“ALARMANTE”/ OKB: Një fëmijë emigrant vdes çdo ditë në botë

Ndaje

Në një raport të Kombeve të Bashkuara, të publikuar të premten ,  një fëmijë migrant ka vdekur gati çdo ditë gjatë katër vjetëve të fundit, në përpjekje për të gjetur siguri.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim tha se së paku 32,000 migrantë në gjithë botën, përfshirë 1,600 fëmijë, kanë vdekur gjatë udhëtimeve të rrezikshme, në kërkim të kushteve më të mira për jetesë, qysh në vitin 2014.

“Fëmijët po vdesin në të gjitha rajonet e botës. Fëmijët nuk janë në dijeni se çfarë po ndodh dhe ata përballen me rreziqe të tmerrshme”, tha Frank Laczko, udhëheqës i qendrës së analizës së të dhënave, pranë Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.

Raporti vjen në kohën kur fotografia e një burri me vajzën e tij të vogël, që janë mbytur derisa kanë bërë përpjekje për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, ka shkaktuar zemërim global.

Sipas Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), pamja tronditëse e Oscar Alberto Martinezit, 25 vjeç, dhe e vajzës së tij 24-muajshe, Angie Valeria, ka hedhur dritë mbi gjendjen e 70 milionë njerëzve të zhvendosur me forcë.

Martinez dhe vajza e tij kanë udhëtuar nga El Salvadori për në Meksikë dhe janë mbytur duke kaluar lumin Rio Grande, në përpjekje për të hyrë dhe për të kërkuar azil në SHBA.

UNHCR-ja e ka krahasuar fotografinë e tyre me portretin e fëmijës sirian, Alan Kurdi, trupi i të cilit është gjetur në një plazh të Mesdheut, më 2015.

Loading...

Leni një përgjigje