Meta “nxjerr lakuriq” Ramën për marrëveshjen e fshehtë

Meta “nxjerr lakuriq” Ramën për marrëveshjen e fshehtë

617
0
Shares

Nga Kastriot Islami

Propozimi i Ramës për min istër të ri të Jashtëm ishte në fakt vetëm “gjethja e fikut” apo “maska” e radhës, pra një nga aktet skandaloze të radhës së një personazhi që ka kapur Partinë Socialiste për të ngritur Republikën e Rilindjes, e cila prej 5 vjetësh mbretëron me një maxhorancë kriminelësh, hajdutësh, injorantësh dhe manekinësh, të gjithë servilë për t’u pasuruar për vete dhe varfëruar qytetarët, për të rrjepur deri në palcë pronat dhe buxhetin e shtetit, për të vrarë demokracinë e opozitën dhe kërcënuar të gjithë kundërshtarët. Këtë radhë, akti i propozimit të Ramës ishte përtej marrëzive që rriten pafundësisht dhe zullumit që trashet ekstremisht çdo ditë brenda kufijve të Shqipërisë; ishte konkretisht nga frika që ka filluar të tmerrojë Ramën se zullumi po këputet nga keqqeverisja banditeske, që ka rritur zemërimin dhe revoltën e qytetarëve të Shqipërisë.

KARTA E FUNDIT E MASKARENJVE ËSHTË NACIONALIZMI…

Në realitet, propozimi i Ramës ishte thjesht karta e vetme edhe e fundit që i ka mbetur një maskarai në rrugën drejt strofkës së një hajdutnacionalizmi të pështirë shqiptaro-fob dhe antieuropian me mendimin se vetëm kështu do të mund t’i shpëtojë ndëshkimit, duke vazhduar të kacavirret në pushtetin që e ka mbërthyer si një sulltan i zhytur në tepsinë e grykësisë e babëzisë së tij, por që prej kohësh s’e ushtron dot për shkak të perversitetit obez dhe impotencës mentale. Konkretisht, propozimi i Ramës për të emëruar ministrin e ri të Jashtëm s’ka asnjë lidhje as me respektimin e Kushtetutës së një vendi demokratik, qoftë edhe me demokraci hibride, dhe as me marrëdhëniet institucionale mes pushteteve në një Republikë Parlamentare, e cila nuk ekziston që kur Gjykata Kushtetuese ka vdekur. As me debatet formale që bëhen nga politikanët apo analistët e medias përmes shkëmbimit të argumenteve të sofistikuara, që duken anakronikë në një sulltanat të marrë peng nga Republika e Rilindjes. Ky propozim kishte vetëm një synim: të maskonte intrigën e tij që Rama, së bashku me Vuciç e Thaçin, kanë montuar prej kohësh për të cenuar integritetin e Kosovës dhe prapa së cilës fshihet synimi i vërtetë i të treve për forcimin e pushtetit të tyre personal. Shqetësues në këtë rast është vetëm fakti se prapa kësaj “gjetheje fiku” fshihet një vendim i rëndësishëm për integritetin e Kosovës, por edhe më shumë se kaq. Meta reagoi aq sa mundi, me të gjitha mundësitë që zotëronte dhe në hapësirat tejet të limituara që i kanë lënë institucionit të Presidentit, duke ia grisur Ramës këtë “maskë” apo ndryshe duke ia hequr “gjethen e fikut”, duke nxjerrë kështu atë lakuriq në dritë të diellit dhe i bërë kështu me dije publikut maskaradën dhe rolin e Ramës në gatimin e marrëveshjes së fshehtë shqiptarofobe e antieuropiane dhe synimet e tij diabolike për pushtet personal, që prej kohësh Rama tenton t’i maskojë. Reagimi dëshpërues i Ramës ishte prova më e mirë e lakuriqësisë dhe paaftësisë së tij në sytë e publikut…

PRAPA PROPOZIMIT TË RAMËS FSHIHET NJË MARRËVESHJE QË MBART SHUMË RREZIQE…

Propozimi i Ramës për ministrin e ri të Jashtëm, vendimi qetësisht i menduar i Metës, reagimi disproporcional, emocional dhe i acaruar i Ramës dhe qëndrimet/reagimet e shumë politikanëve dhe përfaqësuesve të rëndësishëm mediatikë, nga Shqipëria dhe Kosova, është e pakuptimtë të diskutohen me seriozitet e argumente kushtetuese e ligjore, përderisa Shqipëria s’qeveriset nga një sistem demokratik e kushtetues dhe përderisa vendin e ka marrë peng Republika e Rilindjes, që ka eliminuar zgjedhjet përmes blerjes së votës, qeveris vendin me një kuvend hajdutësh, kriminelësh e trafikantësh dhe që ka vendosur nën kontroll gjithçka, më së fundmi edhe drejtësinë. Vetëm për shkak të një shqetësimi ekzistencializmi kombëtar, vendimi i Metës duhet lexuar e kuptuar në kontekstin e një marrëveshjeje shumë të rëndësishme, që synon të prekë integritetin e Kosovës, por që do të kishte impakt për sigurinë e stabilitetin e Kosovës e të Shqipërisë dhe të ardhmen e të gjithë shqiptarëve, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit e më gjerë. Marrëveshje që ka hasur dhe duket do të hasë kundërshti nga shumë aktorë e faktorë shqiptarë, si dhe mbështetje e kundërshti edhe nga partnerë të rëndësishëm të Shqipërisë e Kosovës, kundërshti të forta, veçanërisht prej partnerëve strategjikë që kanë në dorë fatet e integrimit të Shqipërisë e Kosovës në BE. …

MARRËVESHJE SHQIPTARO-FOBE E ANTIEUROPIANE…

Në asnjë nga programet politike të partive politike kryesore në Shqipëri (PD, PS, LSI e tjerë) e në Kosovë (PDK, LDK, VV e tjerë), por as në programet e qeverisjeve të Shqipërisë dhe Kosovës gjatë 28 vjetëve të fundit, nuk gjendet qoftë edhe një fjali e vetme për çështjen e prekjes së integritetit të Kosovës. Dhe këto dy personazhe, por edhe të tjerë, në asnjë nga takimet e fundit apo të mëparshme, me faktorët e rëndësishëm të integrimit europian nuk e kanë zënë në gojë një marrëveshje të tillë për cenimin e integritetit të Kosovës, duke i befasuar të gjitha ato me qëndrimin e tyre tinëzar e diabolik. Prandaj, edhe sikur të jetë gjeniale, kjo marrëveshje e fshehtë, e gatuar jashtë vëmendjes së shqiptareve, është jo vetëm antishqiptare, por edhe antieuropiane… …

MARRËVESHJE E GATUAR FSHEHURAZI E TINËZISHT…

Në dijeni të detajeve të kësaj marrëveshjeje të fshehtë, të procedurave përkatëse dhe të kalendarit kohor të implementimit të saj eventual janë vetëm Thaçi e Vuçiç, ndërkohë që Rama është guruja e saj. Thaçi ka zbuluar deri tani vetëm diçka, kurse Rama ka heshtur duke mbuluar gjithçka, pavarësisht se ka lënë të kuptohet se e mbështet Thaçin në nismën që çon në marrjen e këtij vendimi. Qytetarët e Shqipërisë e të Kosovës do t’iu duhet t’i kërkojnë urgjentisht e me forcë Thaçit e Ramës, sa nuk është ende vonë, detajet për këtë marrëveshje të fshehtë që kanë gatuar tinëzisht Rama, Vuçiç e Thaçi. Dhe ThaçiRama duhet ose të shprehen qartë e publikisht për këtë marrëveshje, ose të distancohen duke u larguar nga ky proces. ….

MARRËVESHJE PËR INTERESAT PERSONALE TË PUSHTETMBAJTJES

Në të vërtetë, kundërshtitë publike për çështjet në fjalë janë vetëm maja e ajsbergut, sepse në realitet kundërshtitë që kanë politikanët shqiptarë me Ramën e Thaçin kanë të bëjnë në të vërtetë me “marrëveshjen historike” me ndikim jo thjesht në integritetin e Kosovës, por që do të rriste pasigurinë për pavarësinë e ardhmërinë e saj, por edhe do të prekte rëndë stabilitetin e Shqipërisë dhe të ardhmen europiane të të gjithë shqiptarëve. Duket, se pas më shumë se një shekulli, shqiptarët do të duhet të përballeshin me një marrëveshje diabolike, nisma për të cilën është ndërmarrë nga Rama dhe është pranuar të prezantohet nga Thaçi. Dhe e gjitha kjo bëhet nga Rama e Thaçi, fshehtas e tinëzisht, thjesht për forcuar pushtetin e tyre personal, madje me synimin diabolik për ta zgjeruar dhe përforcuar pushtetin e tyre sulltanor mbi qytetarët shqiptarë.

…MARRËVESHJE KOMBËTARISHT PËRÇARËSE

 Duket fatale, që në këtë moment, ndoshta më i rëndësishmi në historinë e kombit shqiptar, pas më shumë se 100 vjetësh, politika mbarëshqiptare gjendet e përçarë në ekstrem, edhe së brendshmi në Kosovë, edhe së brendshmi në Shqipëri, por edhe mes Kosovës e Shqipërisë, por në bashkëpunim e koordinim perfekt me palën serbe. Karakteristika të tjera të sjelljes politike aktuale të drejtuesve politikë në Kosovë e Shqipëri janë edhe: i) mungesa e transparencës, madje mbajtja tërësisht në errësirë e shumicës së politikanëve dhe e të gjithë qytetareve se çfarë po ndodh dhe çfarë vendimi historik po merret për të ardhmen e tyre, ii) mungesa e dialogut mes aktorëve të ndryshëm politikë në Kosovë e Shqipëri e mes tyre; dhe iii) mungesa e një debati publik e mediatik, transparent dhe vizionar mes politikës, shoqërisë civile dhe qytetarëve.

…MARRËVESHJA NË ERRËSIRË

.. Nuk ka për më tepër asnjë debat të brendshëm në partitë politike kryesore në Shqipëri e Kosovë për çështjen e integritetit të Kosovës dhe gjithçka që pason. Po ashtu s’ka asnjë debat, të hapur jo e jo, por as të mbyllur, mes partive politike në Shqipëri e Kosovë. Dhe as që bëhet fjalë për një komunikim transparent mes drejtuesve të lartë politikë të Shqipërisë e Kosovës. Kuvendet në Shqipëri e Kosovë, shumica e politikanëve, e të gjithë diplomatëve në Shqipëri e Kosovë, por edhe shumica e ministrave në Shqipëri e Kosovë janë në padijeni të plotë se çfarë marrëveshjeje është gatuar dhe po merret inkonjito vetëm nga dy persona. Për qytetarët as që bëhet fjalë, ata do të kapen me shumë gjasa në befasi të plotë dhe duket se është bërë e qëllimshme që ata të gjenden përballë një vendimi të përfunduar, efektet e të cilit do të fillojnë t’i ndiejnë vetëm pas disa vitesh. Media po ashtu është në terr të plotë. Prandaj, ose partitë politike kryesore duhet të grisin programet e tyre, ose qytetarët duhet t’i zhdukin nga peizazhi politik ato parti që veprojnë ndryshe nga programet, me të cilat ua kanë marrë votat qytetarëve; ky është një rast “ideal” për qytetarët të ndëshkojnë politikanët që veprojnë ndryshe nga ç’premtojnë…apo përfaqësuesit e kësaj “elite” bandite.

MARRËVESHJEN E NJOHIN VETËM RAMA, THAÇI E VUÇIÇ…

Rama dhe Thaçi janë në rezonancë të plotë mes tyre, veprimet e tyre rezonojnë tërësisht edhe me qëndrimet e Vuçiç, që ka qenë më transparent edhe me serbët e çuditërisht edhe me shqiptarët. Më konkretisht, qëndrimi i Thaçit në kundërshti me qëndrimin e Kryeministrit Haradinaj dhe shumë politikanëve të tjerë në Kosovë për të biseduar me Vuçiç për “integritetin e Kosovës” dhe propozimi i Ramës për emëruar në postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Genti Cakajn, në kundërshti me qëndrimin e Presidentit Meta dhe të shumë politikanëve në Shqipëri, jo vetëm që janë në rezonancë mes tyre, por për më tepër kanë lidhje të drejtpërdrejtë me vendimin historik. Marrëveshje që Rama e Thaçi e kanë bashkërenduar duket vetëm me Vuçiç dhe me asnjë shqiptar tjetër, veç dijenisë që mund të ketë ndonjë sekser shqiptaro-serb mes të treve, i cili është deklasifikuar nga paniku i këtyre ditëve.

SHQIPTARËT DUHET TË REAGOJNË URGJENTISHT…

Shqiptarët duhet urgjentisht të kërkojnë transparencë për këtë vendim shumë të rëndësishëm dhe me impakt “historik” për integritetin e Kosovës, por që mund të shkaktojë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve në rajon. Një vendim shumë i diskutueshëm dhe me shumë pikëpyetje, veçanërisht për integritetin e Kosovës, sigurinë e Shqipërisë e Kosovës, integrimin e tyre në BE dhe stabilitetin e rajonit. Ndërkohë që jo të gjithë partnerët strategjikë të Shqipërisë dhe Kosovës janë në unison për këtë vendim, veçanërisht ata që kanë në dorë fatin e integrimit të Shqipërisë e Kosovës në BE.

DISTANCIMI I THAÇIT ËSHTË IMEDIAT…

Është urgjente të bëhet sa më shpejt publike “platforma e marrëveshjes”, që eventualisht Thaçi do të mund të nënshkruajë me Vuçiç dhe nëse kjo s’është e vërtetë, të deklarohet publikisht e kundërta apo më saktë, e vërteta. Veçanërisht të bëhet publike se çfarë parashikohet konkretisht për “Veriun e Kosovës”, këtë element që është edhe më kryesori dhe më delikati në këtë marrëveshje? Thaçi ka detyrimin të bashkohet me të vërtetën dhe të distancohet nga kjo marrëveshje për të mos sakrifikuar së paku kontributin e tij.

…HESHTJA DIABOLIKE E RAMËS DUHET “VRARË”

… Po ashtu, është urgjente që Rama të pushojë së heshturi dhe të bëjë të ditur nëse e mbështet “platformën e marrëveshjes” mes Thaçit e Vuçiç për integritetin e Kosovës? A është Rama në dijeni të saj dhe çfarë konkretisht Rama di për këtë marrëveshje. Sepse janë ulëritëse qëndrimet e tij të maskuara për më tepër që me qëndrimin e tij, emocional e të ashpë, e për rrjedhojë aspak dinjitoz për postin që mban, ndaj vendimit të Presidentit Meta, Rama ka dalë zbuluar dhe gjendet pa maskë. Prandaj, nga Rama lakuriq qytetarët presin artikulimin e tij verbal për të vërtetën sepse tanimë s’ka gjethe fiku që e mbulon.

META NXORI LAKURIQ REGJISORIN E “MARRËVESHJES SË FSHEHTË”…

Meta ka marrë një vendim për të mos dekretuar propozimin e Ramës për ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, duke e detyruar Ramën të zbulojë në publik qëndrimet dhe synimet e tij të vërteta. Në fakt, Meta, duke e grisur këtë “maskë” që kërkonte të përdorte Rama apo ndryshe duke e nxjerrë Ramën lakuriq, ka zbuluar thelbin e synimit të tij… Sepse në realitet, përballja mes Metës e Ramës shkon përtej emërimit të ministrit të ri të Jashtëm. Kjo përballje është shprehje e qartë e “konfliktit” që prej disa kohësh ka pasur Hashim Thaçi me shumë politikanë në Kosovë e Shqipëri, për marrëveshjen e fshehtë që do të cenojë integritetin e Kosovës. “Konflikt” që ka përfshirë edhe shumë politikanë dhe përfaqësues të medias, nga Shqipëria e Kosova, pra një “konflikt” për një çështje me interes kombëtar që krahas karakterit politik, po shfaqet edhe si “konflikt” institucional e madje, shumë më i thellë se kaq…

NË VEND TË NJË PËRFUNDIMI…

Shumë politikanë dhe analistë mendojnë se tentativa e Ramës për të vendosur “maskën Cakaj” është një tentativë për të mbajtur të fshehtë këtë marrëveshje, me synimin për ta përdorur atë për interesat personale të pushtetmbajtjes. Dhe pikërisht prekja e këtyre interesave mesa duket shpjegon edhe “kokëfortësinë” për të ruajtur me fanatizëm ekskluzivitetin e kësaj marrëveshjeje dhe reagimin disproporcional, të acaruar, qesharak e deri skandaloz e për rrjedhojë aspak dinjitoz të Ramës ndaj vendimit të matur, të mirëmenduar dhe të argumentuar të Metës. Ky vendim i Metës jo vetëm ka pasur ndikim në zbulimin e kësaj marrëveshjeje të fshehtë, por ka hedhur dritë edhe për synimet diabolike që fshihen pas saj, thjesht për interesa personale të pushtetmbajtjes. Por mbi të gjitha, për rreziqet që mbart një marrëveshje e fshehtë e tinëzare, shqiptaro-fobe e antieuropiane, rreziqe që i kanosen pavarësisë e integritetit të Kosovës dhe së ardhmes europiane të shqiptarëve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY