Në lupën e Task-Forcës: Ledina Mandija tregon rasti pas rasti shkarkimet e bujshme në administratë

Ndaje

Zëvëndëskryeministrja Ledina Mandija ka shpjeguar në një intervistë ëpr Vizion Plus të gjitha shkarkimet e bujshme në administratë si dhe rastet delikate që kanë cuar në ankesa të mëdha nga LSI. Por nga vijnë drejtorët e shkarkuar?

Gazetarja (Olta Bllaceri): Zonja zëvendëskryeministre një ditë më parë u zhvilluar mbledhja e dytë e Task – Forcës. Cilat ishin çështjet me të rëndësishme që u diskutuan dhe masat që u morën?

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija: Mbledhja e dytë e Task Forcës ishte planifikuar të bëhej ditën e martë, referuar edhe kërkesave për informacione që u kishim dërguar institucioneve dhe ministrive, gjithashtu edhe prefekturave dhe bashkive në lidhje me shkelje të ndryshme që kishte bërë administrata shtetërore, lidhur me abuzimin e përdorimin e burimeve njerëzore; me abuzimin e përdorimit të fondeve financiare; të karburantit si dhe informacione të tjera, të cilat janë bërë publike nëpërmjet shkresave të ndryshme, për të cilat janë informuar edhe organizatat ndërkombëtare dhe po ashtu edhe ato jofitimprurëse.

Me keqardhje kemi konstatuar se këto informacione nuk kanë ardhur në kohë e duhur, gjithashtu ministritë kanë pas për detyre të mbledhin informacione nga të gjitha institucionet e varësisë. Institucionet e varësisë kanë dështuar të dërgojnë këtë informacion tek ministritë, nuk dua ta them me qëllim sepse ato janë të detyruara të zbatojnë kuadrin ligjor në fuqi përfshirë edhe VKM-në me të fundit, dhe si rezultat i kësaj ministritë kanë sjell edhe material bruto sekretariatit të Task Forcës duke mos arritur të bëhet një konsolidim i informacionit.

Gjithashtu me keqardhje kemi konstatuar që informacioni nuk është ai që është kërkuar, është i mangët ose është i paqartë dhe shpesh here nuk jepet përgjigje për atë që kërkohet, por jepet përgjigje në përgjithësi duke u konsideruar kjo një përgjigje pa përgjigje në lidhje me pyetjet që janë drejtuar në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë nga ana e Task Forcës.

Në këto kushte mbledhja u organizua ditën e premte në një orë pas orarit zyrtar gjë të cilën ne e kemi ndarë edhe me publikun çfarë u diskutua në këtë mbledhje.

Në këtë mbledhje ishte caktuar një rend dite ku diskutohej në lidhje me informacionet  që i kishin kërkuar ministrive. Pikërisht duke u nisur nga situata e sipërpërmendur, në pikën e parë të rendit të ditës iu tërhoq vëmendja ministrave, të cilët nuk kishin sjellë fare informacion dhe ju tërhoq vëmendja edhe institucioneve dhe bashkive që nuk kishin sjellë informacion për të bërë transparencën në këtë kuadër.

Në të njëjtën kohë iu rekomandua të gjithë ministrave apo titullarëve të institucionit të marrin masat përkatëse administrative dhe të fillojnë procedurat disiplinore për ata punonjës dhe ata titullarë, të cilët kanë shkelur ligjin dhe nuk kanë arritur në kohë të sjellin informacion të konsoliduar për Task Forcën dhe për ta ndarë këtë me gjithë publikun për sa kohë të gjithë qytetarëve kërkojmë t’u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Një pikë e dytë që u diskutua gjatë kësaj mbledhjeje ka qenë  pikërisht edhe sjellja e disa punonjësve të lartë të administratës, bëhet fjalë për Sekretarët e Përgjithshëm.

Kemi një mosakordancë midis Sekretarit të Përgjithshëm dhe Ministres së Arsimit, ku ministrja është penguar të ushtrojë kompetencat  dhe funksionet e saj. Gjithsesi nga ana e Task-Forcës i është kërkuar Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil gjithashtu edhe DAP-it që të kryejë një hetim administrativ në lidhje me sjelljen e Sekretarit të Përgjithshëm duke arritur në konkluzione përfundimtare në lidhje me situatën e kërkuar ku sipas pretendimeve, edhe të ministres, është pretenduar se është penguar për të sjelle edhe informacionin që është kërkuar nga Task Forca 10 ditë më parë.

Pikë tjetër e diskutimit ka qenë edhe deklarata tjetër publike, e cila kam përshtypjen që ka qenë më tepër një keqkuptim nga ana e medias se sa një pretendim i ngritur nga ana e KQZ-së. Mediat kanë thënë se, ministrat teknik po pengojnë punonjësit të jenë anëtarë të KZAZ-vë, pra nuk u japin leje. Në fakt VKM e përcakton në pikën 5 të saj që në çdo rast ata janë të lejuar dhe nuk duhet të pengohen, pra është shumë  e qartë kjo. Përveç të tjerave unë i kam kërkuar edhe ministrave të japin menjëherë informacion. Në momentin që është bërë kërkesa e punonjësit në atë moment ajo  është miratuar nga ana e titullarëve. Pavarësisht kësaj unë kam dërguar letra zyrtare për të gjitha ministritë, institucionet, bashkitë dhe prefekturat ku kam kërkuar informacion. Në shumicën e raste informacioni i ardhur, do them 80 % sepse ka edhe letra të tjera që vijmë më pas, rezulton që të gjithë kërkesat e paraqitura janë miratuar nga ana e institucioneve, madje në një kohë shumë të shpjete Kështu që në këto kushte Task Forca vendosi që të informojë KQZ-në.  Ju jeni në dijeni që një përfaqësues i KQZ-së, vetë kryetari është bërë pjesë e Task Forcës, pavarësisht se dje nuk ishte prezent për shkak të angazhimeve te tij.  Ramë dakord që të bëjmë një njoftim për KQZ-ë ku të sigurohet që nuk ka pengesa ana ana e institucioneve dhe që në momentin që do të ketë një informacion final me të gjithë numrin  e personave që kanë bërë kërkesat dhe ju janë miratuar do t’i përcillet për dijeni KQZ-së.

Një çështje tjetër e diskutuar në këtë mbledhje kishte të bënte me një informacion të ardhur   nga vëzhguesit vendore të cilët pretendonin se ka një fluks tërheqjesh nga bankat e nivelit të dytë. Unë i kisha kërkuar informacion më parë Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave rreth transaksioneve të dyshimta, meqenëse ato mund të shohin lëvizje që konsiderohen të dyshimta dhe në fakt Drejtoria e Pastrimit të Parave kishte gjetur një rast, të cilin e kishte referuar në Prokurori. Për këtë nuk mund të jepet më tepër informacion sepse janë të dhëna sekrete dhe konfindenciale për shkak të hetimit.

Ndërsa në lidhje me kërkesën e bërë nga ana jonë kjo Drejtori mori përsipër që të mbledh informacionin dhe te bëjë një studim, ndoshta duke iu referuar edhe viteve më parë 2015 dhe 2016, për të bërë edhe krahasueshmërinë për të njëjtën periudhe në vite të ndryshme. Në këto kushte në momentin që do të ketë një raport nga ana e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të  Parave në se kjo është e vërtete dhe kjo ka ndikuar në financimet e subjekteve elektorale, të cilat do të rezultojnë të paligjshme, do i kërkojmë kësaj drejtorie të bëjë edhe referimet përkatëse në Prokurori.

Çështje të tjera që u ngritën nga ana e Task Forcës janë çështje që dolën nga informacionet ose nga rastet që qytetarët e  ndryshëm i kanë prezantuar gjatë këtyre javëve tek ne. Rastet kanë qenë nga më të ndryshmet për transparencën me publikun këto raste vijnë nga qytetarë, vijnë nga subjekte elektorale, vijnë edhe nga deputetë dhe ne i trajtojmë të gjitha rastet,  dmth nuk kemi asnjë dallim qoftë raste që vijnë nga subjekti elektoral PS, subjekti elektoral LSI, subjekti PD apo subjekti PDIU kushdo që të jetë dhe këto i dërgohen ministrive përkatëse.

Në mbledhjen e parë të Task Forcës është bërë e qartë që çdo ministër dhe titullar institucioni ka për detyrë që të shqyrtojë rastin dhe të marrë masa konkrete mirëpo jo gjithmonë rasti i referohet ministrit apo titullarit sepse njerëzit nuk e dinë se çfarë kompetence ka  në lidhje me zyrtar që punon përshembull në një drejtori të Shëndetit Publik.

Pra, mendon se duhet t’i drejtohet Kryeministrit ose zv/kryeministrit ndërkohë që në këtë rast ia referojmë rastin Ministrit të Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë ka edhe ai kapacitet e veta njerëzore të cilat menjëherë verifikojnë rastin. Nuk është e vërtetë që me një fotografi direkt filloi një procedurë, u bë një kallëzim ose hiqet një person nga puna por në këtë moment ne bëjmë verifikime.

Kemi referuar raste, meqenëse ju referova shëndetësisë, kemi referuar raste  dhe ministri ka raportuar që janë shumë të vjetra, i përkasin muajve mars-prill, ndërkohë që nuk kishte filluar fushata elektorale dhe nuk kishin hyrë në fuqi ndryshimet e Kodit Penal përsa i përket veprave penale. Kështu që në këto raste nuk është marrë asnjë masë.

Mendoj se në fund të procesit do të jetë një kërkesë tjetër për titullarët e institucioneve, të cilët do të bëjnë një tabelë me të dhëna se sa raste janë referuar dhe në sa raste kanë marrë masa qoftë administrative, qoftë edhe referime në organin e Prokurorisë. Pra ajo nuk është e vërtetë që në çdo rast kur dikush merr një fotografi në facebook me një deputet, direkt shkarkohet nga puna. Kjo nuk është e vërtetë.

E  njëjta procedurë është ndjekur edhe nëpër ministritë e tjera ashtu edhe me Shoqëritë Anonime kur janë në varësi të një ministrie të caktuar apo edhe me  ndërmarrjet që janë në pronësi të një Bashkie. Nisur nga kjo unë i kam kërkuar të gjithë institucioneve dhe Task Forca mori vendim që kërkon informacione nga të gjitha institucionet për rastet e referuara në Prokurori, për ato që konsiderohen krime elektorale. Ato do të tregojnë sa kanë adresuar apo kallëzuar dhe çfarë statusi ka ajo çështje sepse informacionin e ka prokuroria, megjithëse me sa jam unë në dijeni Prokuroria në çdo rast e ka regjistruar çështjen.

Një shqetësim tjetër i ngritur është ai me punësimet gjatë fushatës elektorale  Kjo çështje u ngrit sepse kishim shumë denoncime në lidhje me punësimet gjatë fushatës elektorale. Ju e dini që nenit 88 e parashikon qartë që nuk lejohen punësime, transferime, lëvizje paralele e të tjera me radhë me përjashtim të rasteve dhe emergjenca, të cilat duhet të tregohen se pse dhe kush quhet rast emergjent.

Kemi pasur informacione në lidhje me këtë, kemi bërë verifikime, në librat e protokollit kemi bërë verifikime edhe në listë pagesat e punonjësve duke bërë krahasime me muajin prill dhe muajin maj. Në fakt ka rezultuar që janë bërë punësime në shoqëritë anonime, janë bërë punësime në ujësjellësa. Në këtë raste i është kërkuar ministrit, i cili e ka në varësi apo bashkisë që të bëjë verifikimet dhe me pas një raport ku tregon se në çfarë kushtet janë bërë këto punësime dhe në se është rasti të ndjekë procedura me masa administrative apo të bëjë referime në organin e Prokurorisë referuar ligjit. Nisur nga raste që na kanë ardhur, dhe kemi shumë informacione në lidhje me këto, u është kërkuar të gjitha institucioneve të sjellin informacion në lidhje me punësimet e bëra gjatë fushatës elektorale dhe u ra dakord të bëhet një studim e punësimet e bëra gjatë vitit elektoral. Pra kodi parashikon fushatën elektorale.

Ne të gjithë aty, ishte pjesëmarrëse edhe Drejtoresha e DAP-it, ishin vetëm ministrat teknik, ishte edhe Komisionierja për Shërbimin Civil dhe u pranua që ndoshta në të ardhmen do ishte e mira të shihet punësimi që bëhet në vit elektoral. Punësimi mund të jetë bërë në janar, shkurt, mars, prill. Kemi informacione që para datës 22 maj janë bërë shumë punësime ndoshta 50 punësime brenda dite, të cilat të bëjnë të mendosh se këto janë përdorur për të favorizuar persona të caktuar, të cilët do të votojnë për ata që i kanë punësuar.

Në të ardhmen duke e krahasuar me të njëjtën periudhë, pra referimi do të behet me vitin 2015, 2016 dhe do të shihen trendi i punësimeve, do të shihen edhe strukturat, sepse ka informacione që janë bërë edhe punësime përtej strukturës së miratuar qoftë nga VKM, ose Këshilli Mbikëqyrës. Kështu do të kemi një studim produkt të kësaj Task Force që do të përdoret për të pasur rekomandime për ndryshime në të ardhmen ne Kodin Zgjedhor.

Gazetarja: Ishte lajmëruar herët ne media se në këtë mbledhje do të diskutohej edhe rasti Gjoza nisur nga ankesa e bëra nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Mund të na thoni më tepër?

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija Pikë tjetër që është diskutuar kishte të bënte pikërisht me rastin Gjoza. Subjekti elektoral LSI ju e dini që ka bërë një kërkesë publike dhe përveçse e ka bërë publike në daljen për konferencë për shtyp e ka dërguar edhe në formë të shkruar, ku i është kërkuar Task Forcës të diskutohet në mbledhjen e saj në mënyrë të posaçme rasti Gjoza, gjithashtu edhe goditja subjektive ndaj disa personave, të cilët janë anëtarë të LSI-së, mbështetës apo simpatizantë të LSI-së. Unë e kam vendosur në rendin e ditës është pranuar nga të gjithë që të diskutohet. Në vijim të kësaj është kërkuar informacion nga Drejtoria e Policisë edhe nga Prokuroria në lidhje edhe me referimin e rastit në prokurori, kallëzimin e bërë dhe provat ku është mbështetur, procedurat e ndjekura nga ana e Policisë. Kanë ardhur informacione, këto janë diskutuar dhe është bërë prezentë që policia ka referuar rastin atje dhe Prokuroria ka filluar tashme procedim penal. Për kushtet që fillohet një procedim penal kuptohet që Task Forca nuk ka më kompetenca që të diskutojë këtë  çështje më në mbledhjen e saj.

Në kushtet kur këto materiale, qoftë përgjigjja e dhënë nga ana e Policisë së Shtetit, qoftë edhe përgjigjja e Prokurorisë ku pretendon se tashmë informacioni është sekret dhe konfindencial dhe nuk mund të vendoset për informim,  jemi ne të detyruar që të bëjmë transparencën dhe të vendosim që të këtë një përgjigje zyrtare për subjektin elektoral LSI,  duke e siguruar që në asnjë rast nuk ka pasur një goditje subjektive ndaj individëve që i përkasin subjektit elektoral LSI të ndarë veçmas nga subjektet e tjera elektorale.

Gazetarja: Janë hedhur akuza se Task Forca po merr masa vetëm kundër drejtuesve të administratës që i takojnë Lëvizjes Socialiste për Integrim. Keni ju një argument ndryshe?

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija Në fakt  nuk është e vërtetë. Unë nuk e di sesa drejtorë ka PS, LSI apo PDIU, por të paktën për rastet që janë shkarkuar, jam informuar nga ministrat përkatës që i takojnë forcave të ndryshme politike. Ajo cfarë pretendohet nuk më rezulton e vërtetë. Nuk kam një shifër përfundimtare sepse informacioni ka ardhur i mangët në ana e institucioneve, madje është një kërkesë e ribërë nga ana ime duke i ndihmuar edhe me një tabelë kur t’i ndajnë rastet kush quhet i pezulluar dhe kush quhet i shkarkuar.

Kush quhet i shkarkuar për shkaqe disiplinore sepse nuk e bën mirë punën sepse nuk shkon në punë fare dhe nuk ka lidhje me aktivitetin elektoral dhe rasti ku personi shkarkohet si pasojë e pjesëmarrjes në aktivitete elektorale në kundërshtim me kuadrin ligjor ne fuqi. Apo rastet e pezullimit, kur pezullohet për shkak se është bërë kandidat i një forcë politike dhe vazhdon të jetë në detyrë.

Në lidhje me këtë nuk kam një shifër përfundimtare, por raportet kanë qenë pothuajse njësoj. Mos të themi 50 me 50, por 60 me 40 mes subjektit elektoral PS-LSI.

Shqetësimi është më tepër i ngritur nga LSI se nga PS, por drejtorë të shkarkuar që i përkisnin subjektit elektoral PS ka pasur plot në fakt.

Leni një përgjigje