Vrimat në murin e Teatrit dhe raportimi artificial i gazetares së Top...

Vrimat në murin e Teatrit dhe raportimi artificial i gazetares së Top Channel-it

108
0
Shares

Nga Artan Fuga

Sot pashë një kronikë të një gazetareje të Top Cannel që në një raportim nga vendi i ngjarjes, tregonte në kamera disa vrima në murin e ndërtesës të teatrit.

Gazetarja që është shumë e talentuar dhe gëzon sot e gjithmonë sqimën time të veçantë, megjithatë supozonte se ato vrima flasin vetë. Flasin sikurse tregonte ajo që ndërtesa e teatrit është e vjetër dhe prandaj ja vlen të merret mendimi i ekspertëve nëse mban ose nuk mban. Pra të prishet ose mos prishet.

Në kronikë në fakt u lanë pa thënë gjithë ato gjëra duke bërë një trajtesë shumë të njënashme dhe subjektive të fakteve.

Një trajtesë e gabuar që unë do ta përdor për t’u shpjeguar studentëve të gazetarisë sesi një fakt objektiv që tregohet në kamera, në fakt fsheh situatën e vërtetë dhe i shërben manipuilimit subjektiv të audiencave.

Pse?

E para, sepse ato gropa të shëmtuara në mure paraqiten sikurse janë fakte aktualiteti, fakte që sapo janë zbuluar dhe pra nevoiten të raportohen.

Poqese raportohen në median televizive kombëtare edhe gropa nëpër mure, brima në tavan, a plasaritje nëpër sifone wc atëhere raportimin gazetaresk e ka marë lumi.

Si nuk pyeti gazetarja nëse ato vrima në mure janë të reja apo janë të vjetra? Vallë duhej të hapej ajo rrugica midis ndërtesës të teatrit dhe asaj të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që të zbulohej se ai mur ishte në gjendje të keqe?

Si është e mundur që shteti dhe ministria e kulturës nuk e kishin zbuluar më parë gjendjen e atij muri? Përse nuk e thërret këtë përgjegjësi gazetarja dhe të shkojë të pyesi Lezen mbi buldozer : Perse fle gjumë o shoqe?

Nga ana tjetër, së dyti, gazetarja duhej të na tregonte pikërisht origjinën e atyre gropave në mur. Ato a nuk akuzojnë të gjitha qeveritë dhe ministritë e kulturës që kanë ardhur njera pas tjetrës për gjendjen që e kanë lënë ndërtesën e teatrit si edhe ndërtesat e tjera të kulturës dhe të artit? Janë harxhuar miliarda lekë per të mirëmbajtur e bërë luksoze zyrash ministrucash e drejtorucash gjithfare nëpër ministri, kurse ndërtesat e artit i kanë lënë mëshirë të fatit? A ka përgjegjësi njeri për këtë?

E treta, ato gropa në mure, e dashur gazetare e Top Channel-it, një media televizive e nderuar, ulurasin për mangësitë e sigurimit teknik që kanë vendosur ndofta në rrezik mijra jetë spektatorësh. Si nuk trajtton këtë gazetarja por shkon në atë shteg dhish që i sugjerojnë suflerët duke i lidhur ato gropa me pyetjen nëse ndërtesa e teatrit do të duhet ose jo të ekzistojë.

E katërta, gazetarja, më zhgënjen, kur paraqet me gisht ato gropa, nuk shtron çështjen sesi mund të riparohen ato, si të riparohet sa më shpejt, të rinovohet, ajo ndërtesë? Si nuk merr anët e kundërta që të shprehen atje sa duhet investuar për të bërë riparime?

Aty ngjitur ka një ndërtesë ministrie, a institucioni tjetër, që pasi ka qenë cerdhe sigurimsash prej dekadash, u rënua si birucë për vite, tani na është zbukuruar e bërë si nuse nga investime publike. Si nuk e sheh paradoksin gazetarja kur sheh pas kurrizit të saj një ndërtesë që rinovohet e mirëmbahet sepse është pjesë e ndërtesave të burokracisë të shtetit, dhe para syve ka edhe një ndërtesë kulture me vrima në mure sikur të kishte qenë Bosnja gjatë Luftës me serbët atje?

Së pesti si nuk e sjell ndërmend gazetarja faktin logjik që një ndërtesë sepse është e vjetër ja vlen të ruhet kurse një ose disa gropa në mure as nuk sjellin ndonjë argument këtu? Se po të ishte për gropa në mure, Akropolin do të duhej ta kishin hedhur në tokë në Athinë, Koloseun duhej ta kishin rrafshuar në Romë, Amfiteatrin në Durrës do të duhej ta kishin mbuluar me beton.

Pse manipulon gazetarja duke rrëfyer në kamera disa brima pa pikë vlere?

Unë jam i bindur se gazetarja e talentuar e Top Channel do të më mirëkuptojë dhe do ta kuptojë që gropat në mure nuk flasin vetë, as nuk flasin vetiu gjuhën e propagandës manipuluese, por faktet kërkojnë interpretim dhe analizë të thellë.

Nderi profesional është më i rëndësishëm sesa karriera, sepse dëmtimi i nderit dhe i reputacionit profesional nuk e ndih fare karrierën./Medialook.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY