DETAJE & FOTO/ Aksidenti dje në Torovicë, ku po shkonin tre viktimat...

DETAJE & FOTO/ Aksidenti dje në Torovicë, ku po shkonin tre viktimat që i zuri shkëmbi sipër

190
0
Shares

Tre pjesëtarë të një familjeje, mes tyre edhe një grua shtatzënë nga fshati Balldre i Lezhës, humbën jetën tragjikisht, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u godit nga një masiv shkëmbor që u shkëput nga mali.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:30 të pasdites së të shtunës në aksin rrugor Balldre-Torovicë. Viktima të kësaj ngjarjeje tragjike mbetën vëllezërit Edmond dhe Valentin Zefi, përkatësisht 29 dhe 31 vjeç, si dhe Aida Zefi, 21 vjeçe. Kjo e fundit ishte bashkëshortja e Edmondit, e cila sipas të dhënave ishte në muajin e 7-të të shtatzënisë, çka e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje.
Tre të rinjtë po udhëtonin me një automjet fuoristradë, tip “Land Rover”, nga Balldreni në drejtim të Torovicës, kur makina u godit nga shkëmbi që u shkëput nga një lartësi prej 200 metrash. Masa e madhe shkëmbore, pasi goditi mes përmes makinën, përfundoi në një parcelë aty pranë. Shenjat që ka lënë nga maja e malit, nga ku u shkëput dhe deri ku është ndalur tregojnë forcën që ka pasur shkëmbi i një madhësie të konsiderueshme.
Shkëmbi ka rënë në mes të makinës, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme tre personave, të cilët kanë pësuar dëmtime të shumta nga goditja që pësoj mjeti i tyre.
Kanë qenë dy kalimtarë të rastësishëm, të cilët kanë parë ngjarjen dhe kanë njoftuar menjëherë policinë për atë që kishte ndodhur. Këta të fundit, së bashku me zjarrfikësit dhe dy autoambulanca shkuan në vendit ku ndodhi ngjarja. Për nxjerrjen e trupave të pajetë nga mjeti janë dashur më shumë se dy orë operacion për shkak të dëmtimeve të shumta që kishte pësuar makina. Zjarrfikësit dhe Policia ndërhynë duke prerë disa pjesë të automjetit për nxjerrjen e trupave.
Familjarët e të rinjve, pasi mësuan për aksidentin, mbërritën në vendin e ngjarjes, ku mes dhimbjes dhe tronditjes panë nga afër trupat e pajetë të të dashurve të tyre. Më pas viktimat u dërguan në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës ku do t’i nënshtrohen mjekësisë ligjore, ndërkohë një grup hetimor ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen.

Viktimat
Tre pjesëtarët e familjes Zefi ishin nisur në drejtim të fshatit Torovicë për vizitë te familja e nuses, për të festuar festën e fshatit së bashku, po udhëtimi i tyre përfundoi në tragjedi vetëm 2 km larg destinacionit ku ishin nisur.
Çifti Edmond Zefi, 31 vjeç dhe Aida (Gjergji) Zefi, 21 vjeçe, kishin vetëm pak kohë që kishin kurorëzuar lidhjen e tyre të dashurisë. Edmondi dhe Aida një vit më parë organizuan dhe ceremoninë e dasmës që për ta do të ishte një fillim i ri për krijimin e familjes së tyre.
Ndërsa pak muaj më pas morën dhe lajmin që prisnin një fëmijë, pasi Aida ishte 7-muajshe shtatzënë. Edmondi punonte si mekanik makinash në një servis në fshatin Balldre të Lezhës, zonë dhe ku jetonin bashkë më familjen, kurse Aida merrej kryesisht me punët e shtëpisë.
Kurse vëllai i Edmond, Valentin Zefi, i cili gjithashtu mbeti viktimë, sipas të dhënave ishte beqar. 29-vjeçari merrej me punë bujqësie, pasi dispononte një mjet zetor. Tri viktimat jetonin bashkë me prindërit në një banesë në fshatin Balldre.
Familja Zefi përbehej nga katër djem dhe një vajzë, ku më i vogli ishte Valentini, ndërsa dy djemtë më të mëdhenj janë të martuar dhe jetojnë veçmas.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY