Berisha: Banka e Shqipërisë të thotë vërtetën për rënien e Euros

Ndaje

Ish-Kryeministri Sali Berisha flet me shqetësim për rënien e monedhës së përbashkët europiane , e cila javën që lamë pas njohu nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit, 126.8 lekë, duke shënuar një rekord të ri. Ai thotë se pas zhvlerësimit të euros qëndrojnë paratë e kanabisit, të cilat kanë depërtuar në ekonominë vendase, ndaj i kërkon Bankës së Shqipërisë të bëjë transparencë për këtë fenomen.

 “I bëj thirrje Bordit të Bankës së Shqipërisë, guvernatorit të saj t’u thonë shqiptarëve të vërtetën, se kjo është një gjendje katastrofale që ndodh në Shqipëri nga narkoeurot. Narkoeurot janë helmi që baronët e drogës derdhin në Shqipëri çdo orë, çdo ditë, çdo minutë”.

Hedhja në treg e eurove që kanë për burim narkotrafikun sipas ish-kryeministrit, jo vetëm që është në shkelje të ligjit, por njëherazi po shkatërron ekonominë tonë.

 “Prishin tërësisht garën dhe kompeticionin. Narkoshteti është shndërruar në xhelat të vërtetë të ekonomisë shqiptare. Janë euro toksike që po shkatërrojnë çdo mundësi për konkurrencë të ndershme, garë të lirë. Por po godite eksportet ke goditur zemrën e prodhimit, po godite prodhimin ke godit punësimin”.

Një efekt negativ Berisha thotë se zhvlerësimi i euros po jep edhe tek remitancat e emigrantëve.

“Narkoeurot po godasin gjendjen ekonomike të mijëra familjeve që jetojnë me 200 Euro që u vijnë nga familjaret që jetojnë jashtë. Sot i kthejnë me 15% më pak dhe kjo për shkak të baronëve të drogës”.

Këtë të hënë pati një rritje të moderuar të euros që u shit me 127.7 lekë, sërish poshtë ekuilibrit afatgjatë të saj. Banka Qendrore i lidh rënien e monedhës me rritjen e eksporteve, investimeve të huaja dhe remtiancave , pa përjashtuar spekulimet në treg.

Leni një përgjigje