Flet sekretari i PD-së: Basha ka detyrim ftesën, kritikët të marrin vendimin

Flet sekretari i PD-së: Basha ka detyrim ftesën, kritikët të marrin vendimin

94
0
Shares

Sekretari për Burimet Njerëzore në PD, Fatbardh Kadilli, beson se kreu i PD-së, Lulzim Basha, duhet të takojë çdo kritik apo kundërshtar të tij për t’i siguruar se ka hapësira bashkëpunimi.

 

Por, sipas Kadillit, këto takime nuk duhet të shërbejnë si negociata mes Bashës dhe personave të pozicionuar kundër tij brenda Partisë Demokratike. Në një intervistë për “Panorama”, sekretari për Burimet Njerëzore sqaron se grupi i punës i ngritur për të mbledhur propozimet për ndryshimet statutore dhe forcimin e PD-së ka marrë në shqyrtim të gjitha platformat, përfshirë edhe atë nga grupi i kritikëve të Bashës.

Z. Kadilli, ju bëni pjesë në Grupin e Punës për mbledhjen e propozimeve për ndryshimet në statut, i cili u ngrit pas mbledhjes së kryesisë. A ka pasur propozime në një kohë që afati dyjavor i punës suaj po skadon?

Grupi i punës ka në shqyrtim propozime që vijnë nga burime të ndryshme. Së pari, janë propozimet që kanë dalë gjatë analizës. Demokratët kanë shprehur opinione dhe kanë bërë propozime konkrete për mënyrën se si të zgjerohet demokracia në parti dhe të forcohet efektiviteti i saj si organizatë. Së dyti, ne kemi në shqyrtim edhe modelet që kanë rezultuar të suksesshme nga partitë simotra në Europë. Së treti, janë propozimet që vijnë nga dy flukse të ndryshme, që përbëhen nga individualitete politike të PD-së dhe që janë kristalizuar në një platformë politike dhe në një draft-statut krejt të ri. Së katërti, janë propozime individuale që janë adresuar tek anëtarët e grupit të punës. Këto propozime vijnë nga anëtarë të thjeshtë, kryetarë degësh apo dhe figura të rëndësishme që kanë dëshmuar agazhim për të kontribuar në këtë proces të rëndësishëm, madje do të thosha jetik për PD-në. Detyra jonë si grup pune është që të bëjmë maksimumin për të shqyrtuar me kujdes çdo propozim, për t’i sistemuar dhe për të prodhuar rekomandime që do të çojnë drejt një draftstatuti, ku të konvergojnë qasjet dhe vështrimet e ndryshme.

A ka pasur propozime apo kontakte me grupin e kritikëve të Bashës?

Propozimet e tyre kanë qenë publike. Unë përmenda platformën politike dhe një statut krejt të ri. Ato kanë lëndë të pasur me koncepte dhe parime politike për t’u shqyrtuar dhe ne po e bëjmë me seriozitet dhe përgjegjësi. Këto ide, koncepte dhe parime i kemi diskutuar edhe në biseda konsultative me disa figura të spikatura dhe me autoritet, por edhe me të tjerë më pak të njohur. Synimi ynë është që të përkthejmë në instrument statutor çdo propozim që ndihmon forcimin dhe efektivitetin elektoral të partisë, që zgjeron hapësirën e demokratëve për të vendosur ata vetë për punët e partisë, që shton garancitë për bashkëjetesën demokratike dhe hapësirën e veprimit në parti të çdo individualiteti dhe fluksi politik. Jam i bindur që do të kemi një produkt të paqortueshëm.

Sa serioz ka qenë procesi i analizës në PD?

Procesi i analizës ka qenë shumë serioz. Në të gjitha degët demokratët për rreth 3 muaj u përfshinë në një diskutim të ndershëm, të hapur dhe kurajoz. Vetëm në një proces të tillë mund të pohohet e vërteta, sado e hidhur, e zhvillimeve politike brenda dhe jashtë PD-së. Vetëm në një proces të tillë kritika merr kuptim, se bëhet jo vetëm për të pohuar, por edhe për të ndrequr gabimet dhe defektet. Analiza ka emërtuar jo vetëm gabimet, por edhe përgjegjësit duke filluar nga kryetari i partisë e duke përfunduar te kryetari apo anëtari i seksionit. Çdo degë ka prodhuar raportin e vet dhe ka nxjerrë detyra dhe propozime. Vlera reale e analizës qëndron pikërisht këtu, tek aftësia për të reflektuar dhe për të korrigjuar. Kjo mbetet për t’u parë e vlerësuar. Prova e parë do të jetë Kuvendi Kombëtar.

Kritikët e Bashës besojnë se ai ka qenë një proces fiktiv dhe ka nxjerrë rezultatet e kërkuara nga vetë Basha, cili është mendimi juaj?

Kritikët janë persona me përvojë politike, por duhet të them se kritika e tyre vjen nga analiza e tyre dhe nga optika e tyre. Unë vlerësova analizën e bazës së partisë. Një proces ku u përfshinë mijëra demokratë që e kanë prekur terrenin e tyre para, gjatë dhe pas fushatës, për mua ka jo vetëm shumë vlerë e seriozitet, por ka edhe shumë besueshmëri. Basha nuk ka paracaktuar asgjë në procesin e analizës. Basha ka qenë vetë në disa aktive degësh dhe ato i kanë shërbyer edhe atij vetë për të vlerësuar drejtpërdrejtë atë çfarë baza e partisë mendon, atë çfarë demokratët presin si reflektim prej tij. Të njëjtat mesazhe të qarta baza e partisë ka dhënë edhe për çdo funksionar, për çdo individ me peshë pjesë ose jo e lidershipit politik. E përsëris, vlera e vërtetë e analizës është reflektimi. Dhe ky reflektim pritet nga të gjithë.

A mendoni se Basha duhet të takojë personalisht njerëzit me kontribute ndër vite në PD për të bashkuar PD-në, një kërkesë e përsëritur edhe nga lideri historik Berisha.

Basha duhet të takojë çdo demokrat, madje duhet të takojë çdo qytetar. Edhe me ata që janë kritikë apo të pozicionuar si kundërshtarë. Takimi është minimum i përpjekjes për të siguruar hapësira bashkëpunimi. Natyrisht, nuk jam për takime të tipit negociatë. Ata që kanë pasur kontribute në vite kanë marrë dhe vlerësimin në vite. Basha ka detyrim ftesën e sinqertë dhe të vërtetë për këdo. Ata kanë detyrim të vendosin nëse duan të kontribuojnë ende.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY