INTERVISTA E PLOTË/ Fevziu: Sa ndikon oferta financiare mes Klan dhe Top...

INTERVISTA E PLOTË/ Fevziu: Sa ndikon oferta financiare mes Klan dhe Top Channel, dilemat e një vendimi të vështirë

235
0
Shares

Si njeri i medias, me eksperiencë të gjatë dhe të suksesshme, Blendi Fevziu e di mirë që kur përflitet shumë për një lajm, e mira do të ishte që vetë personi i thirrur në kauzë, të tregojë si qëndron e vërteta dhe Fevziu pranoi të japë një intervistë për “Panorama Plus” ku sqaron nëse do ta lërë Klanin për Top-Channel, nëse ka pasur ndonjë konflikt me mikun e tij të hershëm Frangajn, sa ndikim ka pasur miku tjetër i tij Ben Blushi etj..

Zoti Fevziu, hyjmë direkt e në temë me pyetjen e parë, a është e vërtetë se do ikni nga televizioni Klan? Nëse po, cila është arsyeja?

Meqenëse ky lajm është bërë publik dhe shumë njerëz më kanë pyetur mua dhe stafin tim, do jem shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë me ju. Disa kohë më parë, në një bisedë me Ben Blushin, drejtorin e ri të Top Channel, kemi folur për disa pakënaqësi të miat në Tv Klan. Kanë qenë probleme që lidheshin me mënyrën konceptuale dhe funksionale të televizionit, për të cilat ka debate në çdo media. Ben Blushi më bëri një propozim për t’u bërë pjesë e Top Channel. Duke parë mënyrën se si ai Televizion po fuqizon linjën politike dhe gazetareske pas ardhjes së Blushit, u ndjeva i tunduar nga ky propozim. Deri tani nuk kam marrë asnjë vendim nëse do transferohem në Top, apo do të qëndroj në Klan. E kam biseduar me disa nga njerëzit e mi të afërt dhe vendimin do ta marr shpejt, në përputhje me shumë ndjesi dhe fakte që kanë rëndësi për mua dhe stafin tim. Dhe natyrisht që të jenë të pranueshme për televizionin ku do punoj.

Por, sipas meje, kjo s’ka ndonjë interes për publikun. Largimi i “Opinion” nuk e dobëson Klanin. Mund të jetë një humbje që ka lidhje me pjesën emocionale dhe historike të Tv, por jo me të ardhmen. As shkuarja e “Opinion” në Top nuk e fuqizon atë. Televizioni është një harmonizim i shumë programeve dhe një emision më shumë apo më pak nuk luan asnjë rol në të. Për shikuesit, ata që e ndjekin prej 21 vitesh, besoj se “Opinion” do të vijojë.

Siç dihet, pronari i Klan, z. Frangaj nuk ka qenë thjesht punëdhënësi juaj, por edhe një mik i ngushtë. Çfarë ka ndodhur mes jush?

Mes meje dhe Aleksandër Frangajt nuk ka ndodhur asgjë konkrete. Vijojmë të jemi miq, por kohët e fundit unë kam pasur një objeksion timin lidhur me linjën programore dhe fenomene të tjera në Klan. Nuk është se i kam folur shumë me Frangajn gjatë kësaj kohe, por i kam diskutuar gjatë së fundmi. Si çdo debat që lidhet më punën, ka gjëra me të cilat kemi rënë dakord dhe gjëra për të cilat nuk mirëkuptohemi. Por ky është diskutimi i një njeriu që është pronar i Televizionit dhe një personi që thjesht shpreh idetë e tij, duke besuar se kështu do të ishte më mirë për vetë TV. Vendimmarrja i takoj Frangajt dhe besoj se ai e di këtë më mirë se kushdo.

Këtu dua të shtoj një gjë. Emisioni im, në 20 vite thuajse, nuk ka pasur kurrë keqkuptime në Klan dhe as probleme me Frangajn. I vetmi problem, i qershorit 2013, u tejkalua shpejt. “Opinion” ka vendosur ashtu siç ka besuar se ka qenë më mirë. Çdo produkt i mirë apo i kontestuar mund të gjykohet si çështje profesionalizmi, por jo influence të jashtme.

Dhe në mediat shqiptare ky është një aset i rrallë dhe shumë i vlefshëm që ka ardhur nga drejtuesit e TV.

Çfarë keqkuptimi ka për linjën programore?

Një debat i gjatë që lidhet me raportin e vlerave dhe qëndrimeve në TV. Nuk dua ta bëj publike sot, sepse nuk e shoh me vend. Ajo që më bën përshtypje, është se në parim të dy mendojmë njësoj, por në ekran korrigjimi nuk po vjen ende.

Lajmi i largimit nga Klan u shoqërua edhe me specifikimin e destinacionit të ri ku mund të shkoni, në Top Channel. Në çfarë faze bisedimesh jeni me drejtuesit e këtij televizioni? Sa ndikim ka pasur miku juaj i hershëm Ben Blushi, i cili është drejtor në këtë televizion, që ju të vendosnit për të ndërruar kanal pas shumë vitesh në Klan, pra, a është ai kumbari i këtij vendimi?

Me Topin kemi diskutuar detaje që janë kryesisht programore. Blushi ka qenë i hapur. Pa dyshim që nëse do të marr një vendim për t’u transferuar në Top, është kryesisht falë tij. E njoh që fëmijë dhe në thuajse 30 e ca vjet, kemi ndarë ide të ngjashme për politikën, mediat dhe shoqërinë. Kohët e fundit kam parë se në Top ai po mundohet të ndërtojë një projekt mediatik dhe kjo është shumë tunduese. A do ta arrijë këtë, nuk mund t’ju a them. Por jo të gjitha varen prej tij, padyshim.

Po modalitetet e tjera të kontratës tuaj në çfarë faze janë? Pagesa p.sh. si do jetë në Top Channel dhe kurioziteti është, a do paguheni më shumë se në Klan? Apo nuk janë paratë, por arsye të tjera që mund t’ju detyrojnë të largoheni, pas afro 20 vitesh, nga Klan?

Oferta financiare nuk ka asnjë ndikim. Në të dyja vendet është thuajse e njëjtë. Në 2013-n, kam pasur një ofertë shumë më të madhe edhe se sa kjo sot. Madje, edhe në 2006-n. S’ka lidhje me të ardhurat. Dhe meqë më flisni për oferta financiare, ju garantoj që në mediat shqiptare ka plot gazetarë që paguhen shumë më shumë se unë.

Në kurbat e audiencës, me të cilat ju orientoheni, duhet thënë se Klan ka përparësi si televizion në raport me Top Channel, sipas matjeve që bëjnë kompanitë e specializuara. Ju a mendoni se Top Channel do fitojë më shumë audiencë nëse do shkojë “Opinion” atje? Formati do jetë i njëjti apo do bëhen disa ndryshime dhe nëse po, cilat do jenë ato, sa herë në javë do të jetë?

E thashë që nuk besoj se një emision bën diferencë të madhe mes Tv-ve. E dyta, audienca është çështje e momentit, por ajo alternohet me projektin që një tv ka dhe me targetin e tij. Edhe pse i pashkruajtur, Tv Klan ishte një projekt mediatik i mirëfilltë. Frangaj pati me vete Andi Bushatin, Armand Shkullakun, Andi Bejten, Baton Haxhiun, Fatos Lubonjën, Alfred Pezën dhe të tjerë që mbase si kujtoj këtë moment. Edhe pse në vitet 2002-2009 Top Channel ishte superior në audiencë, si pasojë e problemeve të pronësisë në Klan, ky i fundit dominoi çdo betejë politike. Sot mbahet mend 2005, 2007, 2008, 2009 etj.. Sepse Tv është media. Njihet si i tillë. I pari dhe kryesori është mendimi dhe pastaj forma. Në atë kohë, mbaj mend që një tjetër Tv Kombëtar, TVA, pas largimit të Zhejit dhe Kel Demit, u investua në pjesën artistike, duke besuar se ky popull meriton më shumë spektakël dhe argëtim dhe sot nuk ekziston më!

Plus, audiencat ndryshojnë shpejt. 14 vjet më parë kishte shumë njerëz që vinin më thonin që “Klani mori fund”, por sot është televizioni më i madh në vend. Po kështu, 6 muaj më parë shumë vetë më thoshin po këtë gjë: “Topi mbaroi”. Tani duket ndryshe.

U bënë vite tashmë që temat e aktualitetit që ju trajtoni në “Opinion” janë opozitare me qeverinë, pavarësisht paneleve të balancuara. Në fakt, në këtë mënyrë, ju keni qenë në përmbushje të misionit tuaj si gazetar, por si ia keni dalë në raport me linjën editoriale të KLAN?

Emisionet e mia kanë trajtuar temën e ditës, e cila ka qenë më e mprehtë dhe më shqetësuese për shoqërinë. Edhe pse si të tilla, në shumë raste kanë rënë ndesh me politikat qeveritare. Më besoni, që të bësh një emision sot është shumë më e vështirë se 10 vjet më parë. Por në këto 20 vjet unë s’kam pasur kurrë ndërhyrje në përmbajtjen e emisionit dhe as në linjën editoriale të tij. Nuk kam pasur madje as debate normale me Frangajn, që në çdo vend pune janë të pashmangshme. Ky është argumenti më i rëndësishëm dhe i konsiderueshëm që mund të më bënte të vijoja edhe më tej në Klan.

Ju i lançoni temat, të paktën 24 orë përpara, a keni pasur presione për ndonjë temë të veçantë që të mos bëhej? A ju ka dështuar ndonjë emision për arsye të censurës, moskompletimit të panelit apo ndonjë incident tjetër?

Direkt tek unë jo. Presion jo. Por qëllon që më kontaktojnë të ftuarit, mundohen t’i manipulojnë etj.. Por mua, jo. Që prej 21 vitesh punoj me njerëzit më të fuqishëm, por edhe më problematikë të këtij vendi. Tensione ka pasur, por presion direkt mbi mua, jo!

Ka ndikime politike ose biznesi në vendimin tuaj?

Asnjë! E vërteta është ajo që ju thashë më lartë. Aleksandër Frangaj, Ben Blushi, Baton Haxhiu, Zamir Mane dhe 2 – 3 miq të tjerë që kanë folur me mua, e dinë fare mirë të vërtetën. Dhe kur unë flas hapur për ju, të gjithë këta, kanë mundësi të verifikojnë bisedat që kemi bërë.

Së fundi, nëse do të shkoni në Top Channel, do vijoni ta ruani miqësinë me Frangajn?

Sigurisht. Thashë më sipër që unë me Frangajn kemi pasur një bisedë mbi konceptet e TV-së, asgjë personale. Ju dhe çdo njeri që më pyet vazhdimisht këto ditë, duhet ta dijë që vendimi që unë duhet të marr, është shumë i vështirë. Në 30 vjet gazetari, unë kam ndërruar vetëm 2 vende pune. Në bindjen time, mendoja se “do vdisja” profesionalisht në Klan. Kurdo që të vinte kjo ditë. Sot më duhet të vendos midis një oferte shumë vlerësuese për mua personalisht dhe një projekti që më bashkon me 3-4 miq të vjetër në Top dhe stabilitetit të krijuar nga një raport që nuk është cenuar kurrë profesionalisht në Klan. Dhe një miqësie shumë të afërt 20-vjeçare me Aleksandër Frangajn. Po të ishit në vendim tim, edhe ju do ta kishit këtë vendim shumë të vështirë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY