Turizmi, 30.4 milionë lekë gjoba për subjektet që bënë shkelje

Turizmi, 30.4 milionë lekë gjoba për subjektet që bënë shkelje

132
0
Shares

Drejtoria e Hetimit Tatimor njofton se po ushtron kontrolle të vazhdueshme në sektorin e turizmit, me fokus të veçantë zonat bregdetare.

Për periudhën 22 qershor – 8 korrik janë kontrolluar në total 1,772 subjekte tregtare. Nga këto, 49% e subjekteve (ose 869) kanë rezultuar me shkelje, që kanë kapur vlerën e rreth 30.4 milionë lekëve.

Numri më i lartë i penaliteteve është vendosur për moslëshim të kuponit tatimor dhe këto raste zënë rreth 22% ndaj totalit. Për tri subjekte që nuk kishin lëshuar kupon tatimor për herë të dytë u mor masa e mbylljes së veprimtarisë ekonomike për 30 ditë kalendarike, sipas legjislacionit në fuqi.

Gjithashtu, nga kontrollet e Drejtorisë së Hetimit Tatimor rezultoi se 54 subjekte ishin të paregjistruara në organin tatimor. Ndërsa u konstatuan 140 tatimpagues që dispononin mallra të pashoqëruara me dokumentacion tatimor. Për punonjës të padeklaruar në organin tatimor, strukturat e specializuara të kësaj drejtorie penalizuan 144 subjekte. Drejtoria e Hetimit Tatimor në DPT tërheq vëmendjen e tatimpaguesve që operojnë në zonat turistike të respektojnë detyrimet ligjore: për dokumentimin e mallrave gjendje apo në transport, për të lëshuar kupon tatimor/faturë tatimore për çdo transaksion që tatimpaguesi kryen me klientët e tij, për të regjistruar të gjithë punonjësit e angazhuar në biznes me kohë të plotë apo të pjesshme, si dhe për të afishuar çmimet e shitjes së mallrave apo të shërbimeve të ofruara. Në kuadër të planit të masave për sezonin turistik, këto struktura do të verifikojnë më shumë se 16,000 tatimpagues në të gjithë vendin – përfundon njoftimi i tatimeve.

Lista e zezë
Administrata tatimore ka nisur publikimin e një liste me emrat e bizneseve që nuk lëshojnë kuponin tatimor. Lista përmban vetëm 127 subjekte, të cilat siç shihet nga uebi i tatimeve janë subjekte të gjetura me shkelje të përdorimit të kasës fiskale me shumë se një herë. Kundërvajtës cilësohen subjektet që nuk instalojnë pajisjen fiskale ose sisteme të monitorimit të qarkullimit. Gjithashtu, ‘Tatimet’ kanë vendosur të publikojnë identitetin e biznesit nëse pas verifikimit të parë, konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e instalojë pajisjen fiskale dhe situata nuk është rregulluar brenda 15 ditëve. Tatimet sqarojnë se do të publikohet identiteti i çdo subjekti që nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve për çdo konstatim të përsëritur të moslëshimit të kuponit tatimor, pas dy konstatimeve të para.

Kuponi tatimor i lëshuar nga pajisja fiskale është dokumenti tatimor i kërkuar ligjërisht për çdo tatimpagues, që shet mallra apo ofron shërbime me para në dorë. Në mbështetje të këtij detyrimi ligjor, pranë administratës tatimore është ngritur një sistem monitorimi online, i cili ndjek dhe regjistron çdo ditë, të dhënat e transmetuara nga pajisjet fiskale të çdo tatimpaguesi.

Tatimpaguesit e shitjeve me pakicë, që shesin mallra apo ofrojnë shërbime në mjedise apo njësi të përhershme, të hapura për publikun, janë të detyruar të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kuponë tatimorë për çdo transaksion. Tatimpaguesi dënohet me gjobë në rast se nuk lëshon kupon tatimor në konstatimin e parë të kryer dhe përveç masës së gjobës, për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative. Në konstatimin (verifikimin) tjetër pas konstatimit të parë, nëse tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor, përveç aplikimit të gjobës si në nënndarjen “a”, merret masa e bllokimit të veprimtarisë për 30 ditë kalendarike. Çdo konstatim i përsëritur i moslëshimit të kuponit tatimor, pas dy konstatimeve të sipërpërmendura, përveç aplikimit të dënimit si më lart, konsiderohet evazion tatimor. Tatimet kanë vendosur të publikojnë listën e kundrajvatësve të kuponit të tatimor për të rritur vullnetarizmin e bizneseve në lëshimin e tij, në këmbim të mosprishjes së imazhit./Gazeta Shqiptare

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY