Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të blejë sërish Euro

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të blejë sërish Euro

384
0
Shares

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të blejë euro, për të mbajtur në kontroll kursin e këmbimit valutor dhe për të mos lejuar mbiçmimin e lekut. Lajmi është bërë i ditur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili ka deklaruar, se Banka do të vijojë programin e blerjes së valutës, edhe pse në leximin e deklaratës politikës monetare tha se ndërhyrja e datës 6 qershor stabilizoi kursin.

Por Guvernatori ka theksuar, se ky program do të jetë i përkohshëm, pra me kohëzgjatje të kufizuar.

“Banka e Shqipërisë do të vijojë të jetë e pranishme në treg, duke blerë valutë, për të mbajtur nën kontroll kursin e këmbimit. Ndërhyrja që bëri Banka gjatë muajit qershor, solli një frenim të rënies së mëtejshme të euros. Bazuar në këtë praktikë, programi i blerjes së monedhës euro do të vijojë, por theksoj se ky program do të jetë i përkohshëm dhe me kohëzgjatje të kufizuar” tha Sejko.

I pyetur se sa është vlera e euros që u ble në treg nga Banka e Shqipërisë apo sa është sasia e euros që do të blihet, Sejko tha se kjo është e paparashikueshme. “Nuk e dimë dhe nuk mund ta dimë se sa euro do të blejmë në treg.

Qëllimi i ndërhyrjes është të arrijmë objektivin tonë kryesor, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, pra nivelin e inflacionit. Sipas analizave që kemi bërë, kemi përcaktuar ndikimin që ka mbiçmimi i kursit të këmbimit në arritjen e objektivit të nivelit të inflacionit. Kur vlerësuam që ai nivel kursi do të ndikonte negativisht në afatin e shkurtër dhe të mesëm të inflacionit të pritur – mund të na çonte dhe në një inflacion në nivelin 0, Këshilli Mbikëqyrës mori vendimin për të filluar një program të ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor, për të tërhequr tepricën e valutës për efekt të inflacionit”, tha Sejko.

Vendimi

Në daljen e tij për të zbardhur qëndrimin e radhës së Këshillit Mbikëqyrës, Sejko deklari se Banka vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1%. Në përditësimin e orientimit për tregjet, Guvernatori Sejko tha se nuk parashikohet një rritje e normës bazë të interesit para tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm. Argumentimin e këtij qëndrimi, Banka Qendrore e ka lidhur me ecurinë ekonomike të fillimvitit, e cila ka shfaqur trend pozitiv zhvillimi. “Në veçanti, rritja ekonomike e tremujorit të parë rezultoi më e lartë se pritjet tona, ndërsa inflacioni i muajve prill e maj shënoi një rritje të lehtë krahasuar me tremujorin e parë.

Tregjet financiare karakterizohen nga norma të ulëta interesi dhe tregues likuiditeti në përmirësim, por kursi i këmbimit vijon të shfaqet i fortë dhe rritja e kreditimit mbetet e ngadaltë”, tha Sejko. “Rifreskimi i parashikimeve nuk ka sjellë ndryshime të ndjeshme në trajektoret e pritura të zhvillimeve të ardhshme. Skenari bazë i pritjeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet, duke sjellë dhe forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Kursi i mbiçmuar i këmbimit do të tentojë të frenojë inflacionin gjatë tremujorëve në vijim, por efekti i këtij faktori pritet të jetë kalimtar. Për rrjedhojë, inflacioni do të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv, brenda vitit 2020”, u shpreh ai.

Dëmi nga zhvlerësimi

Gjashtë muaj pasi monedha e përbashkët europiane euro pësoi luhatje të fuqishme në tregun e këmbimit valutor, Banka e Shqipërisë ka pranuar ndikimin që ka sjellë tek prodhuesit dhe eksportuesit shqiptare. Në deklaratën e Politikës Monetare Sejko citoi edhe faktin, se zhvlerësimi i euros ka sjellë rritje të kostos së prodhimit. “Në këtë periudhë, që kur euroja filloi të zhvlerësohej në tregun e këmbimit valutor, është konstatuar, se është rritur kostoja e artikujve sidomos tek sektori i prodhimit”, u shpreh guvernatori. Euro pësoi rënie me rreth 10 lekë në harkun kohor të 5 muajve, përpara se Banka e Shqipërisë të merrte vendimin për të ndërhyrë në treg, duke blerë valutë e duke frenuar kështu një zhvlerësim të mëtejshëm. Kërkesë e bërë vazhdimisht gjatë asaj periudhe nga prodhuesit dhe eksportuesit, të cilët deklaruan për humbje në miliona euro nga rënia e fortë e monedhës evropiane.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY