KASTRIOT ISLAMI/Sjellja e votuesve në zonën rurale e urbane të Tiranës

KASTRIOT ISLAMI/Sjellja e votuesve në zonën rurale e urbane të Tiranës

68
0
Shares

Në qarkun e Tiranës vihen re dallime për sa i përket i) (mos)pjesëmarrjes në votime; ii) rezultateve të PS e PD e diferencës mes tyre; e iii) rezultateve të LSI në zonën rurale, gjysmë rurale dhe urbane. Në zonën rurale pjesëmarrja është rritur, në zonën gjysmë rurale pjesëmarrja është rritur me moderacion, kurse në zonën urbane pjesëmarrja ka rënë në mënyrë të ndjeshme.

Disa përfundime janë nxjerrë duke analizuar të dhënat për zgjedhjet e 2017 i) në zonën urbane të Tiranës (11 Njësitë e Tiranës); ii) në zonën gjysmë-rurale/urbane (Vorë, Preze, Bërxullë) dhe iii) në zonën rurale (vetëm Bërxullë). Vihet re një ndërlidhje e rezultateve për PS, PD e LSI me (mos)pjesëmarrjen, për rrjedhojë evidentohen përfundime të përbashkëta dhe të ndryshme për zonën urbane, zonën gjysmë rurale/urbane dhe zonën rurale lidhur me arsyet e rezultatit zgjedhor. Pjesëmarrja e ndryshme në zonën urbane e rurale është një dukuri “e çuditshme” që duhet hetuar nëse ka ndodhur për shkak të natyrave të tyre të ndryshme apo për shkak të mundësive të ndryshme për të aplikuar “teknikat” e tjetërsimit të votës apo kërcënimit të votuesve?!

  1. PJESËMARRJA NË VOTIME, NË ZONËN URBANE DHE RURALE…

Pjesëmarrja, referuar të dhënave nga qarku i Tiranës, ka qenë e ndryshme në zonën rurale dhe atë urbane. Konkretisht në zonën rurale (Bërxullë) pjesëmarrja është rritur me mbi 5 për qind; po ashtu edhe në zonën gjysmë rurale/urbane (Vorë, Prezë e Bërxullë) pjesëmarrja ka qenë më e ulët se në Bërxullë, por përsëri ajo është rritur me 4,7 për qind. Ndërkohë në të 11 njësitë e marra së bashku të qytetit të Tiranës, pjesëmarrja është ulur me rreth 10 për qind. Kjo shpjegon përse në qarkun e Tiranës, që është një “përzierje” e ponderuar e zonës urbane me atë rurale, pjesëmarrja është ulur me rreth 8 për qind.

  1. SI KA “NDIKUAR” PJESËMARRJA NË DIFERENCËN PS-PD?

Teorikisht është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të vendoset një lidhje analitike ndërmjet pjesëmarrjes dhe rezultateve të dy forcave kryesore politike. Mund të thuhet për rastin e Shqipërisë, ku blerja e votës dhe kërcënimi i votuesve janë elementë të rëndësishëm të manipulimit të rezultatin zgjedhor, pa përjashtuar edhe tjetërsimin e rezultatit gjatë numërimit, se sa “më e ulët pjesëmarrja në votim, aq më e lartë është mundësia e manipulimit apo tjetërsimit të rezultatit..”.

Konkretisht nga grafiku me të dhënat për pjesëmarrjen dhe dinamikën e diferencës PS-PD për dy zgjedhjet 2017 e 2013 rezulton se “sa më e lartë pjesëmarrja, aq më pak ndryshon diferenca mes PS e PD”. Për shembull, në zonën urbane (njësia 1 deri njësia 11) pjesëmarrja është e ulur me rreth 10 për qind, ndërkohë që në këtë zonë diferenca mes PS e PD në 2017 është rritur me 10,55 për qind krahasuar me 2013. Kurse në zonën rurale (Bërxullë), pjesëmarrja është rritur me 5,08 për qind dhe në këtë zonë, diferenca mes PS e PD në 2017 është rritur me vetëm 8,88 për qind (sigurisht edhe kjo vlerë është shumë e lartë dhe për këtë ka shumë arsye që lidhen me problemet e vetë PD, por sidoqoftë kjo vlerë për këtë zonë rurale është gati 50 për qind më e ulët se ajo për zonën rurale).

  1. PS ËSHTË “FRYRË” PAK NË ZONËN URBANE DHE ËSHTË RRUDHUR JO PAK NË ZONËN RURALE…

Në zonën urbane (njësia 1 deri në 11) të qarkut të Tiranës, ku pjesëmarrja është ulur me rreth 10 për qind, PS ka “fryrje” me 1,52 për qind në 2017 dhe kjo “fryrje” në përqindje ka ardhur vetëm për shkak të uljes së pjesë- marrjes. Etiketa e PS (ku janë votat e PS dhe të të gjithë aleatëve përveç LSI, PSD e PBDNJ) në 2013 kishte grumbulluar 133885 vota, nga të cilat PS kishte grumbulluar 126139 vota ose rreth 94 për qind të të gjithë votave.

Në 2017 PS në formën e Koalicionit me 1- Etiketë grumbulloi 124182 vota pra 9653 vota më pak, pra në këtë kuptim Etiketa PS është “rrudhur” në 11 njësitë e Tiranës, por meqenëse pjesëmarrja është ulur me 27139 vota në përqindje, ajo rezulton e “fryrë” me 1,52%. Rrudhja e PS në 11 njësitë e Tiranës ka ardhur me sa duket nga 3 arsye i) rrudhje e vetë PS; ii) braktisje nga votuesit e partive aleate (që në vitin 2013 kishin kontribuar me 7696 vota) të siglës së PS dhe iii) kombinim i sigurt i të dy faktorëve. Kurse në zonën rurale, etiketa PS është rrudhur edhe më shumë, me 6,78 për qind në Bërxullë dhe 5,10 për qind në zonën gjysmë rurale/urbane Vorë+Prezë+Bërxullë; kjo rrudhje edhe në përqindje ka ardhur nga pjesëmarrja më e lartë në këtë zonë. “Rrudhja” e siglës së PS ka ardhur me sa duket nga “gryrja” që i ka bërë LSI edhe në zonën urbane (më e moderuar) edhe në zonën rurale (më agresive).

  1. PD NË TË GJITHA RASTET ËSHTË “RRUDHUR” POR MË SHUMË NË ZONËN RURALE…

PD jo vetëm është “gërryer” në mënyrë agresive nga të gjithë partitë qeverisëse përmes “blerjes” së votës dhe joshjes apo kërcënimit për të abstenuar, por ajo është braktisur në një masë të konsiderueshme edhe nga mbështetësit e saj, si dhe nga votuesit e aleatëve të saj për shumë shkaqe që lidhen me organizimin elektoral të opozitës (një analizë e thelluar kërkohet për t’i evidentuar dhe më tej adresuar ato).

Në zonën urbane të qarkut të Tiranës, sigla PD është “rrudhur” me 10,82 për qind, por më shumë ajo është rrudhur në zonën rurale (Bërxullë) me një vlerë prej 15,67 për qind. Por meqë sigla PS është rrudhur më shumë në zonën urbane, kjo ka çuar në një zvogëlim të diferencës PS-PD në zonën rurale me 8,88 për qind, ndërkohë që hendeku mes PS e PD është rritur me 10,55 për qind në zonën urbane (njësia 1 deri njësia 11). Për të kuptuar dimensionin e “rrudhjes” së PD, le t’i referohemi faktit se në 2013 sigla e PD (PD plus të gjithë aleatët e saj, përveç PDIU) kishte grumbulluar në zonën urbane 101398 vota, nga të cilat vetëm PD kishte grumbulluar 88573 vota, pra 12,6 për qind të votave ia kishin grumbulluar aleatët në zonën urbane; kjo është një shifër dy herë më e madhe se në rastin e siglës së PS (gjë që tregon se çështja e koalicionit për PD mbetet një sfidë me pasoja shumë më të mëdha sesa për PS).

Në 2017 sigla e PD grumbulloi 69176 vota ose 32222 vota më pak se në 2013; kjo shifër shumë e lartë (që nuk mund të shpjegohet vetëm me braktisjen e 12825 votues aleatë të 2013) mund të shpjegohet me disa shkaqe: i) “gërryerje” nga partitë qeverisëse me të gjitha metodat jopolitike (blerje e votës, kërcënim dhe/ose joshje për braktisje të pjesëmarrjes në zgjedhje, e tjerë); ii) braktisje/abstenim nga votuesit e aleatëve për shkak të një koalicioni jofunksional e deri ndoshta të gabuar; iii) braktisje/abstenim nga votuesit e PD për shumë shkaqe që kërkojnë një analizë të thelluar të brendshme. Është shqetësues fakti që edhe në zonën urbane ku pjesëmarrja është ulur, por edhe në zonën rurale ku pjesëmarrja është rritur, rrudhja e siglës PD ka qenë e lartë, madje më e lartë ka qenë në zonën rurale, ku pjesëmarrja ka qenë më e lartë, me sa duket për shkak se abstenimi i votuesve të djathtë për shkak të joshjes me legalizimet dhe mungesa e një sqarimi adekuat për shkak të organizimit të pamjaftueshëm të opozitës në zonën rurale shpjegon këtë “paradoks”.

  1. VETËM LSI ËSHTË “FRYRË”,… MË SHUMË NË ZONËN RURALE SESA NË ATË URBANE….

Në qarkun e Tiranës, në zonën urbane, rurale dhe gjysmë rurale/ urbane, LSI ka njohur vetëm rritje. Në një betejë mes tri partive qeverisëse me qëllime të ndryshme, PS, LSI e PDIU, përkatësisht PS për të kapur e vetme “timonin” e qeverisjes, LSI për të ruajtur rolin e “king makerit” dhe PDIU për t’u bërë “gjysmë king maker” kanë arritur të “fryhen” në kurriz të PD dhe të opozitës në tërësi, sepse votuesit e opozitës duke mos shikuar horizontin e fitores, u kthyen në “viktima” të sulmeve qeveritare: i) një pjesë përmes blerjes së votës, ii) një pjesë tjetër përmes joshjeskërcënimit për të braktisur votimin dhe iii) një pjesë tjetër votuesish opozitarë, të zhgënjyer e të pashpresë nga mungesa e frymës së fitores dhe të pasigurt që alternativa e tyre do të mund të pengonte tjetërsimin e votës preferuan të qëndronin në shtëpi, iv) për të mos përmendur ndoshta edhe një pjesë të vogël, pragmatistë e të varfër, të papunë dhe të gatshëm për të emigruar, që nuk arritën t’i bënin rezistencë joshjes agresive të qeverisë, që me mashtrime, premtime ia mori votën ose dhanë “besën” për të mos votuar; dhe së fundmi pa harruar v) një pjesë jo e vogël që mund të këtë emigruar.

Rritjen më të lartë prej 30,84 për qind LSI e ka pasur në zonën rurale(në Bërxullë) dhe pikërisht aty ku pjesëmarrja në votime është rritur me 5,08 për qind. Po ashtu në zonën urbane (11 njësitë e Tiranës) LSI ka pasur një rritje të konsiderueshme, nga 21658 vota në 2013 në 30378 vota në 2017, pra me 8720 vota, ndërkohë që sigla PS është rrudhur me 9653 vota, kurse sigla PD është rrudhur me 32222 vota.

  1. NË VEND TË NJË PËRFUNDIMI…

Rezultati i zgjedhjeve në qarkun e Tiranës tregon ndërlidhjen mes pjesëmarrjes në votime dhe rezultateve në zonën urbane apo rurale. Nga ana tjetër, pjesëmarrja ka përcaktuar nivelin e fryrjes së partive qeverisëse, të cilat kanë pasur fryrje më të lartë në zonën rurale sesa në atë urbane. Nuk ka asnjë dyshim se gjithçka ka ndodhur në 2017 me tjetërsimin e votës kishte ndodhur në mënyrë të ndrojtur në 2013, ishte një skenar i testuar haptas me të gjithë elementët e vet në zgjedhjet e pjesshme në Dibër për t’u zbatuar në mënyrë të maskuar dhe fshehtë nga syri i vëzhguesve ndërkombëtarë, për të mos thënë në dijeni të plotë nga një pjesë e tyre.

Por kjo është e paplotë nëse nga ana tjetër nëse nuk evidentohet dhe analizohet thellësisht e me seriozitet naiviteti/paaftë- sia/pamundësia/pafuqia/gabimet, e tjerë e tjerë, të opozitës për t’u përballur me këtë skemë diabolike, tashmë të mirënjohur, ose të paktën për ta demaskuar në sytë e publikut e partnerëve ndërkombëtarë apo për ta evidentuar/faktuar/fotografuar dhe formuluar më tej si kauzë të veprimit të ardhshëm opozitar.

Vetëm një pamje së paku nga këto dy këndvështrime mund të ngjallë shpresë tek ata shqiptarë që ende nuk kanë marrë vendimin për të emigruar dhe për të përcaktuar një qasje-zgjidhje racionale, simetrike apo asimetrike, apo kombinim të tyre, për të nxjerrë vendin nga një rrugëtim drejt një humnere me pasoja të rrezikshme për pluralizmin e demokracinë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY