Euralius, misioni me pikëpyetje të mëdha

Euralius, misioni me pikëpyetje të mëdha

120
0
Shares

Javën e kaluar Exit.al raportoi se si misioni i BE-së për ndihmën teknike në drejtësi, EURALIUS IV, ka qenë nën drejtimin e “Komitetit Drejtues”, i cili përveç zyrtarëve të BE-së dhe qeverisë shqiptare, ka si anëtar dhe avokatin Maks Haxhia, në kapacitetin e kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë (DHKA).

Njëkohësisht, Maks Haxhia është, që prej shtatorit 2017, avokati që përfaqëson dhe mbron ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri përballë Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda. Po ashtu, së fundmi, Haxhia përfaqësoi edhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja përballë Komitetit të Pavarur të Kualifikimeve, gjatë procesit të tij të vetingut.

Së fundmi, drejtimi i çështjes mbi Saimir Tahirin është marrë nga Donika Prela, shoqe e ngushtë e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, e cila e vuri atë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi shkarkoi nga ky post Besim Hajdarmatajt, prokurorin e dosjes Habilaj-Tahiri. Disa javë pas kësaj lëvizje, gjykata hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpiak” për Tahirin, i cili tani pret i lirë gjykimin për korrupsion dhe pjesëmarrje në një organizate kriminale.

Siç e kemi theksuar më parë, Marku u zgjodh pasi EURALIUS, i drejtuar nga Komiteti Drejtues ku Haxhia ishte anëtar, hartoi një “opinion ligjor” i cili e këshilloi shumicën socialiste që, në mënyrë të njëanshme dhe antikushtetuese, të emëronte një Prokuror të Përgjithshëm “të përkohshëm”.

Kështu, kemi një zinxhir të qartë ngjarjesh që lidhin hartimin e këtij “opinioni ligjor” nën drejtimin e Komitetit Drejtues dhe mënyrës se si është zvarritur hetimi penal i Tahirit përmes emërimeve politike pasi ky “opinion ligjor” solli në krye të prokurorisë të përzgjedhurën e shumicës socialiste.

Në fakt, Haxhia është në konflikt të qartë interesi, pasi ai është pjesërisht përgjegjës për opinionin ligjor që lejoi politizimin e Prokurorisë, veprim nga i cili ka përfituar një nga klientët e tij. Ky konflikt interesi bëhet edhe më i qartë, po të kemi parasysh se ekspertët “profesionalë” dhe “neutralë” të EURALIUS-it punonin edhe në zyrat e Dhomës Kombëtare të Avokatisë të drejtuar nga Haxhia. Në faqen 164 të Raportit Përfundimtar të EURALIUS-it për periudhën 1 shtatori 2014 deri më 31 maj 2017 pohoet:

’Një ekspert i EURALIUS-it menjëherë krijoi një lidhje të ngushtë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, dhe ai u vendos në zyrat e saj.’

Leximi i Raportit Përfundimtar na jep një ide të qartë se si  Komiteti Drejtues arriti ta ndryshonte misionin e EURALIUS-it nga mision të financuar nga Komisioni Europian për dhënien e ndihmës juridike ndaj pushtetit ekzekutiv në një institucion kolonial, i cili ndikoi të gjitha degët e pushtetit, duke minuar ndarjen e pushteteve, dhe i vendosi ato — përmes rishikimeve të kryera nga Komiteti Drejtues — nën kontrollin, në një shkallë të caktuar, të qeverisë.

Për shembull, Termat e Referencës origjinale të EURALIUS-it përmbanin aktivitetin 1.1.2 “Hartimi ose ndryshimi i ligjeve dhe akteve nënligjore të nevojshme të kërkuara nga strategjia”, të përcaktuar si më poshtë:

‘Mbështetje për zbatimin dhe mbikqyrjen e Strategjisë së Re të Reformës së Drejtësisë dhe planit të saj të veprimit, ndër të tjera, duke ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë në hartimin ose ndryshimin e ligjeve dhe akteve nënligjore të nevojshme të cilat kërkohen nga strategjia. Të sigurojë që këto masa të marrin në konsideratë masat përkatëse të strategjisë kundër korrupsionit.’

Megjithatë, Komiteti Drejtues e rishikoi përshkrimin e këtij aktiviteti në mënyrë që ai të përfshijë në mënyrë të qartë edhe Kuvendin, përfaqësuar nga Kryetari i atëhershëm i Komisionit Ad Hoc për Reformën në Drejtësi dhe Ministër aktual i Brendshëm Fatmir Xhafaj:

‘Mbështetje për zbatimin dhe monitorimin e Strategjisë së Re të Reformës në Drejtësi dhe planit të saj të veprimit, duke ndihmuar procesin e vazhdueshëm të hartimit dhe konsultimit në Parlament dhe Ministrinë e Drejtësisë, në hartimin ose ndryshimin e ligjeve dhe akteve nënligjore të nevojshme të cilat kërkohen nga strategjia. Të sigurojë që këto masa të marrin në konsideratë masat përkatëse të strategjisë kundër korrupsionit.’

Kështu, Parlamenti u shtua si një nga “objektivat” e EURALIUS-it, edhe pse ai nuk ishte pjesë e Procedurave Standarde të Veprimit të përcaktuara në kontratën e tyre, të cilat në mënyrë të qartë lejojnë kontakte vetëm me degën ekzekutive, por jo me degën legjislative të pushtetit. Dhe ky lloj kufizimi ka një arsye të shëndoshë: Komisioni Evropian është një organ ekzekutiv, i cili i ofron ndihmë nëpërmjet EURALIUS-it një organi tjetër ekzekutiv.

Është detyrë e Parlamentit dhe e Gjykatës Kushtetuese të kontrollojnë propozimet ligjore të ardhura nga qeveria me ndihmën e EURALIUS-it. Por duke i lejuar EURALIUS-it që të ndihmojë “procesin e hartimit dhe këshillimit të vazhdueshëm në Parlament”, Komiteti Drejtues, në thelb, shkatërroi autoritetin e parlamentit dhe minoi procesin legjislativ.

Një shembull tjetër është Aktiviteti 2.5.1 “Procedurat e reja disiplinore për avokatët dhe kërkesat e reja për sigurimin ndaj përgjegjësisë profesionale”, të përcaktuar fillimisht si më poshtë:

‘Mbështetje për Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë (DHKA) në zbatimin e Ligjit për Profesionin e Avokatit, procedurat e reja disiplinore për avokatët dhe kërkesat e reja për sigurimin ndaj përgjegjësisë profesionale.’

Kjo pikë ka kuptim, sepse Ministria e Drejtësisë dhe dega ekzekutive e pushtetit, në përgjithësi, duhet të jenë përgjegjës për ekzekutimin (zbatimin) e ligjeve. Megjithatë, Komiteti Drejtues e rishikoi edhe këtë pikë duke e bërë:

‘Mbështetje për Parlamentin dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë (DHKA) në zbatimin e Ligjit për Profesionin e Avokatit, procedurat e reja disiplinore për avokatët dhe kërkesat e reja për sigurimin endaj përgjegjësisë profesionale.’

Parlamenti nuk ka rol në zbatimin, por në hartimin dhe diskutimin e ligjeve. Përsëri Komiteti Drejtues e mjegulloi dallimin midis degës ekzekutive dhe asaj legjislative, duke lejuar që njëra të marrë rolet e tjetrës, duke e destabilizuar më tej sistemin politik dhe duke lejuar kapjen e të gjitha degëve të pushtetit nga qeveria.

Tani le të shqyrtojmë shkurtimisht termat e referencës për ato aktivitete të EURALIUS-it të cilat Komiteti Drejtues i anulloi dhe i hoqi nga detyrimet e misionit EURALIUS:

-Aktiviteti 1.2.6: Mbështetje për Drejtorinë e Buxhetit dhe Financave të Ministrisë së Drejtësisë për procedurat e prokurimit dhe shpërndarjen optimale të burimeve.

-Aktiviteti 1.3.2: Mbështetja e institucioneve shqiptare të shoqërisë civile në përpjekjet e tyre për të ofruar ndihmë juridike, në koordinim me Komitetin Shtetëror për Ndihmën Juridike dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë.

-Aktiviteti 4.2.1: Mbështetje për Ministrinë e Drejtësisë (Drejtorinë e Kodifikimit) për një rishikim të çështjeve që mbulohen nga Kodi Civil ,me qëllim të përditësimin e Kodit Civil, sidomos në kuadër të harmonizimit me acquis të BE-së.

Pra, përveç dëmtimit të procesit të rregullt legjislativ, Komiteti Drejtues—i përbërë nga zyrtarë të qeverisë shqiptare, ambasadorë të huaj dhe përfaqësues të tjerë si Maks Haxhia—refuzoi mbështetjen për përmirësimin dhe mbikëqyrjen e procedurave të prokurimit publik, për ndihmën juridike të ofruar nga shoqëria civile dhe për përmirësimin e Kodit Civil në përputhje me standardet e BE-së.

Natyrshëm, lind pyetja: të kujt janë këto prioritete, të Komisionit Evropian apo të qeverisë shqiptare?

/Exit.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY