Basha: Ftojmë shqiptarët të na bashkohen në 27 janar, objektivi i protestave...

Basha: Ftojmë shqiptarët të na bashkohen në 27 janar, objektivi i protestave largimi i qeverisë së paligjshme

79
0
Shares

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka ftuar sot të gjithë shqiptarët të bashkohen më datë 27 janar, të shtunën në orën 12.00, në një protestë mbarëpopullore kundër varfërisë, për politikën dhe drejtësinë të çliruar nga krimi.

Në një prononcim për mediat, Basha bëri të ditur se raporti i CIA-s faktoi se Shqipëria është një narkoshtet dhe se ky narkoshtet është  ndërtuar mbi paligjshmërinë. Pasojat e paligjshmërisë i ndjen çdo shqiptar nëpërmjet varfërisë, pasigurisë, papunësisë, padrejtësisë, çmimeve dhe taksave të larta.

Sipas Bashës, objektivi i protestave dhe aksionit opozitar është largimi i paligjshmërisë, duke nisur me largimin e një qeverie të paligjshme, krijimin e një qeverie Antimafia që do t’i japë shqiptarëve, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverinë që meritojnë.

Deklarata e plotë e kreut të PD-së, Lulzim Basha

 “Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen me datë 27 janar, të shtunën në orën 12.00, në një protestë mbarëpopullore kundër varfërisë, kundër krizës ekonomike, kundër papunësisë, kundër padrejtësisë dhe drejtësisë së kapur politikisht, për një drejtësi të çliruar nga krimi, të çliruar nga politika dhe pushteti i bërë njësh me krimin. Drejtësi për të papunët, drejtësi për të rinjtë, drejtësi për studentët, drejtësi për ata që duan ta ndërtojnë jetën në Shqipëri dhe jo të largohen si emigrantë dhe t’i dorëzohen fatit e rrugëve të kurbetit.

Dhe gjithçka nis nga kthimi i paligjshmërisë në vend. Nëse sot kemi një narkoshtet, siç fakton raporti i sapopublikuar i CIA-s i SHBA-së, ky narkoshtet është ndërtuar mbi paligjshmërinë.

Paligjshmëria është themeli i zgjedhjeve të kapura, i votës së shantazhuar, i blerë e i kërcënuar i shqiptarëve që ka çuar në një Parlament të paligjshëm, në një qeveri të paligjshme, në një kryeministër të paligjshëm, që pastaj e ka të domosdoshme kapjen e një prokurori të paligjshëm, për të mbrojtur paligjshmëritë për të mbrojtur aferat kriminale dhe korruptive, për të mbyllur dosjet e krimit dhe të korrupsionit.

Pasojat e paligjshmërisë i ndjen çdo shqiptar. Papunësia ka për rezultat paligjshmërinë e cila i merr pasuritë dhe paratë e taksapaguesve të këtij vendi dhe i shpërndan tek një grusht sunduesish, në vend që t’i çojnë në spitalet që vuajnë nga mungesa e ilaçeve, nga mungesa e mjekëve dhe infermierëve, në vend që t’i çojnë në shkollat që nuk kanë ngrohje, në vend që t’i çojnë në investime, të hapin vende të reja pune, duke ndihmuar ekonominë.

Objektivi politik i opozitës i shpallur prej kohësh, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse dhënia fund e kësaj paligjshmërie, përmes një qeverie antimafia me mandatin që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme për një Shqipëri të taksave të ulëta, për një qeveri që garanton, përmes përpjekjeve të saj, mundësitë maksimale për punësim për njerëzit.

Për një Shqipëri e cila ka çmimet e energjisë, naftës dhe ujit, jo më të lartat në rajon, dhe ndër më të lartat në rajon, por proporcionale me fuqinë blerëse të shqiptarëve.

Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen në këtë manifestim të madh proteste, e cila ka këtë qëllim; largimin e paligjshmërisë, duke nisur me largimin e një qeverie të paligjshme, me një qeveri Antimafia, që do t’i japë shqiptarëve, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverinë që meritojnë, të taksave të ulëta, të punësimit  dhe dinjitetit për çdo shqiptar.

Partia Demokratike dhe natyrisht i gjithë koalicioni opozitar dhe të gjithë aleatët  në këtë përpjekje të përbashkët, kanë nisur dhe do të intensifikojnë me të gjithë qytëtarët shqiptarë një dialog për t’i paraprirë kësaj proteste.

Ftojmë të gjithë opinionbërësit, liderët e opinionit në këtë shoqëri, që frymën e refuzimit që sot preket në çdo shtëpi shqiptari, preket në çdo shesh qyteti, në institucionet publike dhe ndërmarrjet private, ta kthejmë në një frymë proteste.

Të gjithë bashkë përmes pjesëmarrjes qytetare në këtë protestë, të japim sinjalin se e keqja ka marrë fund dhe së bashku do të marshojmë drejt një Shqipërie europiane, të drejtësisë së pakapur politikisht, të drejtësisë që ndërshkon dhe nuk  mbron krimin dhe korrupsionin, të ekonomisë që punon për njerëzit dhe jo për një grusht kriminelësh pushtetarësh apo oligarkësh dhe të shërbimeve për qytetarin në shëndetësi arsim, me  pensione më të mira njerëzish, me ndihmë sociale. Dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me jetën dinjitoze siç e meritojnë dhe siç mund e  duhet ta kenë shqiptarët nëqoftëse bashkohemi dhe siç jam i bindur, do  të bashkohemi më 27 Janar ditën e Shtunë , në orën 12.00”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY