AVNI PONARI*/ Sigurimi nga katastrofat, përmbytjet dhe tërmetet

Ndaje
Avni Ponari

Vit pas viti, Shqipëria vazhdon të mbetet pullë e kuqe në hartën e ekspozimit nga katastrofat natyrore, duke u renditur si një nga vendet më të rrezikuara. Edhe raporti i fundit i “Global Risks” tregoi se Shqipëria ka indeksin më të lartë, jo vetëm në rajon, por edhe në Europë, për ekspozimin ndaj katastrofave natyrore, si përmbytjet, tërmetet, rrëshqitjet e dherave etj.
Rrezikshmëria matet edhe nga mundësia që ka vendi për t’i përballuar katastrofat natyrore që mund ta godasin. Dhe pikërisht kur vjen fjala te mundësitë, aty ne përsëri mbetemi me “të kuqe”, sepse vendi ynë nuk ka as kapacitete e as strategji për të parandaluar të tilla fatkeqësi. Dhe në ditë si këto që po përjetojmë, nuk na nevojitet më as raporti i “Global Risks”, sepse rrezikun e pamë me sytë tanë, e panë dhe e përjetuan me qindra familje shqiptare, që u zunë mat ca nga zemërimi i natyrës dhe ca nga dëmi që vetë njeriu i ka bërë natyrës ndër vite. Banorët e Fierit, Durrësit, Vlorës, Kamzës, Laçit etj. panë se si gjithçka kishin ndërtuar me mund e sakrificë për vite me radhë iu mbulua nga uji e balta në vetëm pak minuta apo brenda pak orëve.
Askush në botë nuk mundet dot të parandalojë as përmbytjet, as tërmetin dhe as ngjarjet e tjera të paparashikuara. Por, ndryshe nga ne, ajo që ndodh nëpër botë është se pas çdo ngjarjeje sado shkatërruese të jetë ajo, efekti postngjarje është më i vogël, dhimbjet janë më të pakta, sepse kostot financiare rimëkëmben dhe familjet kanë mundësi ta ndërtojnë sërish jetën si më parë. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të këtyre ditëve, por edhe dhe të atyre viteve të fundit. Shirat e furishëm të këtyre ditëve po lënë pas dëme kolosale financiare.
Fatmirësisht shpëtuan jetët e qindra qytetarëve, por jeta e tyre është e vështirë të rinisë pas shkatërrimit total të shtëpisë së tyre, makinës, bagëtive, dyqanit, magazinës apo çdo gjëje tjetër me vlerë që ata kishin. I njëjti skenar fatkeq përsëritet disa herë në vit, dhe prej shumë vitesh në mënyrë konstante. Një herë Veriu i Shqipërisë, një herë Jugu e një herë Qendra, nuk ka rëndësi vendndodhja gjeografike, rëndësi ka që ngjarje të tilla prekin me mijëra familje shqiptare, të cilat “nuk do ta ngrenë më kokën”, ndoshta për gjithë jetën.
Mbi 200 mijë persona janë prekur vetëm nga përmbytjet e dy viteve të fundit, ndërsa dëmet përllogariten në miliona euro. Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh që këto shifra janë vetëm ato që janë raportuar për publikun, që do të thotë në realitet këto shifra mund të jenë shumë herë më të larta. Ndërsa dëmet e këtyre ditëve është ende herët për t’i konkluduar. Për banorët e prekur gjithçka është dërrmuese, për të tjerët shifrat janë tronditëse. Katastrofat nuk përzgjedhin, ato thjesht ndodhin dhe marrin përpara ç’të gjejnë.
Sa herë ndodhin përmbytje, sa herë vendi kaplohet nga zjarret (siç ndodhi verën e kaluar), sa herë bie një tërmet, rikthehemi te ngjarjet, organizojmë tavolina të rrumbullakëta dhe flasim për planin e së ardhmes, vlerësimin e situatës etj. Por, shumë shpejt del dielli, ujërat tërhiqen, magnituda e tërmetit bie dhe të dëmtuarin vazhdojnë të enden dyerve të bashkisë apo qeverisë për të marrë dëmshpërblimin, në mënyrë që më së paku të mbijetojnë!
Kalojnë disa ditë dhe ngjarja harrohet. Askush nuk flet më për përmbytjet deri sa natyra të bëjë gjëmën e radhës, tërmeti harrohet me shpresën se nuk do të bjerë sërish dhe askush nuk flet më për përpilim planesh e strategjish dhe as për vënien e tyre në funksion të parandalimit të këtyre ngjarjeve. Duket sikur dielli i përkohshëm i bën të harrojnë gjëmat e furtunave të mëdha. Dhe ja, vjeshta iku dhe ujërat e furishëm të saj përmbytën qindra shtëpi, mijëra bagëti dhe dhjetëra biznese. Erdhi dimri dhe shirat do të rikthehen, ose ngricat dhe rrëshqitjet e dherave do të vijnë natyrshëm bashkë me të. Së bashku me ta do të rikthehet edhe pasiguria, do të rikthehet edhe paniku dhe dëmet te qytetarët për pasojë do të shtohen edhe “hallet” e shtetit se si do t’i kapërcejnë situata të tilla.
Sërish do të ketë dëme miliona euro dhe sërish do të jenë qytetarët ata që do t’i paguajnë, sepse Fondet e Emergjencave Civile krijohen nga taksat e qytetarëve. Ato taksa që secili prej nesh paguan për t’u shtruar rrugë, për t’u rikonstruktuar shkolla, çerdhe e spitale, për të përmirësuar rrjetin e energjisë dhe ujësjellësit etj, do të duhet që një pjesë e konsiderueshme e tyre të shkojë për ata qytetarë që preken nga të tilla fatkeqësi natyrore, ndërsa të tjerë do të mbeten fare pa gjë, sepse fondet aq janë! Ka një fakt që anashkalohet qëllimisht në historinë e katastrofave natyrore në Shqipëri. Ato janë cilësuar gjithmonë si “katastrofa”, ndërkohë që nëse do të ishin siguruar, do të quheshin si “ngjarje sigurimi”.
Ajo që unë cilësoj si “ngjarje sigurimi” dhe jo “katastrofë natyrore” janë pasojat ekonomike të këtyre ndodhive, sepse efekteve humane nuk mundet dot t’u shmangemi. Ne nuk jemi Zoti që të shmangim shiun, breshrin, tërmetin apo temperaturat e larta. Por ne mundet të parandalojmë dëmet financiare që rrjedhin prej tyre. Këtë po, mund ta bëjmë, nëse ka vullnet e nëse të gjithë biem dakord. Por, kush mund të sigurohej në ngjarje të tilla dhe si do të mbulohej ky sigurim?
Shqipëria nuk bën shpikje! Praktika botërore na referon shembuj, ku këto lloj rreziqesh janë të detyruara me ligj që të sigurohen dhe mjafton që këto praktika pune të implementohen edhe te ne. Format e realizimit mund të jenë të ndryshme. Një nga mënyrat efikase do të ishte që shteti ta marrë vetë përsipër që t’i mbulojë këto katastrofa, duke blerë rreziqet nga kompanitë e sigurimeve në Shqipëri.
Këto të fundit janë të risiguruara dhe bashkëpunojnë me disa nga kompanitë më me emër në botë, kompani të mëdha, siç është Munich Re, Swiss Re apo Hannover Re, të cilat ofrojnë mundësitë për të mbuluar katastrofat natyrore të të gjitha përmasave në vend. Mënyra tjetër është që shteti të ndërtojë një ligj, ashtu siç ka ndodhur në Turqi, në Greqi, në Rumani, në Poloni dhe pothuaj në të gjithë Europën, ku sigurimi i banesave është i detyrueshëm. Përllogaritja e primit të sigurimit bëhet duke llogaritur rreziqet potenciale të një vendi në një vit.
Më konkretisht, në Shqipëri konsiderohen rreth 1 milion banesa dhe biznese, primi i të cilave shkon përreth 30 milionë euro, të cilat shkojnë për blerjen e rreziqeve, pasi duhet të krijohet një shtresë prej minimalisht 300 milionë eurosh në vit. Atëherë llogaritet sa duhet të jetë çmimi i këtij mbulimi dhe mbi këtë bazë caktohet edhe primi i sigurimit, i cili varion nga 10 deri në 70 euro për familje. Ky prim paguhet një herë në vit dhe mbulon të gjitha rreziqet nga katastrofat natyrore.
Duke realizuar këtë lloj sigurimi dhe duke pasur një rezervë minimale, shteti mund të ndërhyjë vetëm për shtresat që janë në nevojë, që mund të jetë një vlerë 2-3 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër le të paguhet nga qytetarët, nga bizneset, nga ato që i kanë mundësitë për t’i paguar, duke krijuar kështu një garanci për dëmet që mund t’u shkaktohen. Në këtë mënyrë qytetarët do të kenë një marrëdhënie me industrinë private të sigurimeve dhe shteti duhet të luajë rolin e një arbitri shumë të fortë dhe detyrues për tregun e sigurimeve, në mënyrë që siguruesit t’u përgjigjen menjëherë qytetarëve në rast dëmesh.
Ekziston çdo gjë e nevojshme për qytetarët, por nuk ekziston dëshira e atyre që duhet të sigurohen. Nga ana tjetër dhe mungon ligji në Shqipëri, një ligj i cili do të ndërtonte një mbrojtje kolektive të gjithanshme për të gjithë vendin. Realizimi i njërës prej platformave të sipërpërmendura, do të shmangte përfundimisht përgjegjësinë e shtetit ndaj qytetarëve, do t’i jepte një frymëmarrje Buxhetit të Shtetit, ekonomia e vendit do të rigjenerohej dhe, mbi të gjitha, krijohet pavarësia e çdo familjeje nga shteti! Në fund të fundit, çdo familje do ta rindërtonte jetën nga e para, pavarësisht fatkeqësisë që i ndodh.
Duhet të kthehemi te përgjegjësia individuale, që secili të ndiejë përgjegjësi për atë që ka dhe të heqë dorë nga kërkesa, duke iu drejtuar shtetit, sepse ky është një mentalitet i vjetër i ngulitur keq, dhe njerëzit vazhdojnë që për çdo problem që kanë t’i drejtohen shtetit, bashkive, apo institucioneve shtetërore, kur në fakt duhet t’i drejtohen vetes dhe tregut të sigurimeve, sepse ai është shpëtimtari financiare, ashtu siç ndodh edhe në të gjithë botën.
Shqipëria është një zonë e minuar e katastrofave natyrore. Që të minimizohen shanset e shpërthimit të kësaj mine, duhet që shteti të ndërhyjë për të parandaluar dhe zgjidhur sfidat që koha e vendi na i imponon. Shumë vetë i quajnë sigurimet si taksa dhe jo si shërbim të domosdoshëm. Dhe paratë për to mendojnë se duhet të ketë kanale shtetërore t’i marrin. Jo. Sa më shumë sigurime të kesh, aq më i pavarur je nga shteti nga bashkia, nga shëndetësia etj. Ne paguajmë vetëm 30 euro për fryme, bota paguan mbi 3000 euro për frymë në vit.
Ky është ndryshimi. Nëse paguajmë të gjithë nga pak, atëherë do kemi një çmim sigurimi më të ulët. Nëse ka pak vetë që bëjnë sigurimin nga përmbytja apo tërmeti, atëherë primi i sigurimit është më i lartë. Në Shqipëri paguhen në vit rreth 20 mijë automjete të përfshira në aksidente dhe mbeten pa paguar po 20 mijë, që janë shkaktare. Në të gjithë botën paguhen të dyja palët, sepse kane prim sigurimi më të lartë dhe të gjitha mjetet kanë sigurim për përplasjen me mjet tjetër. Pra, le t’i kthejmë sytë nga sigurimet e të mos e i konsiderojmë ato taksa, por shërbim si gjithë shërbimet e tjera. Sigurimet janë shumë të lira për rrezikun që mbartin. Referojuni atyre dhe do të jeni përfitues.

* Drejtor i Përgjithshëm i “SIGAL”

Leni një përgjigje