ARTAN FUGA/ Per nje fjale goje!

ARTAN FUGA/ Per nje fjale goje!

140
0
Shares
Po ecnim të dy tok buzë Lanës, aty ku ajo zgjatet paralel me Pallatet Agimi. Ishim miq të vjetër, ai edhe unë. Ai vinte nga Tirana, ku kishte kryer gjimnazin, kurse unë nga Devolli. Ishim takuar qysh ditën e parë të studimeve universitare në Dragostun, ku bënim aksionin për ndërtimin e Hekurudhës Tiranë – Pogradec. Hekurudha nuk ekziston më si insfrastrukturë në shfrytëzim, por kujtimet tona, si edhe miqësia e hershme, e të gjitha viteve më pas, kishte mbetur e gjallë. Si reja e bardhë që mbetet në qiellin blu edhe pasi avioni mbase është ulur në tokë dhe e kanë futur në hangar.

Ecnim dhe bisedonim. Dikush erdhi nga pas. Ishte gjysëm i dehur. Me një kasketë të zhytur deri te veshët. Me një pallto të vjetër, plot njolla dhe zbokth përsipër. E kapi për qafe mikun tim, e përqafoi dhe i kërkoi pesëqind lekë.
“M’i jep vëlla se nuk kam pirë gjë sot!” i tha.
Prita që miku im ta shihte me indiferencë, por ndodhi e kundërta.
“O oooo posi”, i tha dhe i la njëmijë lekë në dorë.
U përqafuan dhe ne ikëm tutje, ne në rrugën tonë, ai në rrugën e tij.
“Qenke bërë shumë dorëlëshuar.” – thashë mikut tim.
“E kam pasur shok klase.” – vazhdoi. Sa herë e shoh më vjen ndër mend që jeta mund të ndryshojë në një çast të vetëm, pastaj dhjetra vite mund të kalojnë dhe nuk ndodh asgjë me të vërtetë e re. Por, njeriu nuk e di në çastin e tanishëm se cila prej ngjarjeve që jeton e përjeton është e tillë që mund t’i ndryshojë jetën, dhe cilat janë ngjarjet që edhe sikur njëmijë herë të përsëriten, nuk i sjellin asgjë të re në jetën e tij. Kjo është drama.”
“Ore lëri filozofimet, thuaj se doje t’i jepje ca lekë këtij pijanecit për shpirtin tënd, a se je bërë supersticioz, por mos më trego historira me kthesa në jetë, me të prapritura.”
“Dëgjo, ky pijaneci gjysëm lypsar që sapo pe, dikur, në djalërinë e tij ishte si unë e si ti. Në vend të shëtisja me ty, tani ndoshta do të isha përkrahu me të. E kam patur shok klase në tetëvjeçare. Kishte një zgjuarësi fenomenale, ishte shpuzë.”
“Cfarë i ndodhi?” – nisa të bëhesha kurreshtar unë.
“Ti e di se mosha 15 vjeç është shumë e rrezikshme, sidomos për djemtë, por edhe për vajzat. Nuk e di si ndodhi, por gjatë dimrit, në klasë, në pushimet mes orëve mblidheshim të gjithë vajza e djem pas sobës prej teneqeje që bubulonte zjarrin te një cep i klasës. Bënte ftohtë dhe atje trupat tanë gjithë energji merrnin ngrohje dhe eksitoheshin edhe më tepër. Faqet na skuqeshin, mishi i trupit bëhej i zjarr, sytë na ndriçonin si thëngjij. Aty rreth sobës ndodhi një ditë gjëma. Nuk e di si nisi. Mbase kur kujtoj ato kohë sot them se nisi përshkak se të gjithë donin të ishin më afër zjarrit përvëlues se të tjerët. Nisi një si një shtyrje trup më trup midis të gjithëve se kush do të ishte më pranë zjarrit. Pastaj dalëngadalë u transformua në një lojë që të gjithë e donin, por të gjithë bënin sikur ankoheshin prej saj. Sapo mbaronte një orë mësimi, vajzat shkonin rreth sobës që ishte në formë cilindri e që vazhdonte me një tub prush të nxehtë e ngrihej drejt lart deri në tavan. Ne djemtë, vazhdoi miku im, i sulmonim duke bërë sikur i tërhiqnim prej duarsh për t’u zënë vendin pranë zjarrit të druve. Nuk dihet se çfarë ishte, zjarri i druve apo zjarri i pasionit të një grupi adoleshentësh që kishte shpërthyer.Pak nga pak rituali nisi të transformohet dhe në çdo pushim orësh mësimi, rreth sobës së nxehtë, prush, mbështillej një lëmsh trupash që mbështilleshin e ngatërroheshin me njeri tjetrin në mënyrë konfuze. Dukej më shumë si një qenie me shumë koka, me dhjetra këmbë, duar, krahërore, qafa, gjokse, llëre që mbështillej rreth vetvetes, grindej me vetveten, bënte dashuri me vetveten. ”
“Përse nuk thua?” – iu drejtova mikut tim. “Ju paskeni rënë në orgji, paskeni përjetuar një histeri kolektive.”
“Nuk di ta shpjegoj – vazhdoi miku im dhe shihte përpara me sy të menduar. Në atë kohë nuk është se kishte edhe ndonjë edukim seksual në shkolla. Edukatën seksuale e merrnim në rrugë nga djem më të rritur sesa ne. Ata na rrëfenin përvojat e tyre seksuale, ca të vërteta, ca fantazime të zbukuruara nga dëshira të paplotësuara, ose me skena filmash gjysëm erotikë që shihnin fshehurazi në televizionet e huaja. Por një gjëj mbaj mend, përvojat e tyre seksuale na i rrëfenin mbushur edhe me një lloj dhune latente ndaj femrave, sidomos ndaj veshjeve të tyre. Aq sa grrisja e rrobave dhe seksi në fantazinë tonë prej adoleshentësh shpesh na mbivendoseshin aq fort sa nuk kuptohej se cili ishte mjeti dhe cili qëllimi. Kishte një lloj fetishizimi të çveshjes të dhunëshme. Mbase përzjerë me një lloj maçizmi të epokës apo të edukatës seksuale të shekullit të kaluar. E gjitha kjo mbase nga një tepri libidoje që ishte e paduruar për të rrjedhur qetë dhe ngadalë. »
« E nejse, vazhdo ! » – e shtyva mikun tim të rrëfente. Kishim dalë në bulevard dhe po drejtoheshim nga jugu i qytetit.
« Në një nga ato pushime orësh, kur lëmshi prej mishi ishte bërë më i lëvizshëm dhe më i madh sesa kurrë, shoqëruar me ulurima, çirrje, piskama, psherëtima, rënkime, frymëmarrje të dendura, u shfaq një skenë që na ngriu të gjithëve. »
« Cfarë ndodhi ? » – thashë unë me sytë ngulur te goja e tij.
« Nga fundi i lëmshit, fillimisht doli një kokë, koka e një qenieje që ecte këmba dorazi në çimenton e ftohtë të dyshemesë. Eci ashtu rreth një metër, doli nga lëmshi i qenies me shumë koka, u ngrit në gjunjë, pa lart në drejtim të tavani, njerën dorë të mbledhur grusht e çoi lart dhe bërtiti :
« Ja hoqaaaaaaa ! »
Në grusht mbante një palë mbathje femrash, vajzash, të bardha, me copë pambuku.
Qenia prej mishi, me shumë koka, një shumëkëmbësh e shumëduarsh, i eksituar me veten e tij, u shpërbë në çast. Prej andej lindën qenie njerëzore, me një kokë, me fytyra të habitura. Ra një qetësi varri. Vetëm zjarri i druve në sobë vazhdonte të dëgjohej me kërcitjet e tij. Zjarri i pasionit ishte ndërprerë. Askush nuk pipëtinte. Kishte ndodhur ajo që askush nuk e priste, e as nuk e kthente dot mbrapsht. Sytë e djalit me mbathjet në duar, ishin errur nga ndriçimi. Ai ishte krejt nën efektin e eksitimit të tij. Nuk dihej pra se çfarë e eksitonte më shumë. Akti i zhveshjes që kishte bërë, mbathjet që mbante në dorë, fakti që e kishte bërë publikisht, zotësia e tij, apo vetëm dhe thjesht fjalia që tha me zë të lartë dhe e pësëriste me tone të ululta si psherëtima të shkëputura :
« Ja ho-qa ! »
Në të vërtetë, sipas zhargonit të çunave të rritur në rrugë që merreshin me edukatën tonë seksuale, kjo shprehje donte të thoshte shumë, ishte thjesht një metaforë që nënkuptonte diçka tjetër shumë më të rëndësishme. »
Midis heshtjes u ndje një ngashërim. Një vajzë bionde, Teuta, më e bukura vajzë e klasës, qante e tromaksur në qoshe të murit. Ndihej se kishte pësuar një shok të fortë. Të gjithë u shpërndamë në bangat tona, sikur të mos donim të ishim dëshmitarë të asaj që kishte ndodhur.”
« Ky tipi që sapo i dhe lekët e ka bërë atë veprim?” – pyeta.
“Po. Kuptohet. Në fakt ishte një veprim kolektiv, por ai bëri aktin e fundit. Ai kreu atë që ishte inteleqia e atij eksitimi kolektiv që vazhdonte prej disa javësh. Ishte një akt kolektiv, pa autor individual. Të gjithë ishim aq fajtorë sa edhe të pafajshëm. Po aq i pafajshëm sa dhe si ne ishte edhe shoku ynë. Por mbi të ra gjithçka. Një vit përjashtim nga shkolla. T’i bëhej mësim për të tjerët! – tha zysha kujdestare. Pastaj prindërit e çuan të punonte në minierën e Mëzezit. Shtynte vagona me qymyr. Aty nisi pijen. Nuk e mori dot veten kurrë. I humbi të gjitha. Edhe sot nuk ka as familje dhe as njeri tjetër t’i qendrojë pranë. Pi gjithë ditën. Por, unë e di se ai është njeri i mirë. Ai bart një pjesë të fajit tim. Ai është viktima e jonë, ne të gjithëve që më pas vazhduam jetët tona normalisht.“
„Të kuptoj tani!“ – i thashë mikut tim dashamirësisht.
Por, ai nuk e kishte mendjen.
„Një fjali e vetme, në një çast të vetëm dhe jeta merr rrjedhë tjetër. Pastaj asgjë nuk ka fuqi ta ndali rrokullisjen.“
„Ja hoqaaaaa!!!“ dhe pesëdhjetë vjet gjithçka ndjek si ortek këto fjalë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY