Unioni i Gjyqtarëve: Politika të ndalë sulmet ndaj gjyqtarëve, nuk i ndihmon...

Unioni i Gjyqtarëve: Politika të ndalë sulmet ndaj gjyqtarëve, nuk i ndihmon as besimit të publikut

39
0
Shares

Unioni i Gjyqtarëve (UGJ) shprehet kundër anatemimit , që sipas tij, përfaqësues të lartë të politikës po i bëjnë gjithë gjyqtarëve pa dallim dhe sistemin e drejtësisë. Sipas UGJ, kjo nuk i shërben rritjes së besimit të publikut te sistemi gjyqësor.
“Me keqardhje të thellë konstatojmë se, kohët e fundit përfaqësues të lartë të politikës po bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, të përsëritura, duke anatemuar në mënyrë të përgjithshme dhe pa dallim gjithë gjyqtarët dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij të thellë për këtë fenomen dhe bën thirrje për ndaljen e tij pasi, nuk ndihmon në rritjen e besimit të publikut te sistemi gjyqësor, forcimin e pavarësisë së vendim-marrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë ne vend”, deklaron UGJ.
Unioni i Gjyqtarëve ka reaguar edhe në lidhje me zhvillimet e fundit dhe procedimet e gjyqtarëve të përfshirë në afera korrupsioni. Në deklaratë për mediat UGJ përshëndet reformimin e sistemit të drejtësisë duke vlerësuar se kjo reformë forcon besimin tek organet e drejtësisë.
“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet e fundit, që kanë lidhje me procesin e reformës në drejtësi dhe nisjen e procedimeve penale, kundër disa gjyqtarëve, të dyshuar për kryerjen e veprimeve korruptive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre. Unioni përshëndet nismën e ndërmarrë nga politika për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe ftesën për të dhënë kontributin e tij në këtë proces, i cili ka si qëllim kryesor rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së dhënies së drejtësisë për qytetarin. Jemi të bindur se në këtë mënyrë do të forcohet dhe rritet besimi i publikut tek organet e drejtësisë në përgjithësi dhe gjykatat në veçanti”, deklaron UGJ.
Më tej theksohet se “Që nga dita e themelimit të tij Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë nuk ka rreshtuar se theksuari se, mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve, punës së tyre, performancës dhe sjelljes së tyre brenda dhe jashtë zyrës”.
“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë distancohet me forcë nga çdo fenomen antiligjor dhe inkurajon organet ligj-zbatuese që të veprojnë fuqimisht dhe të ndërmarrin veprimet e duhura, në respekt të parimeve themelore të një procesi të drejtë penal, ndaj çdo fenomeni korruptiv, të konstatuar në çdo nivel të sistemit gjyqësor”, thuhet më tej.
Më tej Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë “thekson edhe një herë angazhimin e tij maksimal në luftën kundër çdo fenomeni antiligjor dhe jo-etik të vërejtur në punën dhe jetën e përditshme të gjyqtarëve, sikurse dëshiron të theksojë edhe angazhimin e tij të plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave dhe forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vend”.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY