Vettingun për 2019 e hap gjyqtari që gjashtëfishoi pasurinë brenda 14 vitesh

Vettingun për 2019 e hap gjyqtari që gjashtëfishoi pasurinë brenda 14 vitesh

408
0
Shares

Kryetari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela rihap procesin e vetingut për vitin 2019. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Kryetari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 4 janar. Trupa gjykuese që do të kryejë vetingun për Çelën përbëhet nga Pamela Qirko, Xhensila Pine dhe Genta Tafa Bungo.

Alltun Çela e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1995. Ai drejton Gjykatën e Sarandës prej vitit 2008, ndërsa u rikonfirmua në këtë pozicion edhe në vitin 2014.

Në vitin 2016, emri i Alltun Çelës u lakua në Gjykatën e Krimeve të Rënda për një çështje pronash nga kolegu i tij Rasim Doda, ndërsa ky i fundit po gjykohej për korrupsion. Doda u dënua në shkallë të parë, por Apeli e rrëzoi vendimin.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Alltun Çela nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Çela zotëronte pasuri me vlerë 3.2 milionë lekë në vitin 2003. Sipas deklaratës së tij të parë të dorëzuar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Çela zotëronte një shtëpi të dhuruar nga prindërit dhe një apartament, rreth 17 mijë metra katrorë pemishte dhe ishte bashkëpronar i një magazine.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Çela është gjashtëfishuar, duke kapur vlerën e 21 milionë lekëve. Pasuritë e paluajtshme përbëjnë zërin kryesor në pasurinë e kryegjyqtarit të Sarandës me vlerë 11 milionë lekë. Ai zotëron gjithashtu familjarisht 8.2 milionë lekë likujditete bankare, 1.2 milionë kursime në cash si dhe automjet me vlerë rreth 600 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 31.9 milionë lekë. Rreth 77% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni dhe pagën e familjarëve, 10% të ardhura nga qiraja dhe 6.4% e të ardhurave totale kanë si burim sipërfaqen e tokës pemishte.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik rezulton se 2 nga 14 deklaratat e analizuara rezultojnë me diferenca negative mes të ardhurave dhe aseteve neto.

Kryetari i Gjykatës së Sarandës nuk arrin të justifikojë 180 mijë lekë në vitin 2004 dhe 1.4 milionë lekë në vitin 2010. Diferenca negative e vitit 2004 shpjegohet megjithatë me faktin që subjekti nuk ka deklaruar të ardhura nga paga për këtë vit.

BIRN ka identifikuar gjithashtu si “flamuj të kuq” dy hua të marra nga Çela me vlerë 3.5 milionë dhe 2 milionë lekë në vitet 2013 dhe 2016. Në fund të vitit 2017, gjyqtari kishte detyrim të pakthyer rreth 1.2 milionë lekë.

BIRN ka identifikuar gjithashtu si “flamuj të kuq” deklarimin e Çelës se kishte përfituar me vendim të Këshillit Bashkiak një shesh ndërtimi prej 400 metrash në Sarandë. Ai deklaron se e kishte marrë në dorëzim këtë truall pa e kryer ende blerjen, ndërkohë që është e paqartë se çfarë ka ndodhur më vonë me këtë pronë.

Në vitin 2004, Çela ka deklaruar gjithashtu se kishte ndërtuar një shtesë kati mbi shtëpinë ekzistuese, pasi kishte marrë një leje ndërtimi. Por shtesa nuk është regjistruar deri në vitin 2015, kur gjyqtari Çela bën një deklarim të ri se e kishte fituar pronësinë përmes një gjyqi të hapur në Gjykatën e Sarandës përmes parashkrimit fitues.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

BIRN

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY