ANALIZA/ Nevoja për planin e tranzicionit në PD

ANALIZA/ Nevoja për planin e tranzicionit në PD

153
0
Shares
Nga Andi Mustafaj
Andi Mustafaj

Duke denoncuar në mënyrë të vazhdueshme krimin dhe drogën që ka pushtuar Shqipërinë, Partia Demokratike ka zgjedhur themelin moral të veprimtarisë së saj opozitare, por nuk ka ndërmarrë hapat që nevojiten për ta përkthyer atë në program qeverisës. Si pasojë është thelbësore që të ndërtohet “Plani i tranzicionit” si shtyllë e dytë e modernizimit të Partisë Demokratike, së bashku me “Laboratorin e sukseseve”.

Kur Partia Demokratike erdhi në pushtet në vitin 2005, unë nuk i kisha mbushur akoma 17 vjeç. E mbaj mend shumë mirë atë periudhë. “Me duar te pastra” arritëm të sjellim një frymë shprese dhe optimizmi në një situatë ku nuk garantoheshin nevojat më minimale të jetesës për qytetarët.

I mbaj mend, gjithashtu, njerëzit me të cilët bëmë rrugëtimin, fjalët që thoshin, fjalimet që mbanin, premtimet që bënin, vlerat që mbartnin. Mbaj mend të rinjtë e asaj periudhe, me zjarr në zemër e xixa në sy.

Mendonim që do ndryshonim botën dhe, botën tonë, Shqipërinë, e ndryshuam shumë në vitet që pasuan. U sigurua furnizimi me energji elektrike apo me ujë. U modernizuan rrugët duke mundësuar qarkullimin e njerëzve, zhvillimin e turizmit dhe të shkëmbimeve ekonomike. U firmos Pakti i Stabilizim Asociimit, u arrit integrimi në NATO.

U arrit, gjithashtu, shumë shpejt zhdukja e bandave që terrorizonin vendin, betejë që shumë pak persona mendonin se mund të fitohej. Në të kundërt, një betejë nuk u fitua përfundimisht, ajo që duhej fituar mbi të gjitha për shkak se ishte themeli moral i veprimtarisë sonë opozitare, lufta kundër korrupsionit.

Përse? Është një pyetje, e cila më ka ndjekur që atëherë. Përse njerëz me vlera të padiskutueshme humbën? Përse të rinj me ideale u dorëzuan? Ekuacioni është shumë i thjeshtë: vetëm një pyetje e duhur sjellë një përgjigje të duhur.

Një fillim përgjigjeje e kam gjetur mbas bisedave që kam pasur me babain tim dhe lidhet me fodullëkun e treguar nga një pjesë drejtuesish politik dhe administrativ të PD-së. Ky fodullëk qëndron në idenë se: “unë jam më i mirë dhe si pasojë nuk ka asnjë arsye që të mos i realizoj objektivat e mia kur të ngarkohem me përgjegjësi”. Qëndron pra, në idenë se fuqia individuale është e mjaftueshme dhe lidhet deri diku me “sindromën e shpëtimtarit”.

Në të kundërt, personat e korruptuar ishin dhe janë bashkë. Ky bashkim krijon një zinxhir të ndërthurur interesash të paligjshëm shumë të vështirë për t’u thyer.

Ne, më thoshte babai, nuk duhet të mendojmë asnjëherë se jemi më të fortë se ata. Ne duhet të mendojmë se jemi më të vendosur dhe të vetëdijshëm mbi situatën në mënyrë që në përfundim, të jemi më të përgatitur se ata.

Një vazhdim përgjigjeje gjendet tek fakti se gabuam duke menduar se kishim kundërshtar qeverinë e Partisë Socialiste. Politika asohere ishte (dhe fatkeqësisht është akoma) e mbizotëruar nga pasioni, i cili derdhej në sheshin publik ku konfrontimi i njerëzve dukej gjëja e vetme që kishte kuptim.

Një parti politike, qoftë ajo në opozitë apo në qeveri nuk ka kundërshtar një parti tjetër e as një grup njerëzish, ajo ka përballë saj një sistem. Më herët do e kuptojmë, më herët do mund të ndërmarrim hapat e nevojshëm për ndryshimin e tij.

Sistemi është një realitet shumë i ndërlikuar dhe i thellë. Ai përbëhet nga shoqëria dhe tërësia e institucioneve që të gjitha së bashku, nëpërmjet marrëdhënieve që kanë me njeri – tjetrin vendosin dhe përkufizojnë “normalitetin” në shoqëri.

Sistemi nuk ka një realitet të përcaktuar dhe të ngrirë. Në të kundërt, ai ka një gjeometri të ndryshueshme dhe shpesh shumë, a pak, të qëndrueshme. Ndonjëherë është e gjithë shoqëria që ndikon në përkufizimin e normalitetit e ndonjëherë vetëm një pjesë e saj. Ndonjëherë shteti e krijon normalitetin, e ndonjëherë thjesht e përkthen atë në akte juridike. Ndonjëherë disa institucione e shoqëri private zënë një vend të tillë sa që arrijnë të ndikojnë në përkufizimin e normalitetit për çështje të caktuara.

Sistemi duhet kuptuar qartë, ai nuk është as i mirë dhe as i keq, është neutral. Ne jemi të gjithë pjesë e tij, si pasojë, ai nuk mundet dhe nuk duhet luftuar, ai duhet ndryshuar. Duke ndryshuar ose ndikuar sistemin, ndryshojmë përkufizimin e normalitetit mbi çështje të caktuara dhe si pasojë sjellja e njerëzve do të ndryshojë.

Një fund përgjigja besoj se gjendet tek fakti që gabuam në kuptimin e zhvillimit të korrupsionit në vendin tonë. Ne menduam se korrupsioni ishte një fenomen, pra një shfaqje e diçkaje anormale ose e çuditshme në shoqëri, që lind nga veprimi i forcave të caktuara.

Si i tillë, forca e qeverisë nëpërmjet shumëllojshmërisë së mjeteve juridike (Kushtetuta, ligji etj.) që disponon duhet të ishte e mjaftueshme për ta mundur. Ky ishte për shembull rasti me bandat që terrorizonin vendin ku u arrit një fitore e madhe nga PD. Por, ky nuk ishte rasti i korrupsionit, sepse në çastin ku ne erdhëm në pushtet në vitin 2005 korrupsioni ishte bërë, në fakt, pjesë e plotë e normalitetit.

Shteti është vetëm një pjesë e sistemit. Nëse rrethanat nuk janë të duhurat, përdorimi i tij i mjeteve juridike nuk vendos dot normalitetin. Në të kundërt, në të njëjtën mënyre si flluskat spekulative në financë e ekonomi krijojnë një boshllëk midis normalitetit juridik dhe normalitetit të vërtetë.

Ne nuk na pengojnë ligjet, ligje kemi plot. Shumë prej tyre përmbushin objektivisht standardet më të mira europiane. Ne na pengon vetëdija për situatën dhe vullneti për ta ndrequr atë.

Korrupsioni atëherë, krimi dhe droga sot, njëlloj kanë depërtuar dalëngadalë ndërgjegjen dhe nënndërgjegjen e shoqërisë. Ndihmuar nga bashkëpunimi fatkeq i një pseudo elite politike dhe mos reagimit qytetar është bërë pjesë e normalitetit në vendin tonë.

Si pasojë, është thelbësore që PD të fillojë të ndërtojë menjëherë “Planin e tranzicionit” si provë e vetëdijes së saj përballë situatës në të cilën ndodhemi si dhe përgatitjes për ndryshimin e sistemit dhe zhdukjen e krimit e drogës që ka pushtuar vendin.

Këto objektiva duhet të shpallen kauzë madhore kombëtare, ndjekja e të cilave duhet t’i ngarkohet një Zëvendëskryeministri/tre. Kjo kauzë do të prekë një shumëllojshmëri fushash mbi të cilat duhet të ndërmerren masa të veçanta dhe të sigurohet në çdo rast koherenca e përgjithshme e veprimit.

E para në Ministrinë e Arsimit nëpërmjet përmirësimit rrënjësor të pjesës së “edukimit” të brezave që po vijnë. Duhet të krijohet vetëdija tek rinia shqiptare për rrugën që po merr vendi. Duhet të rindërtohet një bosht i ri vlerash ku banditët të mos shihen më për gjë tjetër veçse shkatërrimin dhe mjerimin që veprimtaria e tyre sjell. Duhet nxitur syri kritik i një rinie, e cila mbart brenda saj çdo ndryshim madhor për një vend.

E dyta në Ministrinë e Drejtësisë nëpërmjet hartimit të një amnistie të veçantë për personat që janë bashkëpunëtorë “jo substancial” në trafikun e drogës si për shembull personat që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kanë vënë në dispozicion tokat e tyre për trafikantët. Ne nuk mund të rishkruajmë historinë dhe nuk duhet të jetojmë me kokën mbrapa. Duhet të hapim një derë drejt së ardhmes në bazë të së cilës qëndron fryma dhe dëshira për të ecur përpara.

E treta në Ministrinë e Financave për shkak se rifitimi i fushës së humbur do kaloj pa asnjë dyshim nëpërmjet një faze tranzicioni mbështetur nga ndihma me karakter financiar të shtetit. Ne nuk mund të kërkojmë që brenda një dite çdo gjë të ndryshojë, – ndryshimi duhet shoqëruar. Ne, nëpërmjet ardhjes në pushtet, duhet të krijojmë kushtet që të rindezim një xixë brenda shoqërisë. Vetëm kjo e fundit mund të rindezë zjarrin.

E katërta në Ministrinë e Ekonomisë nëpërmjet rikrijimit të besimit të qytetareve dhe investitorëve në ekonominë shqiptare si dhe parashikimit të pasojave mbi ekonominë e ndryshimit të sistemit. Pasoja që do të jenë të sigurta për shkak të ngadalësimit të lëvizjes së parave të pista.

E pesta në Ministrinë e Brendshme nëpërmjet përgjigjes ndaj pyetjes ekzistenciale sesi një institucion kaq rrënjësor mund të luajë rolin e saj mbas instrumentalizimit që i kanë bërë prej kaq shumë vitesh politika dhe krimi.

E gjashta në Ministrinë e Mbrojtjes nëpërmjet luajtjes së një roli të ri në këtë kauzë kombëtare, më të veçantë, aktiv dhe strategjik në luftën ndaj narkotrafikantëve.

Sigurisht, këto elemente nuk janë shteruese dhe kërkojnë një debat shumë më të gjerë për të krijuar planin përfundimtar të tranzicionit, i cili së bashku me “Laboratorin e sukseseve”, do përbëjnë dy shtyllat që do shënojnë modernizimin e Partisë Demokratike.

Është thelbësore që sot, ne që përbëjmë brezin e ri të Partisë Demokratike, të marrim stafetën duke qenë të vetëdijshëm për arritjet e brezave të mëparshëm, por edhe të gabimeve të tyre që të jemi në gjendje të nxjerrim mësimet e duhura. Ne duhet të ecim me modesti përpara sfidës që na pret, të mos shohim armiq përballë, por një sistem të ri për t’u ndërtuar, ku të gjithë kanë rolin e tyre.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY