HISTORIA/ Pagoi 7500 euro për zmadhimin e gjoksit, shqiptarja e pëson keq...

HISTORIA/ Pagoi 7500 euro për zmadhimin e gjoksit, shqiptarja e pëson keq nga kirurgu turk

539
0
Shares

Një mjek turk, kirurg plastik në një spital privat në Tiranë, u dënua me 1 vit burg nga gjykata e kryeqytetit për akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”, shkruan “Panorama”.
I pandehuri Hakan G. u fajësua për operacionin e kryer në dhjetor të vitit 2011 të një femër që kishte kërkuar zmadhim të gjoksit dhe heqjen e rrudhave e dhjamit në pjesën e barkut.
Ndërhyrja estetike, për të cilën ka paguar 7500 euro, jo vetëm që nuk e ka zbukuruar pacienten G. B., por i ka sjellë asaj probleme të rënda shëndetësore dhe humbje e përhershme në 25 për qind të aftësisë për punë.
Procesi ndaj mjekut Hakan G., i cili u gjykua pa masë sigurimi, nisi në maj 2015 dhe përfundoi në ditët e para të qershorit 2017. Në të njëjtin vendim gjykata i hoqi atij të drejtën e ushtrimit të profesionit të mjekut për një periudhë 2-vjeçare.
Për të bashkëpandehurën e tij, mjeken Rezarta K., gjykata vendosi pushimin e akuzës, pasi ndjekja penale ndaj saj nuk duhet të vazhdonte më. Në vijim zbardhet historia e gabimit mjekësor të kirurgut estetik turk, referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës.

Historia
Më 21. 12. 2011 shtetasja G. B., i është nënshtruar një trajtimi kirurgjikal në një spital privat në Tiranë në pjesën e gjoksit dhe të barkut, ku nëpërmjet këtij operacioni kërkonte të zmadhonte gjoksin dhe të bënte tërheqje të lëkurës në zonën e barkut. Sipas saj, që nga koha kur ajo është operuar ka pasur probleme të rënda shëndetësore si rezultat i operacionit të kryer.
Është administruar kopje e kartelës së kësaj shtetaseje, si dhe është marrë deklarimi i së dëmtuarës, ku deklarohet se për një vit rresht gjendja e saj nuk është përmirësuar, por i janë shkaktuar dëmtime të rënda fizike si rezultat i operacionit të bërë nga ana e mjekut Hakan G.
Nga deklarimi i shtetases G. B., ka rezultuar se mjekët Hakan G. dhe Rezarta K. i kanë kryer asaj një vizitë. E kanë pyetur se çfarë ndërhyrjesh ishte e interesuar të bënte. Ajo u ka thënë që donte të operonte barkun dhe të zmadhonte gjoksin. Sipas saj, mjeku turk i ka shpjeguar se është e mundur që këto ndërhyrje kirurgjikale të realizoheshin njëherazi dhe doktori turk i ka premtuar se rezultati i operacionit do të ishte i shkëlqyer. Duke qenë se doktori që i kishte premtuar ishte dhe ai që do të bënte ndërhyrjen i ka shpjeguar se shpenzimet për operacionin ishin 3900 euro për barkun dhe 3500 euro për gjoksin.
Duke u bazuar te parashikimet e mjekut dhe premtimet e tij, kallëzuesja ka vendosur të kryente operacionin më datë 21. 12. 2011. Duke u nisur nga premtimi i mjekut se pamja e jashtme do t’i përmirësohej, ajo ka vendosur që të bëjë operacionin duke rënë dakord edhe për pagimin e shumës përkatëse.

Operacioni
Më datë 21. 12. 2011, kallëzuesja është paraqitur te spitali në fjalë në orën 08:00. Ka takuar koordinatoren dhe bashkë me të ka firmosur disa letra që ajo ia ka dhënë, por që G. B. nuk i ka lexuar. Rreth orës 11:00 ka hyrë në operacion dhe ka dalë nga operacioni rreth orës 19:00. Më pas, ajo ka qëndruar 4 ditë e shtruar në spital. Në momentin që i ka dalë narkoza ka ndier dhimbje të madhe te pjesa e barkut dhe e gjoksit.
Mjeku i cili kishte bërë ndërhyrjen, doktori turk Hakan G., i ka shpjeguar se ishte normale që të kishte dhimbje. Pas 4 ditësh ajo ka dalë nga spitali, megjithëse nuk ishte e zonja të ngrihej në këmbë, por i kanë thënë që është normale dhe duhet të largohej, ose duhej të paguante spitalin çdo natë 80 – 120 euro. Duke qenë se ishte keq, ajo sqaron se dy ditë ka qëndruar me forcë, pasi plaga i rridhte gjak, ndërkohë mjekët i thoshin se ishte normale.
G. B., ka deklaruar se mjekët i kishin vënë dy tuba, me një prej të cilëve urinonte dhe tjetri ishte për të nxjerrë gjakun që grumbullohej në plagë. Ditën që ka dalë nga spitali i kanë hequr tubin e kanalit të urinës. Ajo ka paguar 7500 euro dhe më pas është larguar nga spitali. Gjendja e saj ishte e keqe, pasi kishte shumë dhimbje dhe barku ka filluar t’i infektohej. I ka telefonuar doktoreshë Rezartës dhe i ka treguar që kishte dhimbje, dhe ajo i ka thënë se duhej të bënte durim pasi ishte normale. Pas katër ditësh ka ardhur përsëri në Tiranë, pasi plaga i ishte hapur.

Operacioni i dytë
Pasi ka shkuar te spitali privat e kanë pritur dy doktorët që e kanë operuar. Ata e ka futur sërish në sallën e operacionit dhe e kanë operuar përsëri, operacion i cili zgjati tri orë. Kësaj radhe ka qëndruar në spital vetëm një natë. G. B., është kthyer përsëri në qytetin e saj në Jug të vendit dhe ka qenë në të njëjtën gjendje me dhimbje të forta dhe rrjedhje gjaku, duke ndenjur e shtrirë një muaj pa lëvizur nga krevati.
Ndërkohë që vazhdimisht ka telefonuar spitalin për shqetësimet që kishte. I ka shpjeguar doktoreshës që edhe gjoksin nuk e kishte normal. Është ngritur në këmbë mbas tre muajve dhe për shkak se i duhej të bënte disa dokumente për leje qëndrimi në Itali ka shkuar atje.
Për një vit e 3 muaj ajo ka qenë e paaftë për punë, për shkak të kësaj ndërhyrjeje që i ka shkaktuar probleme të mëdha shëndetësore dhe mund t’i rrezikohej jeta në rast se nuk kryen ndërhyrje tjetër kirurgjikale. Kur është kthyer te spitali privat, mjekët nuk i kanë dalë më në takim.

Dëme të pakthyeshme, gjykata: Kirurgu duhet ta parashikonte

Në dëshminë e dhënë para gjykatës, ekspertët të cilët kanë përpiluar akt-ekspertimin mjekoligjor kanë konstatuar se dëmet e vërejtura te kallëzuesja G. B., “klasifikohen si dëmtime të përhershme, të pariparueshme, me prishje të estetikës së trupit, deformim të nivelit të gjoksit dhe të barkut”.
Sipas tyre, spostimi i buzës së plagës dhe asimetria e gjinjve është pasojë e mjekimit të pakujdesshëm. Gjykata në vlerësimin e saj shprehej se, “I pandehuri, me veprime aktive, të shtrira në kohë, i ka krijuar bindjen së dëmtuarës për të bërë ndërhyrjen në mënyrë të pa protokolluar, pa hartimin korrekt të kartelës klinike për këtë fakt, që më pas ka sjellë dëmtimin e rëndë të pacientes”.
Po sipas gjykatës, i pandehuri Hakan G. kishte detyrim dhe mundësinë të kuptonte që një operacion i tillë do të sillte pasoja shëndetësore për pacienten.
“I pandehuri nuk e ka dëshiruar pasojën e ardhur, por kishte detyrimin dhe mundësinë ta parashikonte atë”, shprehej gjykata.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY