Zbardhet dinamika e atentatit mafioz, si ju ngrit prita dhe si u ekzekutua Edison Harizaj

Ndaje

Zbardhet dinamika e atentatit ndaj Edison Harizaj dhe Genci Çaçit, dy net më parë në Durrës. Mësohet se të paktën 6 persona mendohet se kanë marrë pjesë në atentatin mafioz ku u vra 39-vjeçari Edison Harizaj, i njohur si “Padrino” i Vlorës bashkë me mikun e tij Genci Çaçi.

Hetuesit dyshojnë se Harizaj është mbajtur në vëzhgim në Tiranë mbrëmjen e të martës, (6 nëntor) dhe në momentin që u nis drejt Durrësit në makinën tip “Audi” A8 së bashku me Genci Çaçi, autorët janë vënë në ndjekje të objektivit duke ecur pas tyre në distancë të afërt me një automjet ende të pa identifikuar. Ndërkohë persona te tjerë dyshohet se e prisnin makinën ku ndodhej Edison Harizaj pikërisht në vendin e atentatit ku ishte zgjedhur një zonë pa ndriçim dhe pa asnjë kamera sigurie.

Në momentin kur makina e Harizajt u afrua pranë Urës së Plepave, autorët kanë lëvizur kundërvajtje dhe i kanë dalë përpara duke i zënë rrugën. Në këto rrethana, 39-vjeçari nga Vlora, i cili ndodhej në drejtimin e mjetit ka tentuar të shmangë makinën përballë dhe ka hyrë në një rrugë dytësore ku ishin vendosur ekzekutorët të armatosur me armë të rënda. Në këtë moment Harizaj dhe miku i tij janë përballur me breshëri automatiku për disa minuta ndërsa makina tip Audi A8 është bërë shoshë nga plumbat.

Sipas hetuesve, në ngjarje janë përdorur dy armë të cilat kanë kryer goditje mbi automjetin e viktimave me mbi 50 – 55 predha.

Sipas këqyrjes së mjekëve ligjorë, Harizaj ndodhej në timon dhe mori katër plumba duke ndërruar jetë menjëherë. Ndërsa Çaçi ka pësuar gjashtë goditje, por arriti të mbijetonte deri rreth 20 orë pas atentatit kur humbi jetën mbrëmjen e të mërkurës në spitalin ushtarak.

Policitë e Durrësit, Vlorës dhe Tiranës kanë shoqëruar mbi 25 persona, por pasi janë marrë në pyetje ata jenë lënë sërish të lirë. Momentalisht policia nuk ka ndaluar ndonjë person të dyshuar për këtë atentat mafioz që tronditi Durrësin mesnatën e të martës.

Leni një përgjigje