SKANDAL & DOKUMENTE/ Ja shembulli si i lëshon lejet e ndërtimit Erion...

SKANDAL & DOKUMENTE/ Ja shembulli si i lëshon lejet e ndërtimit Erion Veliaj

453
0
Shares

Shumë nga kritikët e Erion Veliajt e kanë shpjeguar firmosjen e plot 167 lejeve të ndërtimit prej tij, pasi kishte premtuar gjatë fushatës zero ndërtime në Tiranë, me faktin se pas gjithë kësaj vale betonizimi fshihen motive okulte. Ndoshta edhe korruptive (lexo shkrimet poshte).

Lapsi.al sot disponon provën e zbardhjes së një leje ndërtimi, megjithëse në tokën ku po ndërtohet pallati 9-katësh një nga pronarët nuk e ka dhënë konsensusin. Dhe nuk bëhet fjalë për një ndërtim të fshehtë diku në periferi, por për një pallat në mes të Tiranës, mbrapa Restorant Piacës (foto e ndërtimit).

Dhe Bashkia e Tiranës i ka hapur dritën e gjelbër kësaj shkeljeje, ndërkohë që më parë edhe kryebashkiaku socialist Edi Rama, por dhe pasardhësi i tij Lulzim Basha, kishin refuzuar ta bënin këtë, pikërisht për problemet e pronësisë.

Si qëndron ky problem, për të cilin Lapsi.al disponon dosjen e plotë të korrespondencës me bashkinë dhe të vendimeve të njëpasnjëshme të gjykatave?

Në 4 shkurt 2003, Bashkia Tiranë, atëherë e drejtuar nga Edi Rama, miraton një leje ndërtimi për objekt komercial dhe banesë midis rrugëve “Sulejman Pasha” dhe “Mine Peza”. Por, prej një dekade e gjysëm kjo leje nuk zbardhet kurrë dhe punimet nuk fillojnë, sepse aty konstatohet një problem pronësie.

Këtë problem pronësie, të çertifikuar në formë të prerë edhe nga gjykatat shqiptare, e kanë njohur edhe me radhë tre administrata bashkiake, ajo e Edi Ramës, ajo e Lulzim Bashës dhe së fundi ajo e Erion Veliajt në fillimet e saj.

Të gjitha, njëra pas tjetrës, në korrespondencën që i kanë dërguar njerëzve që pretendojnë një pjesë të pronësisë mbi truallin ku do të ndërtohet, shkruajnë shprehimisht se “vendimi për zbardhjen e lejes për kompaninë “Alb Toronto konstruksion” mbetet i pezulluar.

Lapsi.al i disponon këto shkresa (shiko faksimilet më poshtë).

Bashkia e periudhës Rama konfirmon se vendimi do të mbetet i pezulluar…

Bashkia e periudhës Basha përsërit të njëjtën gjë…

Madje edhe në fillimet e saj, bashkia e Erion Veliajt e pranon problemin që shoqëria ndërtuese “Alb Toronto Konstruksion” ka me një nga pronarët e truallit, Ilirian Çelën dhe pranon se procedura e zbardhjes së lejes së ndërtimit ka mbetur e papërfunduar dhe projekti i zbatimit të arkitekturës nuk është vulosur.

Madje ndryshe nga dy bashkitë e para, ashtu sikurse mund të shihet në faksimilen poshtë, këtë dokument e nënshkruan vetë kryetari Veliaj, gjë që tregon se ai është i informuar dhe e njeh problemin që e pengon ndërtimin.

Ndërkohë vitet kanë kaluar dhe kompanisë së ndërtimit Alb Toronto Konstruksion i përfundon leja e ndërtimit e dhënë nga Edi Rama. Ajo i drejtohet gjykatës dhe arrin të marrë vendimin për një shtyrje të afatit të kësaj lejeje.

Pra, në thelb, me gjykatë firma ndërtuese bën të vlefshme atë leje që i kishte dhënë Edi Rama që në vitin 2003. Por që më pas të gjithë kryebashkiakët me radhë nuk kishin pranuar ta zbardhnin dhe ta vulosnin për shkak të problemeve të pronësisë.

Por këtu, Erion Veliaj, megjithëse është në njohje të mirë të situatës, bën një gjë që nuk kishte pranuar ta bënte më parë (shiko shkresën e nëntorit 2015). Ai pretendon se gjoja pas vendimit të gjykatës, ndërtimi nuk ka më arsye të mbahet pezull.

Pra ndryshe nga Rama, Basha dhe vetja e vet, ai hap dritën jeshile për ndërtimin mbi një truall, ku njëri nga pronarët, Ilirian Çela, nuk ka rënë dakord me ndërtuesin.

Ai i hap kështu rrugë, përmes një artifici gjyqësor, me vetëdijen e tij të plotë, grabitjes së një prone mu në mes të Tiranës.

Natyrisht, ajo që është në lojë nuk është e vogël. Vetëm shmangia e taksës së re të ndikimit në mjedis (për një leje që konsiderohet si e dhënë në 2003-shin) përbën një portofol prej qindra mijëra eurosh.

Dhe vend për zhurmë nuk ka. Mediat më të mëdhaja në vend e tregojnë “Lali Erin” vetëm duke mbjellur pemë dhe bërë bamirësi. Askush nuk guxon të tregojë anën e errët të Bashkisë së Tiranës që ka në dorë lejet e ndërtimit. Për më tepër, në zhurmën e madhe të 167 pallateve të firmosura në Tiranë, fati i vetëm njërit prej tyre humbet si kripa në det. Dhe këto të gjitha bashkë, të shoqëruara me vendime kontradiktore gjykatash, bëjnë që të grabitet një tokë në mes të Tiranës.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY