Athina zyrtare kushtëzon negociatat e Shqipërisë/ Reagon Ministria e Jashtme

Athina zyrtare kushtëzon negociatat e Shqipërisë/ Reagon Ministria e Jashtme

54
0
Shares

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë i është përgjigjur sot Ministrisë së Jashtme të Greqisë, e cila një ditë më parë shprehu shqetësimin për respektimin e minoritetet grek në Shqipëri, duke kushtezuar keshtu dhe hapjen e negociatave, referuar rastit të Fredi Bejleri, kandidatura e të cilit u refuzua nga ana e KQZ.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme

Pas njohjes me deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, të datës 30 maj 2019, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen që vendimi i një institucioni të pavarur dhe kushtetues, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kontekstualizohet si devijim apo zbrapsje e progresit të Shqipërisë në kuadër të mbrojtjes së pakicave.

Situata lidhur me shtetasin shqiptar Fredi Bejleri është e qartë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me votë unanime dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, ka ndaluar kandidimin e tij në zgjedhjet e ardhshme vendore në Shqipëri, referuar faktit se legjislacioni elektoral shqiptar ndalon, për një periudhë 10 vjeçare, kandidimin e personave për t’u zgjedhur në postin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, të cilët kanë qenë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare.  

Lidhur me respektimin e të drejtave të pakicave, siç kemi sqaruar edhe në rastet e deklaratave të mëparshme për të njëjtën temë, sundimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, qofshin ata shqiptarë, përfaqësues të pakicës greke apo pakicave të tjera pa dallim, përjashtim apo diskriminim.

Në Shqipëri garantohet e drejta e personave që u përkasin pakicave për t’u vetë-identifikuar si të tillë dhe e drejta e tyre e pronësisë pa diskriminim. Po kështu, është i garantuar ushtrimi i gjitha të drejtave elektorale të shtetasve që u përkasin pakicave. Mbi këtë bazë, çdo qytetar shqiptar, minoritar ose jo, ka të drejtën t’i drejtohet gjykatave shqiptare si organet kompetente për interpretimin e Ligjit në Republikën e Shqipërisë.

Qeveria e Shqipërisë është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme në reformimin tërësor të vendit në të mirë të mirëqenies së të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe konsolidimit të arritjeve të shënuara në drejtim të pesë prioriteteve kyçe për përafrimin me Bashkimin Evropian. Raporti i fundit i Komisionit Evropian është dëshmia më e qartë e këtij progresi në funksion të hapit të radhës, çeljes së pakushtëzuar të negociatave për anëtarësim.

Në këtë frymë, vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme dhe të vyer të Greqisë për Shqipërinë dhe mbarë rajonin tonë në avancimin e rrugës evropiane, veçanërisht tani në vigjilje të vendimmarrjes së afërt, nga ana e vendeve anëtare të BE-së.

Partneriteti strategjik dhe miqësia mes dy vendeve tona, si dhe dialogu i pandërprerë për tejkalimin e çështjeve dypalëshe, përfshi fuqizimin e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Greqi kanë qenë dhe mbeten përparësi e qeverisë shqiptare. 

Shqipëria beson fuqimisht se vetëm zgjidhjet e bazuara në shtetin e së drejtës dhe kulturën politike evropiane janë me interes vital për të dy vendet.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY