ANDI MUSTAFAJ/Nevoja për laboratorin e sukseseve në PD

ANDI MUSTAFAJ/Nevoja për laboratorin e sukseseve në PD

196
0
Shares
Andi Mustafaj

Duke hyrë në një fazë të re protestash, Partia Demokratike po konfirmon përqendrimin e plotë të strategjisë së saj tek revolta duke anashkaluar elementin tjetër thelbësor të veprimtarisë opozitare që është ndërtimi. Është thelbësore që PD të reagojë shpejt duke krijuar laboratorin e sukseseve.

Protestat dhe denoncimet, janë padyshim elemente thelbësore të aksionit opozitar. Megjithatë, shpirti i revoltës, aftësia për të nxitur revoltën, nuk munden kurrsesi, të vetëm, të krijojnë qeveritarë të mirë dhe të dobishëm për vendin. Këtë gjë na e ka treguar më së miri brezi, i cili solli rrëzimin e komunizmit.

Është shumë e thjeshtë, aftësia për të nxitur revoltë është si një pasqyrë, e cila e vetme reflekton vetëm atë që sheh. Që të krijosh një numër të pafundmë mundësish, duhet që përballë saj të vendosësh një pasqyrë tjetër që është aftësia për të ndërtuar.

Përqendrimi i tërësishëm i PD tek revolta krijon një boshllëk, i cili bën të peshojë mbi të 3 rreziqe të mëdha: legjitimiteti i cunguar, deformimi i brezave dhe mungesa e identitetit politik.

Legjitimiteti i cunguar në radhë të parë. Nëpërmjet protestave dhe denoncimeve, ajo që Partia Demokratike i kërkon qytetarëve, është aderimi në bazë të kundërshtimit: “Hajdeni me mua, sepse tjetri është i keq”. NË këtë rast, emëruesi i përbashkët nuk është PD, ajo është vetëm një mjet. Emëruesi i përbashkët, që lidh të gjitha palët, deri tek aleanca kundër natyre me LSI, është pakënaqësia ndaj qeverisë.

Nëse rrëzimi i qeverisë ndodh, emëruesi i përbashkët do të zhduket dhe PD do të zbulojë se është shumë me e dobët sesa ç’mendonte, sepse kundërshtimi nuk sjell përkrahje pozitive, nuk është votë. Ajo do të duhet të ndërtojë me urgjencë, pra keq, atë që duhet të kishte ndërtuar kur ishte në opozitë dhe do qeverisë me një legjitimitet te pjesshëm.

Deformimi i brezave në radhe të dytë. Lulzim Basha solli në Partin Demokratike atë që ai e quajti një “brez te ri”, ekipin e vet, të cilin e cilësonte të domosdoshëm për të ndjekur politikën e tij. Mirëpo, deri me tani, ky brez, është ushqyer vetëm nga revolta duke krijuar një lloj negativiteti.

Ky negativitet është lehtësisht i perceptueshëm po të ndjekësh shumicën dërmuese të aktivitetit të përfaqësuesve tanë në rrjetet sociale, në parlament apo në median vizive ku mbizotëron sulmi, denoncimi, ballafaqimi, shpesh i dhunshëm dhe gjithmonë steril.

Nuk dëgjojmë këtë brez të marri pjesë në mënyrë aktive në propozimin e reformave, në propozimin e një programi politik, nuk e shohim në aktivitetet e shoqërisë civile apo ne debatet e mëdha shoqërore. Debati rreth ideve po shuhet.

Mungesa e identitetit politik në radhë të tretë. Ndërtimi i një rryme rreth një emëruesi të përbashkët bazuar mbi kundërshtimin krijon, gjithashtu, dhe, pa asnjë dyshim një humbje të identitetit politik të PD.

Shumë lehtë mund të shtrohet pyetja: përse ju deputetët, drejtues, anëtarë, militantë të Partisë Demokratike jeni sot bashkë? Gati gjithmonë, përgjigjja do shkoj tek emëruesi i përbashkët i revoltës, ne jemi bashkë për të luftuar “Rilindjen Socialiste”. Po mbasi ky emërues i përbashkët të zhduket me rënien e kësaj qeverie, çfarë do na bashkojë?

Partinë e sotme Demokratike nuk mund ta lidhim me arritje (përtej denoncimeve) që të krijojë aderimin nëpërmjet suksesit dhe nuk mund ta lidhim me një program që të sjellë aderimin nëpërmjet ideve. Si pasojë, nuk ekziston një identitet politik i përbashkët midis anëtarëve të sajë.

Rreziku është i madh, që të kthehemi në një forcë politike pa identitet, pa legjitimitet, me një brez të tërë të pa përgatitur e të deformuar. A mund ta sjellim në këto kushte ne vërtetë ndryshimin kaq të nevojshëm për Shqipërinë?

Partia Demokratike duhet të reagojë dhe të reagojë shpejt duke ndërtuar menjëherë laboratorin e sukseseve.

Detyra e parë e këtij laboratori duhet të jetë arritja e sukseseve të prekshme nga qytetarët nëpërmjet mbështetjes së aktivitetit politik të bashkive të drejtuara nga Partia Demokratike.

Këto të fundit, si Shkodra, Kavaja dhe Pogradeci, ndodhen në një gjendje shumë të vështirë për shkak të sulmeve publike të vazhdueshme të qeverisë apo të prerjes së fondeve.

Mbështetja që laboratori i sukseseve duhet t’i japë këtyre bashkive do të krijojë një solidaritet midis veprimtarisë politike kombëtare dhe lokale të PD, do të mundësojë që brezi i ri PD të ballafaqohet me një realitet tjetër ku synimi nuk është me kundërshtimi, por ndërtimi, ndërtimi i një politike lokale të suksesshme, i një marrëdhënie të fortë me qytetarët dhe mediat, në terren dhe në internet.

Ne këtë mënyrë, PD do të tregojë se mbetet një parti qeverisëse, e ndërgjegjshme për detyrat e veta dhe me arritje të prekshme që do të bindin qytetarët se ajo eshtë alternativa e vetme përballë drejtimit katastrofik që po merr vendi.

Detyra e dytë e laboratorit të sukseseve duhet të jetë impulsi dhe koherenca ideologjike nëpërmjet hartimit të programit politik dhe pjesëmarrjes aktive në betejën e ideve, kudoqofshin ato.

PD nuk mund të pajtohet me situatën politike të krijuar nga PS, e cila nxit në mënyrë të vazhdueshme zhdukjen e betejës së ideve për t’u përqendruar tek luftërat personale. Duke vepruar kështu, ajo e dobëson PD, sepse i heq mundësinë që të nxisë përkrahjen pozitive të qytetarëve dhe e kufizon tek revolta, të cilës i ka hyrë me kokë.

Laboratori i ideve duhet, gjithashtu, të vendosë një mbikëqyrje mbi veprimtarinë politike në rrjetet sociale, e cila sot nuk zbaton asnjë strategji, nuk ndjek asnjë qëllim, është kaotike dhe shpesh kundër-produktive.

Duhet të jemi të qartë, pa përkrahje të plotë dhe pozitive të qytetarëve, ne nuk mund të fitojmë. Në të gjitha rastet e mundura, duhet të rikuperojmë terrenin e braktisur të ideve, të shkojmë atje ku kundërshtari nuk na pret. Duke shkuar në mënyrë të vazhdueshme përpara parlamentit apo kryeministrisë, ne jemi pikërisht aty ku Edi Rama na do dhe di të na luftojë.

Lajtmotivi i veprimtarisë sonë duhet të jetë krijimi i kundër shembullit. Në këtë mënyrë lufta ndaj qeverisë do jetë totale, në të gjitha fushat, kombëtare, lokale dhe të ideve duke na dhënë një identitet të plotë politik. Ky identitet i rigjetur, i mbështetur nga një përkrahje negative (nëpërmjet revoltës) dhe pozitive (nëpërmjet ndërtimit) të qytetareve shqiptarë, do të na japë forcën e duhur për t’i bërë ballë sfidave marramendëse përballë të cilave po na lë e ashtuquajtura “Rilindje socialiste”. /Gsh.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY