BLLOKU/Djali i udhëheqësit të lartë histori rozë me gruan e artistit të...

BLLOKU/Djali i udhëheqësit të lartë histori rozë me gruan e artistit të njohur

622
0
Shares

Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës, në librin “Blloku”, botim i “UET PRESS”, hedh dritë në mjaft nga misteret e familjeve të liderëve komunistë. Njëherazi, me raportet e veçanta prindër-fëmijë ai zbulon episode të panjohura nga sjelljet e këtyre të fundit jashtë mureve të hekurta të rezidencave qeveritare. Pavarësisht privilegjeve të përftuara nga pozicioni i prindërve në hierarkinë politike, jo pak syresh, siç tregon Kalo, shfaqnin herë pas here pakënaqësinë e tyre për mosndryshimin e gjendjes dhe kufizimin e të drejtave njerëzore. Sakaq, mjeku personal i diktatorit ka ruajtur në kujtesë edhe mjaft nga flirtet dhe dashuritë rozë të fëmijëve të Bllokut. Njëra ndër to, që i ka bërë më shumë përshtypje, ka qenë lidhja intime e djalit të njërit prej udhëheqësve të lartë me gruan e një artisti të njohur, asokohe me dy fëmijë…

FËMIJËT E PRAPË TË BLLOKUT

Nuk dihet se si, as kur, por pëshpëshe lidhur me pakënaqësitë për mosndryshimin e gjendjes u shfaqën edhe brenda familjeve më elitare të Bllokut, sidomos në debatet mes brezave, ku të rinjtë ishin ata që shtronin nevojën e ndryshimit para prindërve.

“Sepse meritat, jo doemos pjellin merita. Më së shumti pjellin favore”. Siç shkruan një poete e jona, “jeta dembeloset në paqe”. Në Bllok dembelizmi vinte prej rehatisë, hiperproteksionit, privilegjeve, mërzisë, por edhe nga pakënaqësitë. “Fëmijët e idealistëve nuk lindin domosdo idealistë. “Në gjuhën e asaj kohe, ata përkundrazi, mund të quheshin të “borgjezuar”. Nga ana tjetër (sado e çuditshme që tingëllon, por është e vërtetë), disa nga të rinjtë e Bllokut, edhe pse lindnin dhe rriteshin aty në rehati, ndiheshin të pakënaqur. Mbase sepse besonin se “vajzë a djalë i mirë është ai që revoltohet”. Ata i mërziste e i revoltonte presioni dhe kontrolli i rreptë etik i sjelljes, i cili i pengonte të krijonin identitetin individual, personalitetin e tyre dhe të shpreheshin e të kontestonin hapur.

Ata i irritonte bartja mbi shpinë gjatë jetës së tyre personale i prestigjit, imazhit, emrit dhe i meritave të baballarëve, pjesë e nomenklaturës së lartë, të cilët “nuk duhej t’i turpëronin”, nuk duhej t’i “njollosnin” me sjelljet dhe mendimet e tyre jokonformiste në sytë e opinionit, publikut dhe sidomos të udhëheqjes së lartë.

Erik Segali, në librin e tij “Akte besimi”, përmend një fenomen mjaft të ngjashëm i quajtur SFP (Sindroma e Fëmijëve të Predikuesve), i shkaktuar nga presioni i pazakontë moral që ushtrohej mbi fëmijët e klerikëve të lartë për të zbatuar parime, zakone, sjellje dhe dogma të vjetruara të predikuara prej tyre, çka i çoi dy personazhet kryesore të librit, fëmijë të një rabini të shquar ultrakonservator, që si revoltë ndaj predikimeve të të atit të tyre fanatik, të krijonin në jetën personale bindje dhe mënyrë jetese krejt të ndryshme nga ato të predikuara prej tij dhe kjo pa i humbur ndjenjat e dashurisë dhe respektin e natyrës familjare njerëzore ndaj të atit.

Pavarësisht nga favoret, ashtu si Deborah dhe Danieli, dy personazhet e Segalit, disa të rinj, bijë dhe bija të titullarëve të Bllokut, të informuar e dyshues ndaj predikimeve që dëgjonin, u rebeluan brenda vetes ndaj realitetit që përjetonin. Të gjitha shkëndijat që ndezin më pas zjarre ndryshimesh kështu lindin. Shkreptijnë së pari brenda ndërgjegjes njerëzore, por prej shkëndijëzave ëndërrimtare nuk shpërthejnë dot revolucione. Revolucioni është zjarr a uragan i madh. Ëndërrimtarët vetëm e ëndërrojnë ndryshimin. Kaq. Edhe djemtë e Bllokut nuk kishin plane, as platforma veprimi për të ndryshuar vendin e aq më pak botën.

Ishin kundër, por jo kundërshtarë veprimtarë. Ata ishin në gjendje të turbullt shqetësimi për rrugën që po ndiqej e në ç’drejtim po shkonte vendi. Ndërkohë ishin të armatosur me njohuri dhe merrnin mesazhet e ndryshimeve, mendësitë dhe vizionet e reja bashkëkohore nga bota perëndimore. Sepse mosdija mund të mos jetë shqetësuese, por kur di shumëçka, mund të ndiesh dhimbje e vuajtje.

Dhimbja dhe vuajtja për ta ishte mungesa e lirisë. Jo rastësisht, kontestimet e heshtura ndaj sistemit lindën në Bllok, kryesisht te brezi i fëmijëve të lindur e të rritur aty në vitet e pasluftës, të cilët në vitet 1960, kur Shqipëria u shkëput nga tutela e kampit socialist (por jo nga ideologjia komuniste) ishin ose sapo e kishin kaluar moshën e adoleshencës apo të rinisë së hershme.

Në atë periudhë, edhe vetë udhëheqja e lartë sapo kishte filluar t’i hidhte sytë ose edhe të krijonte kontakte (ndonëse të ndrojtura) tregtare dhe ekonomike me vendet europiane perëndimore, sidomos me Francën dhe me Italinë. Kapitalizmi në to dukej më joshës dhe jo aq i padrejtë dhe mizor nga ç’ishte propaganduar. Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Vladimir dhe Bashkim Shehu, Ardian Klosi, Vera Bekteshi, Arben Theodhosi, Agim Myftiu e shoqja e tij, Lida Çarçani, Gramoz Pashko etj., ishin disa nga personazhet e njohura të Bllokut që përfliteshin si persona “që shprehnin kundërshti dhe pakënaqësi” për sistemin dhe qeverisjen tonë, si dhe për rrugën që po ndiqte vendi. Ata nuk donin të ishin thjesht bij apo bija të bindur të baballarëve apo të prindërve. Donin të ishin vetvetja, me stil jete dhe mendime ndryshe për zhvillimin e vendit, më të hapura dhe moderniste, të ndryshme nga ato që propagandoheshin zyrtarisht. Ata mundën të ndanin ideologjinë, botëkuptimin dhe pikëpamjet vetjake nga ndjenjat obliguese të respektit ndaj prindërve. Kështu, me ose pa vetëdije, përsërisnin një cikël të ri të fenomenit të njohur “bijtë kundër etërve”, duke imituar “tradhtinë” e bërë nga disa prej udhëheqësve komunistë banorë të Bllokut, dikur djem “plëngprishës” ndaj prindërve pasanikë, kur në moshën rinore përqafuan me entuziazëm idetë marksiste, jo në përputhje me ato të ish-etërve të tyre bejlerë, latifondistë apo borgjezë të paraçlirimit. Kjo që ndodhte ishte fenomen që kish ndodhur edhe gjetkë, në vende të tjera ish-komuniste të Europës. Në Bullgari, Ludmilla Zhivkova, e bija e Teodor Zhivkovit, udhëheqësit nr. 1 të vendit, ndryshe nga i ati, servil i Kremlinit, u vu në krye të Ministrisë së Kulturës dhe u bë iniciatore dhe protagoniste e fuqishme e reformave liberale në art, kulturë dhe në praktikën religjioze të vendit. Ose Viktor Çaushesku, djali i madh i diktatorit rumun, i cili iu dedikua shkencës dhe akademizmit dhe qe kritik i hapur ndaj metodave udhëheqëse të të atit, të cilit ia kishte parashikuar me saktësi edhe fundin tragjik.

“Edhe po të mos ishte pushkatuar, do të përfundonte i tërhequr zvarrë nëpër rrugët e Bukureshtit”, kish thënë ai për të. E motra e Fidel Kastros, Juanita Kastro, ishte gjithashtu kontestuese ndaj të vëllait për përqafimin e Marksit dhe instalimin e komunizmit, çka sipas saj “e shndërroi Kubën në një burg të madh të rrethuar me ujë”. Ajo u arratis në Meksikë, pastaj në SHBA dhe nuk u kthye më në atdhe.

Ideologjia komuniste, ose më saktë dialektika marksiste, e njihte këtë fenomen si ligji i “mohimit të mohimit”. Ai përfaqëson braktisjen apo mohimin e vazhdueshëm, si zinxhirin e pandërprerë të asaj që ekziston, me synimin e zëvendësimit me një tjetër më të re, më progresiste e më të suksesshme. Ndjenja e mendime të tilla kritike ndaj regjimit dhe aspirata liridashëse nuk ishin monopol vetëm i disa prej të rinjve të Bllokut.

Të tilla kishin edhe një numër të madh të rinjsh jashtë Bllokut, sidomos ata që kishin pasur mundësi të lexonin libra të ndaluar apo kishin pasur kontakte direkte apo të tërthorta me aspekte të jetës së vendeve perëndimore. Edhe në vendet me demokraci të vërtetë dhe efektive, kjo diskordancë e mospërputhje konceptuale e objektivave të brezave të ndryshëm, përfshirë edhe mes fëmijëve e prindërve, konsiderohet e natyrshme. Danezi Petër Marti i ka sintetizuar pozicionet brenda familjes me aforizmin: “Burri është populli, gruaja është qeveria, fëmijët janë opozita”. Pushtetit i interesonte si më vitale status quo-ja, mosdevijimi, pandryshueshmëria dhe besnikëria deri në fanatizëm ndaj ekzistueses.

Fillimisht fëmijët e Bllokut e shfaqnin “opozitën” në diskutimet me prindërit ofiqarë brenda familjes. Këta mundoheshin t’i sqaronin të rinjtë për “keqkuptimet apo keqinterpretimet nga papjekuria”. Kështu, debati mes tyre mbetej brenda shtëpisë. Më pas, disa nga prindërit pushtetarë, siç kanë dëshmuar Spartak Ngjela për të atin, Kiço Ngjela, ish-ministri i Tregtisë më afatgjatë dhe më i zoti profesionalisht, dhe Arben Theodhosi, për të atin Koço Theodhosi, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe intelektual i kalibrit të lartë, patën shfaqur qëndrime disi liberale, të avancuara për kohën. Koçoja nuk u zemërua me të birin kur i shkoi në një barakë, në kopshtin e vilës ku banonin brenda Bllokut dhe e gjeti duke pikturuar fshehurazi në stil modernist.

“Në një moment të vështirë, kur pedagogët më konstatuan në studio piktura të ndaluara, im atë u mjaftua të më këshillonte thjesht: ‘Bëj kujdes’”, tregon Arbeni në një intervistë. Po ashtu, edhe Fatos Lubonja për të dy prindërit, Todin e Lirinë, të shquar për vizione liberale, apo Vera Bekteshi për të atin Sadik Bekteshi, gjeneral me prestigj të lartë, ish-komunist i orëve të para në Shkodër, tregojnë se ata vetëm i këshillonin të ishin të kujdesshëm, të mos i diskutonin këto tema jashtë me të tjerët. Ndrojtja nga spiunimi dhe fryma e fshehtësisë përbënin tiparet më karakteristike që sundonin marrëdhëniet në mjediset brenda Bllokut.

Në krijimin e pakënaqësive për mënyrën se si ushtrohej pushteti nga organet e udhëheqjes më të lartë, fillimisht mund të kenë ndikuar pa vetëdije “gjuha e heshtur e trupit”, mimika, gjestet, apo me ndonjë batutë spontane edhe e vetë prindërve të tyre mbajtës të pushtetit në instanca dhe poste relativisht më të ulëta.

Disa prej tyre ishin të pakënaqur me pozitën që kishin, e cila shpesh nuk ishte proporcionale dhe nuk reflektonte kontributet, vjetërsinë dhe meritat e tyre, në krahasim me disa kuadro të rinj, pak ose aspak të njohur, pa ndonjë meritë, që befas promovoheshin në pozita më të larta dhe jo rrallë si drejtues të tyre. Politika e zhvillimit logjik vertikal të karrierës, shkallë-shkallë me rregullsi nga posti më i ulët deri tek ai më i larti bazuar në përvojën, meritat dhe vjetërsinë nuk zbatohej. Kjo sigurisht krijonte njëherësh habi e zhgënjim.

Mirëpo, këto ndjenja duheshin fshehur brenda vetes, përndryshe mund të dënoheshe për karrierizëm ose egoizëm. Ndryshe nga baballarët, bijtë e bijat e Bllokut, në shoqëri të ngushtë diskutonin më hapur me njëri-tjetrin. Shumica e tyre flisnin gjuhë të huaja perëndimore, ndiqnin programe televizive italiane, sepse brenda territorit të Bllokut, siç u tha më lart, falë një antene të posaçme mund të shikoheshin stacione të huaja televizive, në kuadrin e privilegjeve.

Ata kishin pasur mundësi të lexonin ose të njiheshin me libra të ndaluar te ne, si ato të filozofëve dhe ekonomistëve modernë perëndimorë si Alexis Tokvilli, për filozofinë dhe principet e demokracisë amerikane; modelin për lidershipin modern të Karl Popper; të ekonomistit reformator Adam Smith; të predikuesit të tregut të lirë, nobelistit Milton Friedman; të psikanalistit Zigmund Froid apo të ekzistencialistëve si Sartri e Kamy.

Ata, si rrallëkush nga të rinjtë e asaj kohe, dispononin magnetofona dhe kaseta me këngë të Bitëllsave, Elvis Preslit, Adriano Çelentanos, Elton Xhonit etj., ishin të njohur me pikturën moderniste të Pikasos, të Salvador Dali, Van Gog, të impresionistëve e kubistëve etj.. Për më tepër, ata kishin pasur rastin të udhëtonin ose të specializoheshin në metropolet e Europës. Kjo u kishte dhënë mundësinë të njihnin e shijonin edhe disa nga anët joshëse të realitetit në “vendet kapitaliste” dhe të shihnin me sytë e tyre mënyrën dhe standardet e atjeshme të jetesës e demokracisë, të cilat dukeshin kryekëput ndryshe nga sa predikonte propaganda e Partisë së Punës.

Ata nuk ishin armiq, në kuptimin klasik të armiqësisë apo tradhtisë ndaj vendit. Përkundrazi, synonin një jetë më të mirë, për brezin të cilit i përkitnin, por edhe për popullin. Luis Pauels, në librin “Letër e hapur për njerëzit e lumtur”, pat paralajmëruar që në vitin 1971 se “Shoqëritë që kanë dashur të ndryshojnë njeriun” kanë dështuar të gjitha; ato nuk kanë mundur të ndryshojnë asgjë, por vetëm kanë krijuar dhembje të mëdha dhe kanë përdorur në maksimum egërsi barbare.

Njeriu pa pronë e pa interesa vetjake, pa fe, i përkushtuar vetëm ndaj atdheut, ndaj socializmit e internacionalizmit proletar, rezultoi një utopi. Ky objektiv dështoi së pari brenda Bllokut të udhëheqësve të lartë. Asnjëri nga fëmijët e tyre nuk u bë njeri i tillë i ri, as vetë fëmijët e Enverit, as ne që ishim me detyrë pranë tij; as ata, as ne nuk ishim kundër Enverit person, por kundër ishin mënyrat, rrethanat dhe kërkesat e reja të jetës. Kundër tij ishte vetë koha në dimensionet e shumanshme të saj.

Disa nga të rinjtë e Bllokut, falë kontakteve më të shpeshta me jetën perëndimore, e njohën më thellë sistemin kapitalist lidhur me iniciativën e lirë, konkurrencën, rolin e sindikatave, nivelin e universiteteve, mënyrën e funksionimit dhe të financimit të shëndetësisë, të cilat baballarët e tyre i kritikonin ideologjikisht, ose i mohonin me slogane shablloniste dhe sipërfaqësore, pa i njohur thellësisht. Ata mendonin se në rrugëtimet e gjata “karroca ecën më shpejt po të ndërrohen kuajt”.

Shumë vite më pas, Moikom Zeqo, një nga iniciatorët e reformimit të ish-Partisë së Punës, në librin e tij “Universi së prapthi” do e përcillte në formë alegorike, të letrarizuar këtë mendësi, ku shkruan: “Pasi kalon shumë kohë dhe banorët binden se forca mbijetuese e prijësit të vjetër (që Moikomi në libër e quan Mrutn) duhet të zëvendësohet në mënyrë ripërtëritëse, me një më të ri.

Ata e nxjerrin atë nga “rrethi mbrojtës” dhe e copëtojnë duke marrë diçka nga fuqia misterioze e tij, ndërkohë që edhe “Ai i futur në ta shndërrohet në Ata”. Analisti ynë Mustafa Nano ka thënë diçka që vlen edhe për ata: “Është zotësi e madhe (dhe fat duhet thënë) të jesh syhapur, në një kohë që kjo përbënte krim të madh”. BLLOK-LAKMIA Ekzaltimi për Bllokun hasej kryesisht jashtë territorit të tij. Djemtë dhe vajzat e lindura e të rritura aty nga prindër të fuqishëm të elitës udhëheqëse përgjithësisht ishin “fëmijë të mbarë”, korrektë e modestë në shoqëri e mjaft prej tyre edhe të dalluar në mësime. Ata ishin rritur në atë mjedis së bashku, si shokë e shoqe fëmijërie, ose siç thuhet, si motra e vëllezër, por silleshin modestë, miqësorë e pa diskriminim me shokët e shoqet e shkollës, bashkëmoshatarë me ta. Vajzat adoleshente dhe të reja të Bllokut binin në sy si të ishin një “racë” tjetër, me tipare të ëmbla, lëkurë të freskët.

Ato ishin të mirushqyera, me veshje ndryshe, më të hijshme, më të bukura dhe mirësjellje të rafinuar, që reflektonte edukatë dhe kulturë. Teuta Çarçani, Teuta Nesho, Shpresa Ngjela, Mimoza Spahiu dhe Natasha Konica ishin pesë bukuroshe të Bllokut, që zakonisht shkonin dhe vinin nga shkolla e Vila e Enver Hoxhës në Bllok Fiqret Shehu, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Nexhmije Hoxha dalë në vilën e tyre. 1980 shëtisnin bashkë të buzëqeshura, duke tërhequr vëmendjen dhe admirimin e kalimtarëve, sidomos të të rinjve beqarë. Djemtë dhe vajzat single të popullit e ëndërronin lidhjen martesore, bashkëshortore të Bllokut si “kulm i fatit”, që jo vetëm do u krijonte kushtet maksimale jetësore, por edhe rritje të statusit e të prestigjit shoqëror të atyre e të familjeve respektive.

E thënë ndryshe, Blloku perceptohej nga jashtë jo vetëm nga të rinjtë beqarë jashtë atij territori, por edhe nga prindërit dhe të afërmit e tyre si “parajsë apo një lloj oborri mbretëror”, ku atyre po të hynin aty si nuse apo dhëndurë, do t’u qeshte fati, do t’u thoshin “lamtumirë halleve” e do të shndërroheshin në “princesha e princër” elegantë, pjesëtarë “të aristokracisë së re”, të pasur, të fuqishëm e të famshëm, me emër të madh. Trendi i ri i martesave të të rinjve të Bllokut me partnerë “outsiders” (jashtë Bllokut), mbi baza kryesisht pragmatike, shtoi dhe nepotizmin si fenomen shoqëror. Edhe pse pas martesës rishtarët e ardhur në Bllok, duke jetuar aty e kuptonin që imazhi “princëror” dhe gama e favoreve që patën ëndërruar qenë të ekzagjeruara e disi utopike, përsëri statusi social i tyre gëzonte jo pak favore e privilegje.

Djemtë e martuar me vajzat e udhëheqësve ngriheshin më shpejt në karrierë dhe emëroheshin shefa, drejtorë, ambasadorë apo diplomatë jashtë shtetit, drejtues në organet ekzekutive apo ato partiake, kurse vajzat e martuara me djemtë e Bllokut, pasi lindnin një a dy fëmijë dhe merrnin frenat e familjes së tyre në dorë, shndërroheshin në “Dama influenciale, autoritare”, të punësuara në poste të rehatshme të institucioneve dhe të administratës. Ndonjëra nga “Hirushet” e martuara në Bllok shndërrohej madje në “princeshë” dhe nuk ngjante më me të përvuajturën e përrallës. Ato bëheshin lakmitare, ambicioze e pretencioze për më shumë favore e privilegje dhe e humbnin thjeshtësinë e përunjësinë e tyre të dikurshme.

Ato kalonin orë të tëra të ditës e mbrëmjes të ulura këmbë mbi këmbë në kafenenë luksoze të hotel “Dajtit”, e rezervuar për të huajt dhe e ndaluar për qytetarët e thjeshtë. Brenda pak kohe jetese në Bllok, “Hirushet” ndryshonin rrënjësisht modën, visheshin firmato, modernizonin paraqitjen e jashtme, krehjen, mobilimin, aksesorët muzikorë, tonin e zërit, përdredhjet dhe gjestet, “gjuhën” e trupit, stilin e jetës dhe gamën e kërkesave e të favoreve, madje jo vetëm për vete, por edhe për anëtarët e familjeve të tyre vajzërore. Në një atmosferë të tillë hedoniste nuk mungonin flirtet dhe “historitë rozë” të fshehta, ndonëse jo aq skandaloze si ato të tipit Ana Karenina, Madamë Bovari apo Ledi Chaterli.

Ato nuk shpëtonin pa u pikasur nga rrjeti i informatorëve të Sigurimit, por mbuloheshin me kujdes në mbrojtje të privatësisë familjare të udhëheqjes së lartë dhe realisht nuk krijuan megaskandale. Më së shumti, ishin flirte, lodra dashurie rastësore nga ato që plotësonin buqetën e kënaqësive dhe privilegjeve që u pat dhuruar fati me aroma dhe ëmbëlsi suplementare të jetës. Nuk ishin dashuri pasionante nga ato që krijojnë zhurmë, skandal, sakrifica dhe fund tragjik deri vetëflijim. Sepse, pushteti i madh është toksik dhe rrallë lë vend për ndjenjat sublime vetëmohuese.

Nuk pati ndër ta asnjë të vendosur për të sakrifikuar pozitën dhe privilegjet për hir të dashurisë së vërtetë, siç e la vullnetarisht fronin mbretëror të Anglisë, Eduarti VIII. Një histori pasionante rozë, por disi naive, që më ka mbetur në mendje dhe që nuk e di pse më pat prekur, ishte ajo e njërit prej djelmoshave të mirë të rinj beqarë të Bllokut, bir i njërit prej udhëheqësve të lartë, me gruan sharmante, nënë e dy fëmijëve të një artisti të njohur, të cilët nuk dihet sesi u dashuruan “marrëzisht”.

Ndodhi t’i shihja edhe unë njëherë rastësisht, gjatë një shëtitjeje në orët e para mëngjesore buzë detit në plazhin e Durrësit, jashtë territorit të Bllokut, teksa ishin të ulur të dy në bisht pranë njëri-tjetrit, si për t’u fshehur dhe rrëmonin heshturazi në rërën e lagur sikur shpresonin të gjenin aty çelësin a zgjidhjen e rrugëdaljes së mistershme për ndjenjën e tyre magjepsëse, rreptësishtë të ndaluar.

M’u dukën si fëmijët, që bënin “kështjella” me rërën e lagur me forma e arkitekturë të çuditshme, të cilat dallga nervoze ua gëlltiste me arrogancë e shpërfillje, duke e marrë me vete në thellësitë e detit, kështjellën prej rëre së bashku me ëndrrën e tyre marroke. Ata të dy bënë sikur nuk më panë. Ashtu bëra dhe unë. Megjithatë, ishte prekëse, thuajse mallëngjyese hutimi dhe pamja e trullosur e tyre, në kërkim të së pamundurës së mallkuar. Ajo histori u krijoi kokëdhembje dhe pagjumësi prindërve të djaloshit të mirë zemërdëlirë, të cilët plot stres u përpoqën ta ruanin të fshehtë brenda familjes problemin dhe situatën që përjetonin.

Gjithçka në atë “love story” romantik u zgjidh forcërisht në mënyrë jo proporcionale, “allashqiptarçe”. Faji iu ngarkua i tëri gruas “magjistare”, të cilën e shpërngulën, madje e degdisën dhunshëm me gjithë familjen e saj diku jashtë Tiranës. Kurse djaloshi i brishtë ende adoleshent, për fat të mirë, nuk u vetëvra si “Vertheri i ri” i Gëtes. Ai me kohë u rikthye dhe u përshtat me rregullat e zakonta tradicionale të disiplinës familjare.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY