më të vogël por ne jemi të shqetësuar pasi ky problem vazhdon dhe përsëritet. Dhe kjo ndikon ekonominë sigurisht pasi ka njerëz që nuk paguhen apo nuk marrin rimburësimin që u takon nga VAT-i.

E dimë se qeveria po punon për ta përmirësuar këtë situatë. Ministrja e Financave u angazhua për një proces që do të sigurojë pakësimin dhe eliminimin e pagesave të prapambetura për rimburësimin e VAT-it përmes një procesi që ka disa faza por që do të arrijë të finalizojë pagesat për shumicën e entiteteve ndërsa për ndërmarrjet e mëdha ky proces do të kërkojë pak më shumë kohë. Pra ky do të jetë një hap i rëndësishëm.

Zëri i Amerikës: Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Evropë dhe nuk ka qenë në gjendje të ngrejë nivelin gjatë dekadës së fundit – cili është vlerësimi i FMN-së i arsyeve përse ka ndodhur kjo, pavarësisht nga një rritje ekonomike e moderuar dhe një performancë relativisht e qëndrueshme makro-fiskale? Çfarë duhet të bëhet nga autoritetet?

Jan Kees Martijn: Për të arritur në nivelin e pjesës tjetër të Evropës është e nevojshme të kesh një rritje ekonomike në një periudhë afatgjatë. Për këtë ka shumë faktorë. Qëndrueshmëria makro-ekonomike është një prej tyre, pra inflacion i ulët, defiçiti nën kontroll, borxhi qeveritar që po ulet, dhe këto janë të pranishme. Por ka nevojë për shumë më tepër. Infrastruktura, siç e përmendëm, është një element kritik për shumë investitorë. Edukimi është shumë i rëndësishëm dhe mund të bëhet dhe duhet të bëhet më shumë në Shqipëri për të përmirësuar arsimin dhe pastaj është korniza ligjore e shtetit, institucionet që investitorët duan të shohin.

Zbatimi i ligjit, eliminimi i problemeve të korrupsionit, avancimi i reformës së drejtësisë – këto procese që do të forconin institucionet tek të cilat mund të mbështeten njerëzit, mendojmë se do të jenë një motor i rëndësishëm për një rritje ekonomike më të lartë dhe për më shumë investime në ekonomi.
Zëri i Amerikës: Me gjithë koston e ulët të financimit dhe një sistemi likuid financiar kreditimi i sektorit privat është tkurrur. A mund të na thoni disa nga arsyet e kësaj dhe çfarë hapash mund të ndërmerren?

Jan Kees Martijn: Në shtatë vitet e fundit kreditimi i ekonomisë ka qënë i ulët, është e vërtetë. Por gjatë vitit të fundit kemi parë një lloj përmirësimi veçanërisht për familjet. Megjithatë në përgjithësi kreditimi ka qënë më i ulët nga sa do të donim të ishte pasi kreditimi është një motor i rëndësishëm i investimeve dhe ndërtimeve. Ka një numër arsyesh të këtij kreditimi të ulët. Njëra është se bankat kanë patur barrën e huave të këqija, pra hua për të cilat nuk janë paguar, dhe kjo e bën të vështirë për bankat të japin kredi të reja. Ky problem është reduktuar ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit duke u ulur nga 22 në 12 përqind, pra është një përmirësim i ndjeshëm por për disa banka është ende problem të japin hua.

Një problem tjetër ka qënë reformat e ristrukturimit të sistemit bankar me disa banka evropiane që janë larguar dhe hyrjen e bankave të tjera (si OTP). Do të duhet pak kohë që këto ndryshime të funksionojnë dhe shpresojmë që kjo do të çojë në një sistem banker më dinamik me më shumë kreditim. Së fundmi, janë dy probleme themelore – njëra është informaliteti i lartë: shumë biznese nuk paguajnë taksa, nuk janë zyrtarisht pjesë e ekonomisë dhe kjo do të thotë se gjithashtu nuk mund të marrin hua nga bankat.

Nga ana tjetër është problemi i përfshirjes së ulët financiare – njerëzit nuk kanë llogari bankare dhe pa llogari bankare nuk mund të shkosh të kërkosh hua nga banka. Pra ka një numër problemesh strukturore që e kanë bërë të vështirë rritjen e kreditimit. Shohim se situata po përmirësohet. Politikat luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm për këtë, përshembull implementimi i ligjit të falimentimit vazhdimi i përpjekjeve për të pakësuar huatë e këqija, presim që kreditimi të përmirësohet.

Zëri i Amerikës: Përsa i përket pritshmërive për eksportet dhe importet. Folët për rritjen ekonomike që erdhi pjesërisht nga eksportimi i lartë i energjisë elektrike që nuk është e qëndrueshme pasi varet nga moti. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të përmirësuar eksportet përveç sektorit të energjisë dhe atij të turizmit për të cilin ka kaq shumë pritshmëri?

Jan Kees Martijn: Më lejoni të theksoj se eksporti përmes turizmit, që ne e quajmë eksporti i shërbimeve, është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë dhe nuk ka asgjë të keqe me këtë qasje. Shumë vende e kanë turizmin një motor të rëndësishëm të rritjes ekonomike dhe padyshim në Shqipëri ka mundësi të mira për të përfituar nga turizmi. Ajo që mungon në Shqipëri është industria e prodhimit dhe përpunimit.

Krahasuar me disa vende të tjera të rajonit ka padyshim mundësi të mira investimi dhe eksporti nga kjo industri mund të jetë një burim për krijimin e vendeve të punës që nxit njerëzit të qëndrojnë në Shqipëri sesa të largohen në pjesë të tjera të Evropës. Si mund të nxitet kjo? Ka nevojë për arsim më të mirë, infrastrukturë dhe institucione të fuqishme, zbatim të ligjit, masa për të adresuar korrupsionin, një sistem ligjor tek i cili mund të mbështeten kompanitë.

Me kryerjen e këtyre reformave ne presim që edhe investimet në prodhim dhe eksporti i produkteve të manifakturës të forcohet.
Zëri i Amerikës: Çfarë marrëdhënie do të ketë FMN-ja me Shqipërinë në të ardhmen. Është gjithmonë tendenca e mbështetjes tek FMN-ja gjatë mandatit të parë të qeverisjes dhe duket se më vonë qeveria kërkon të jetë më e lirë, pa kufizimet e FMN-së. A mendoni se do të jeni të pranishëm në Shqipëri dhe do të vazhdoni të jepni këshilla?

Jan Kees Martijn: Ne angazhohemi me shumë vende dhe sigurisht edhe me Shqipërinë në mënyrë të vazhdueshme por jo gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Ka periudha që vendet kanë nevojë për ndihmën tonë, përfshi ndihmën financiare, dhe ne përfshihemi nga shumë afër. Ka periudha kur vendet nuk kanë nevojë për ndihmën tonë financiare dhe atëherë ne japim më shumë një rol këshillues dhe asistencë teknike. Këtë po bëjmë tani në Shqipëri. Bashkëpunimi ynë ka qënë i hapur dhe i mirë dhe po japim disa këshilla që autoritetet po i shfrytëzojnë dhe pres që ky bashkëpunim të vazhdojë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

Loading...

Leni një përgjigje