SHIFRAT ALARMANTE/ Viti 2017, 22 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet...

SHIFRAT ALARMANTE/ Viti 2017, 22 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së

190
0
Shares

Numri i shqiptarëve që aplikoi për azil për herë të parë në vendet e BE-së u ul në 22 mijë në vitin 2017, nga 29 mijë që ishin në vitin 2016 dhe 66 mijë në vitin 2015, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga agjencia europiane e statistikave Eurostat.

Ndryshe nga vitet 2015 e 2016, kur azilkërkuesit shqiptarë synuan më së shumti Gjermaninë, gjatë vitit 2017 destinacioni kryesor ishte Franca me mbi 11 mijë aplikime, pasuar nga Gjermania me gati 3,800 dhe Greqia me 2,300 aplikime.

Shqipëria përjetoi një bum azilkërkuesish në BE në vitin 2015 me mbi 66 mijë aplikime, ndërsa në vitin 2016, aplikimet e reja ranë në 29 mijë dhe në 2017 në 22 mijë.

Aplikimi për azil nga Shqipëria është një tentativë e pashpresë që duket se ndiqet nga njerëzit pa asnjë mundësi tjetër emigrimi. Shumica dërrmuese e aplikimeve për azil refuzohet nga vendet anëtare të BE-së, por azilkërkuesit duket se e përdorin këtë skemë për të qëndruar disa muaj në një vend anëtar të BE-së deri në gjetjen e mundësive për punësim. Nga të 22 mijë vetët që kërkuan azil, 6585 vetë ishin më pak se 14 vjeç, 1,490 ishin nga 14 në 17 vjeç dhe 12 mijë ishin mes 18 dhe 35 vjeç.

Emigrimi i minorenëve është bërë një problem shqetësues veçanërisht në Francë, vend ku autoritetet nuk kanë të drejtë ligjore të ekstradojnë të miturit në rast se nuk ka se kush t’i presë në Shqipëri.

Shqipëria është një nga vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve në raport me madhësinë e popullsisë dhe duket se konkurron denjësisht në këtë drejtim edhe me vende që kanë shumë vite luftë civile të pamëshirshme. Vlerësimi zyrtar i popullsisë banuese në Shqipëri është 2.8 milionë banorë. Gjatë tre viteve të fundit, 125 mijë shqiptarë ose 4.5% e popullsisë rezidente ka kërkuar azil në një nga vendet e BE-së. Rreth 42 mijë prej tyre kanë qenë më pak se 18 vjeç dhe 57 mijë kanë qenë mes 18 dhe 34 vjeç.

Azilkërkimi gjithsesi nuk është rruga e vetme e emigrimit. Kanali tjetër i rëndësishëm është bashkimi familjar.

Sipas të dhënave të Eurostat, 59 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi në vendet e BE-së gjatë vitit 2016, ku shumica e lejeqëndrimeve u morën në Greqi e Itali. Të dhënat për vitin 2017 nuk janë të disponueshme. Rreth 34 mijë morën leje qëndrimi për “arsye familjare”. Reporter.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY