FIKS FARE/Stimulantë dhe hormone te shalqiri dhe domatja, fermerët nuk i hanë

Ndaje

Fiks Fare: Stimulantë dhe hormone te shalqiri dhe domatja Fiks Fare zbuloi se fermerët përdorin stimulantë dhe hormone në rritjen dhe pjekjen e fruta-perimeve. Në një vëzhgim në Lushnje dhe Berat, “hambarin” e fruta-perimeve në Shqipëri, gazetarët e Fiksit zbuluan se dora e parë e domateve ishte me hormone, madje fermerët vijonin t’i lyenin për skuqje nga jashtë.

 

Ndërkohë, bima e shalqirit shartohet me një bimë kungulli, me qëllim që kokrra të jetë sa më e madhe. Më pas, kjo bimë, gjysmë shalqi dhe gjysmë kungull, stimulohet me plehra kimikë, me qëllim rritjen e kokrrës dhe pjekjen sa më të shpejtë. Për të dyja këto produkte, gazetarët e Fiksit shkuan direkt te fermerët, duke u bërë një pyetje të thjeshtë: A i konsumojnë vetë? Përgjigjja e tyre ishte se jo, madje treguan edhe “bëmat” e tyre.

 

Shalqiri me kungull dhe rritet me stimulantë

Fiks Fare zbuloi se bima e shalqirit fillimisht shartohet me kungullin. Dy bimët, mbillen veç e vet. Pasi rriten disa centimetra, ato shkulen nga kubikët dhe bashkohen me njëra tjetrën, duke i prerë të dyja në kërcell.

 

Zakonisht, bimës së kungullit i priten sythët dhe rrënjët, duke lejuar që, në trupin e saj, të zhvillohet vetëm bima e shalqirit. Të dyja bimët e bashkuara mbillen në të njëjtin kubik, duke formuar një bimë të vetme. Pas disa javësh, bima bëhet gati për t’u mbjellë në fushë.

 

Fiks Fare udhëtoi në zonën e Divjakës, duke pyetur direkt fermerët se çfarë përdorin për shalqirin. Fillimisht, gazetarët takojnë disa fermerë në një traktor të mbushur me shalqi dhe i kërkojnë disa kokrra të mira.

 

“Kanë ushqim, dje i hodha, ka ilaç nuk hahet. Nuk ta jap dot”, thonë fermerët. Më pas, gazetarët shkojnë edhe në tregun e shumicës në Divjakë, duke pyetur direkt fermerët se çfarë përdorin. “Nuk e hamë vetë shalqirin, se ne ble diçka hidhi, ble hidhi, se dimë ça ka brenda. Nuk është si më përpara fosfati në fillim, vetëm me nitratin dhe bëheshe kishe qejf, të ngjiste dora”, thotë fermeri, ndërsa shton se bima është e ushqyer dhe e ndikuar me substanca të ndryshme.

 

“Unë për vete s’ha as domate, as trangull, as shalqi” vijon fermeri.

Një tjetër thotë se shalqi pa stimulant, vetëm me vaditje, hajet vetëm në muajin gusht. “Jo, nuk ha për vete, edhe fëmijëve nuk u çoj, se këta u hedhin 100 % plehra” vijon ai.

 

Domatja me hormone

Javët e fundit, në redaksinë e emisionit “Fika Fare” mbërritën dhjetëra ankesa për cilësinë e domateve. Sipas tyre, domatja është e pakonsumueshme, pasi fermerët përdorin hormone.

 

Nisur nga këto ankesa, gazetarët e Fiksit bënë një vëzhgim të thjeshtë, duke shkuar direkt te fermeri, duke i bërë një pyetje të thjeshtë: Përdorin apo jo hormone?

 

Në fshatin Qerret të Lushnjes, një fermer thotë se asnjëri se ka të saktë, do kenë çik bojë, çik helm. “Nuk të japin, ata që mbjellin pak për vete s’të japin”, ndërsa shton se ai vetë nuk i konsumon fare domates, pasi do jetë e kuqe jashtë, brenda s’ka shije domatet, do jetë e athtë.

Gazetarët shkojnë te një fermer tjetër, duke i kërkuar të blejnë domate për shtëpi. “Nuk janë për shtëpi, them kot merri. Mua s’më dhimbsen, se janë një hektar atje. Nuk janë për shtëpi, më mirë të jem i qartë, të them kot unë ty. Ne i çojmë te tregu” thotë ai.

 

Një fermer thotë se domatja e lashtë, lyhet me qëllim skuqjen e saj. “Tani s’ka nevojë tani, në fillim i lyejmë me leckë neve këtu (tregon vendin ku e lyen kokrrën e domates). Tani në qershor është gjynah ta lyejmë. I kam kapur me 700 me 800 lekë kilogramë. Përdorim helme shumë, atë seren andej e mbarova në prill unë. Unë nuk haja vetë. Sera e merr hormonin, nga këtu deri andej matanë. I lyejmë me acid. E fërkon. Ka lloj-lloj mënyre, e bën të bukur domaten. Duket brenda që ka hormone, s’ka fara” përfundon ai.

 

“Domate ‘bio’ vetëm ajo zemërkau”

 

Gazetarët e Fiksit shkuan edhe në fshatrat e Beratit. Një fermer thotë se “s’ka sot domate të mira, janë të tëra me hormone. Nëse do domate, merr domate vendi, zemërkau, ajo po u bë me hormone prishet. Unë nga ajo blej vetë, merre haje dhe jepja kalamajve”.

 

Një tjetër thotë se nuk ha për vete në serën e tij. Për të gjetur domate të mira, gazetarët e Fiksit shkuan edhe në tregun e fruta-perimeve në Lushnje.

 

Sipas fermerëve dhe tregtarëve, me ilaç bëhen në prill dhe më parë. “Zëmërkau është e mirë, s’duron ajo. Është e mirë ajo. Më përpara i kanë bërë, ata që i kanë shitur. Tani i pjek vapa”, thonë ata.

 

/ Top Channel

Leni një përgjigje