PSIKOLOGJI/Si t’i menaxhoni njerëzit e vështirë?

PSIKOLOGJI/Si t’i menaxhoni njerëzit e vështirë?

152
0
Shares

Njerëz të vështirë ka gjithandej. Ndoshta edhe ju vetë jeni i tillë. Shumë njerëz kalojnë momente të vështira, gjatë së cilave nuk sillen më mirë se të tjerët. Nëse doni të ruani marrëdhënie të mira me një person të tillë, duhet të dini si ta menaxhoni atë dhe se si të negocioni. Pikësëpari duhet të përballeni me personin e vështirë dhe pikësëdyti duhet të ndryshoni mënyrën tuaj të të menduarit.

Si mund të përballeni me njeriun e vështirë?

1. Zgjidhini mirë betejat tuaja. Kur keni konflikt me një person të vështirë, që në fillim duhet të dini nëse përpjekjet tuaja për ta diskutuar problemin ia vlejnë apo jo. Se jo të gjitha betejat ia vlejnë të bëhen. Sa më herët ta kuptoni këtë fakt aq më rehat do të ndiheni në jetën tuaj. Idealja do të ishte që ju dhe ky person i vështirë t’i linit mënjanë dallimet tuaja e të bëni kompromis. Por, ndonjëherë kjo është thjesht e pamundur.

– Fillimisht, pyesni veten nëse kjo situatë ju shqetëson aq shumë aq sa ju duhet ta zgjidhni patjetër.

– Pastaj, reflektoni mbi marrëdhënien tuaj me këtë person. Nëse është eprori juaj ose një person tjetër që përfaqëson një autoritet, ju duhet t’i pranoni disa gjëra që nuk ju pëlqejnë (të paktën, nëse nuk bëhet fjalë për sjellje keqtrajtuese). Nëse bëhet fjalë për një mik ose një anëtar të familjes, duhet të pyesni veten nëse fakti që nuk po reagoni a mos e inkurajon atë të vazhdojë më tej apo duke mos reaguar ju kursen ca andralla më shumë.

2.Bëni një pushim për një çast. Mbushuni me frymë thellë para se të përgjigjeni për të mbledhur veten dhe për të qetësuar emocionet tuaja. Nëse konflikti bëhet me sms ose e-mail, evitoni të përgjigjeni sa herë jeni me nerva. Merrni pak kohë për të zvogëluar tensionet. Pastaj, mund të merreni me këtë person në mënyrë më të arsyeshme.

– Brenda mundësive, diskutoni për problemin tuaj në një vend neutral, ose në një vend publik me gjallëri. Mund ta bëni këtë p.sh., duke ecur. Kjo do të kufizonte përballjen e drejtpërdrejtë.

3. Shfaqini nevojat tuaja qartësisht dhe me bindje. Mos i lini tjetrit mundësinë t’ju manipulojë apo të deformojë ato që ju po thoni. Përpiquni të formuloni fjali që fillojnë me “unë”, dhe jo me “ti”, pasi këto të fundit janë akuzuese. P.sh., mund të thoni: “Unë e kuptoj që ti ndjehesh keq se mbërrita vonë. Edhe unë ashtu do ndjehesha. Por, për fat të keq autobusi u vonua shumë këtë mëngjes dhe për më tepër ngeci dhe në trafik. Më vjen keq që të lashë të prisje”. Në vend të një fjalie të tipit: “Ti a nuk arrin ta kuptosh dot që nuk mund të vija më herët se u vonua autobusi? Nëse do të interesoheshe tamam do e shikoje dhe në televizor se ça ndodhi sot me trafikun”.

4. Duhet të ruani gjithmonë mirësjelljen. Sidoqoftë përgjigja e tjetrit, ruani qetësinë. Mos filloni edhe ju të fyeni. Mbani frymën deri në dhjetë para se të përgjigjeni. Gjëja më e rëndësishme është të mos e ulni veten në nivelin e tjetrit. Për më tepër, nëse jeni i qetë, tjetri do ta vërë re këtë fakt dhe do ta përshtatë sjelljen e tij me rrethanat.

5. Përmbajuni fakteve. Përdorni fjali të shkurtra dhe të qarta, pa i ngarkuar me detaje emocionale. Ka shumë gjasa që nuk do të mund t’i impononi tjetrit këndvështrimin tuaj dhe nuk keni nevojë të përpiqeni ta bindni. Shpjegojani se çfarë ka ndodhur dhe mos kini përshtypjen se duhet t’i justifikoheni.

– Evitoni temat që shkaktojnë konflikte. P.sh., nëse debatoni gjithmonë me kunatën për punën e pushimeve, mos e flisni më me të këtë çështje, por kërkojani dikujt tjetër të jetë ndërmjetës.

-Evitoni të jeni më shumë seç duhet në mbrojtje. Ju ndoshta doni ta mbroni qëndrimin tuaj me çdo kusht, por me personat e vështirë, më mirë evitojeni këtë lloj argumentimi. Mos humbisni kohën tuaj duke u përpjekur të tregoni se keni të drejtë. Më mirë përpiquni ta ruani situatën sa më neutrale të jetë e mundur.

6. Minimizoni reagimet tuaja. Edhe pse keni shpresa se mund ta menaxhoni personin me probleme, nëse nuk ia dilni dot, është më mirë që ta kufizoni kohën e shpenzuar me të. Nëse duhet patjetër t’i flisni, mos ia zgjasni shumë, duke kërkuar ndjesë se duhet të largoheni ose përfshini dhe dikë tjetër në bisedë. Qëndroni pozitiv sa më shumë të mundeni dhe sigurohuni se jeni qetësuar sa herë që jeni vetëm.

-Pranoni faktin që ky person nuk do bëhet asnjëherë miku, kolegu apo i afërmi që ju do të dëshironit që ai të ishte.

7. Diskutoni me aleatë. Nëse nuk bëni progres me këtë person dhe nëse kjo është patjetër e nevojshme, diskutoni me një ndërmjetës të mundshëm. Nëse është një mosmarrëveshje në ambientet e punës, eprori juaj ndoshta mund t’ju ndihmojë për ta përmirësuar këtë situatë. Nëse është një konflikt familjar, gjeni një person të tretë që mund të negociojë. Përpiquni t’i ndani pakënaqësitë tuaja me njerëz te të cilët keni besim.

Si mund të ndryshoni mënyrën tuaj të të menduarit?

1.Pranoni faktin se do të ketë gjithmonë njerëz të vështirë. Kudo qoftë vendi, kudo të jetoni apo punoni, gjithmonë do të ndesheni me njerëz që duken se kënaqen duke u bërë keq të tjerëve. Gjëja më e rëndësishme është të dini si t’i menaxhoni këta njerëz. Meqenëse nuk mund t’i evitoni lind nevoja të dini t’i identifikoni tipa të ndryshëm njerëzish të vështirë që të mund të vendosni mënyrën më të mirë për t’iu drejtuar. Ja disa nga ata:

– Njerëzit armiqësorë kanë tendencë të reagojë dhunshëm. Ato mund të jenë cinikë, kanë një natyrë kontradiktore dhe urrejnë ta kenë gabim. Këta njerëz preferojnë rolin e pushtetit apo të ngacmojnë të tjerët në internet.

– Njerëzit e ndjeshëm ndaj refuzimit kërkojnë fyerje. E thënë ndryshe, këta njerëz mund t’i fyesh shumë kollaj. Ata përdorin shpesh mënyra me shkrim (emaile, sms) për të shprehur shqetësimin e tyre.

-Njerëzit nevrikë. Ata mund të jenë në ankth apo pesimistë dhe i kritikojnë lehtësisht të tjerët.

-Personat egoistë. Ata interesohen vetëm për interesat e tyre. E urrejnë kompromisin dhe janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj nëpërkëmbjeve personale.

2. Rrisni tolerancën tuaj përballë frustrimit. Ju nuk mund ta kontrolloni sjelljen e të tjerëve, por mund të vendosni për mënyrën se si do të reagoni dhe nëse do t’i përgjigjeni apo jo. Një mënyrë është duke rritur tolerancën tuaj përballë frustrimit, çka do të thotë të sfidoni mendime surreale që ju bëjnë të ndjeheni të stresuar, të mërzitur apo të humbisni toruan.

– Kur diskutoni me një person të vështirë, mund të mendoni: “Nuk e duroj fare këtë!” Para se të reagoni bazuar në këtë mendim, mbushuni thellë me frymë e mendoni nëse ia vlen apo jo.

– Pasi në realitet, sigurisht që mund ta duroni këtë person. Nuk do vdisni se vjehrra juaj ka qejf të marrë përsipër organizimin e Krishtlindjeve, apo se eprori juaj del nga binarët kundër jush. Sigurisht që mund të rezistoni. Zgjedhja juaj qëndron në faktin sesi dëshironi t’i përgjigjeni.: Do nevrikoseni derisa t’ju hipi gjaku në kokë e të shpërtheni apo do mbusheni thellë me frymë e t’i jepni ca gjëra vjehrrës me ça të merret?

3. Analizoni sjelljen tuaj. Nëse konstatoni se ju sulmojnë shpesh, ndoshta ju tërhiqni njerëzit e gabuar përreth. P.sh., nëse ju jeni person negativ, mund t’ju bashkohen persona të tjerë pesimistë e negativë. Përpiquni të rrethoheni nga miq të tjerë që kanë një qëndrim më pozitiv.

Është shumë e rëndësishme gjithashtu, të njihni forcat dhe dobësitë tuaja. Kështu do jeni më të mirëpajisur për të menaxhuar këta lloj personash kur të përballeni me ta.

4. Ndërgjegjësohuni për perceptimin e të tjerëve. Njëri nga miqtë tuaj mund të ketë një pamje të vështirë, por mund të jetë edhe se thjesht po kalon një moment të vështirë. Para se të gjykoni menjëherë sjelljen e të tjerëve përpiquni të jini empatik duke reflektuar se çfarë do të ndjenit ju në vendin e tij. Nëse do të jeni të ndjeshëm ndaj dallimeve të personalitetit, ju do të jeni në gjendje të menaxhoni konflikte të ndryshme.

-Praktikoni pranimin duke u mbushur thellë me frymë e duke e iu drejtuar personit me sa më shumë dhembshuri “E shikoj që ti vuan. E pranoj që je në ankth apo i frikësuar, edhe pse nuk e kuptoj psenë. E pranoj gjithashtu që kjo më jep ankth edhe mua”.

– Çlirohuni nga tensioni i krijuar nga rezistenca juaj ose reduktojeni betejën tuaj ndaj këtij personi thjesht duke i pranuar gjërat si janë duke njohur edhe natyrën e vështire të tjetrit.

Këshilla

-Asnjëherë mos e fyeni tjetrin. Fyerjet vetëm i zemërojnë të tjerët dhe u tregojnë atyre se ju i keni humbur të gjitha mjetet.

-Ruani gjithmonë qetësinë dhe dilni të mbusheni ajër nëse e ndjeni se po zemëroheni.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY